Gjermani fiton titullin e tretë radhazi, pasi Button del i pari në një garë plot episode nga starti në finish
Sebastian Vettel fitoi titullin e tretë botëror në Formula 1, pas një gare të çmendur në Brazil. Në cirkuitin e Interlagosit u provuan emocione të papara vitet e fundit, me ndryshime të shpeshta të motit, incidente të shumta dhe titullin që në xhiro të ndryshme shkoi sa te Vettel edhe tek Alonso. Në fund, gara u fitua nga Button, i ndjekur nga spanjolli, por gjermanit të Red Bullit i mjaftoi vendi i gjashtë për të siguruar mbrojtjen e titullit. Fillimi garës ishte emocionues, teksa Vettel shkoi drejt mesit të pistës dhe i hapi plotësisht krahun Felipe Massës që shpërtheu si shigjetë drejt vendit të dytë. Një episod drithërues ishte kur gjermani u godit nga Bruno Senna dhe u rrotullua 180 gradë e më pas filloi të ecte në drejtimin e startit, midis makinave që ecnin me shpejtësi në kah të kundërt me të. Por duket se Vettel ka lindur me këmishë, teksa pësoi vetëm një dëmtim fare të vogël dhe arriti ta mbante makinën në garë.
Mbeti në vendin e fundit, prej nga nisi fluturimin e çmendur drejt zonës së pikëve, për t’i rimarrë titullin Alonson, që në ato momente ishte kampion i botës për vitin 2012. Shpresat e Ferrarit u shtuan sërish nga fundi, kur Vettel hyri dy herë në bokse, për të ndërruar gomat, në varësi të situatave atmosferike. Megjithatë, i lehtësuar nga shkëputja e Jenson Button në krye, gjermani luajti në mbrojtje, duke administruar situatën. Alonso doli i dyti pasi kaloi shokun e tij të skuadrës, por vendi i parë ishte i paarritshëm dhe Vettel qëndroi me kënaqësi në zonën midis vendit të tetë dhe të gjashtë. Në fund, hyrja e safety car hoqi çdo lloj shansi për ndonjë surprizë të mundshme për shkak të ndonjë incidenti, pasi vendet në renditje ishin të përcaktuara. Vettel e kaloi i gjashti vijën e binishit, një pozicion që dje i shijoi si kurrë ndonjëherë. Titulli i tretë dhe hyrje në histori. Bashkohet me të mëdhenjtë si Schummacher e Senna, me tre tituj radhazi, ndërkohë që, në moshën 25 vjeç, bëhet piloti më i ri tri herë kampion i botës. Me vetëm tri pikë më pak, Alonso renditet i dyti, ndërkohë që paraqitja e McLaren në dy garat e fundit, me Lewis Hamilton e Jenson Button, bën që kampionati i të pritet me më tepër kërshëri dhe gara të jetë më interesante.
Renditja përfundimtare e botëtorit
1 Sebastian Vettel (Red Bull) 281
2 Fernando Alonso (Ferrari) 278
3 Kimi Räikkönen (Lotus) 207
4 Lewis Hamilton (McLaren) 190
5 Jenson Button (McLaren) 188
6 Mark Webber (Red Bull) 179
7 Felipe Massa (Ferrari) 122
8 Romain Grosjean (Lotus) 96
9 Nico Rosberg (Mercedes) 93
10 Sergio Pérez (Sauber) 66
Pas garës
Midis të mëdhenjve, Vettel: E pabesueshme
Një Sebastian Vettel i emocionuar lavdëroi të gjithë skuadrën e Red Bull Racing pasi u kurorëzuar për herë të tretë radhazi kampion bote në Formula 1. “Është e vështirë të edhe për mua të gjej se çfarë kam në kokë tani”, tha gjermani. “Adrenalina është e lartë dhe, edhe sikur të më shponi, nuk kam për ta ndjerë. Ishte një garë e pabesueshme. Kur rrotullohesh në kthesën e katërt pa asnjë faj dhe sheh në drejtimin e gabuar, nuk është ndjenja më e bukur. Isha me fat që askush nuk më goditi, por makina u dëmtua dhe humbëm shumë shpejtësi, sidomos pasi pista u tha. Për fat, ra prapë shi dhe u ndjeva shumë më i lumtur. Diskutohet shumë se si paraqitemi në shi, por mendoj se gjatë sezonin kemi treguar se jemi të aftë si në të thatë, ashtu edhe në shi”.
Në të vërtetë, Red Bull nuk tregoi vetëm se di të garojë në shi, por edhe aftësinë për t’u ngritur në nivelin e sfidave. “Është e pabesueshme, por gjëja më e rëndësishme është se gjatë gjithë sezonit nuk reshtëm kurrë së besuari te vetja”, tha kampioni, para se të shigjetonte edhe përdorimin e urdhrave të skuadrës nga ana e Ferrarit në Austin. “Shumë njerëz u përpoqën të bënin hile, por ne nuk u shqetësuam dhe vazhduam në rrugën tonë. Të gjithë djemtë luftuan deri në fund. E rritëm performancën në gjysmën e dytë të sezonit dhe kjo na lejoi të ktheheshim në garë për titullin. Duhet të falënderoj të gjithë skuadrën, sepse askush tek ne nuk është më i rëndësishëm se tjetri. Jemi të gjithë grup dhe luftojmë përkrah dhe jo kundër njëri-tjetrit. Për këtë jam shumë krenar”. Në lidhje me arritjet e tij në Formula 1, krahas pilotëve si Michael Schumacher, ndër të parët që e uroi, dhe Ayrton Senna, Vettel tha: “Për të gjithë ne si skuadër dhe mua personalisht është diçka surreale. Të fitosh titullin e tretë këtu, në atdheun e një prej idhujve të mi, Ayrton Senna! Është e vështirë ta imagjinoj që jam bashkuar me të dhe me emra të tjerë të mëdhenj duke fituar tre tituj radhazi. Radioja nuk punonte, po qaja dhe ju nuk ishit në gjendje të më dëgjonit dhe për këtë më vjen mirë. Nuk mundem t’i gjej fjalët për të përshkruar si ndihem tani”.
Alonso, krenar për Ferrarin
Fernando Alonso u shfaq krenar pas garës dhe pranoi se Ferrari e humbi titullin shumë më përpara Brazilit. Spanjolli doli i dyti me vetëm tri pikë më pak se Vettel. “Para së gjithash, jam shumë krenar për skuadrën”, tha 31-vjeçari. “Kampionatin nuk e humbëm sot, jo në Brazil, në fund të fundit kështu e ka sporti. Kur bën diçka me zemër dhe jep 100 për qind, duhet të jesh krenar për veten dhe skuadrën. Do ta provojmë prapë vitin tjetër”. Më pas, Alonso deklaroi për BBC Sport: “Besoj se kemi fituar respektin e të gjithë gjatë këtij sezoni. Ishte një vit i mirë, me njëzet gara pranë perfeksionit, por na mungoi diçka në performancë. Megjithatë e shijuam dhe luftuam deri në fund. Duhet të ndihemi krenarë”.
Schummacher: Lamtumirë F1
Michael Schumacher u rendit i shtati në garën e tij të fundit si pilot në Formula 1. Tre vjet pas rikthimit, shtatë herë kampioni i botës tërhiqet tashmë përfundimisht. Pas garës së djeshme, Shumi i mbajti lotët. “Për momentin i kam nën kontroll emocionet, por ndoshta më vonë, pasi të pimë ndonjë gotë dhe të përqafohem me mekanikët, do të bëhem më sentimental. Megjithatë, po e pres me padurim jetën pas Formulës 1”, deklaroi gjermani. Schummmacher nuk i kurseu elozhet për kampionin Vettel: “Mendoj se është një fund i bukur që unë po largohem dhe ai fiton titullin e tretë. Jam shumë krenar për të, ai është një mik i mirë dhe le të shohim se çfarë na rezervon e ardhmja”.