Në kohën kur teatri “Skampa” kujton përvjetoret e tij, nga drejtuesit vjen sjellja në kujtesë edhe e personave që kanë kontribuar shumë për të. Një prej tyre është edhe aktori Hysen Biza. Bashkim Paheshti, i cili sot drejton Qendrën e Artit, thotë se aktorë të tillë janë të rrallë dhe janë një shembull për t’u ndjekur nga të rinjtë e sotëm. “Isha i ri kur e kam njohur Daj Cenin. E quaj kështu pasi me këtë emër e njihnin dhe e thërrisnin të gjithë. Daj Ceni ishte absolut për rolet e vogla thuajse në të gjitha pjesët teatrore, por ai ishte lezeti i shfaqjes. Mbaj mend një prononcim të Kadri Roshit tek drama “Sa shumë gjethe të thata atë vjeshtë”. Sapo mbaroi shfaqja, aktori i madh u shpreh: “Ç’është kjo mrekulli në shfaqjen e Elbasanit?!”.
“Daj Ceni ishte çelësi i zgjidhjeve të shumë gjendjeve që mund të kishte një shfaqje dhe gjendej gjithmonë aty duke dhënë kontributin e tij maksimal. Nuk dinte të mërzitej kurrë dhe ishte i dashur me të gjithë. Vinte shumë i përgatitur qysh në prova. E interpretonte tekstin pa arritur akoma tek shfaqja dhe madje hynte në rol ose vishte lëkurën e çdo personazhi. Ndaj Daj Ceni të befasonte, pasi
e plotësonte vetë rolin e tij. Pra, ishte shembull i një aktori model që aktorët e sotëm nuk e kanë dhe duhet ta ndjekin. Pikërisht në rolin e ministrit “Në shumë gjethe të thata atë vjeshtë” në vitin 1989-n do të mbetet dhe fiksohet jo vetëm për teatrin e Elbasanit, por edhe në nivel kombëtar. Aty ai u vlerësua me çmim dhe teatri “Skampa” gjithashtu u vlerësua maksimalisht në turneun kombëtar të teatrove”, thtoë Paheshti. Por, kush është aktori që u la në hije për shkak të biografisë dhe që aktorët e mëdhenj gjithmonë nuk mbetën pa e lëvduar?
Jeta
Hysen Biza u shfaq në skenë për herë të parë me dramën “Ramaducët” të Shkollës Normale dhe e mbylli jetën e tij në skenë me shfaqjen e suksesshme “Shumë gjethe të thata atë vjeshtë” të Astrit Çermës. Një djalosh normalist, me trup të shkurtër, të imët, por energjik edhe pse kishte debutimin e parë në teatër, arriti të dalë me sukses në sajë të pasionit dhe ajo më kryesorja talentit të tij që spikati me forcë qysh në fillim. Djali i tij, Fetahu, sot është angazhuar në ndërtimin e historisë së teatrit “Skampa”, ku një rol të rëndësishëm ka luajtur edhe babai i tij. Ai ka shënuar mbi 40 role në teatër e sa e sa role në estradë duke kaluar një jetë në skenë. Shpesh u nënvlerësua dhe iu dhanë edhe role dytësore për shkak të “biografisë së keqe”, por interpretimi i tij binte në sy dhe të gjithë do ta mbajnë mend “Dajë Cenin”në role shumë të dashura, që edhe pse ishte i ri, mori titullin e respektit nga të gjithë, qysh në teatrin amator të qytetit e deri në ndërrimin e sistemeve.
Si e filloi teatrin
Hysen Biza do të angazhohej qysh në fillim kur ishte student i Normales. Jeta artistike e kësaj shkolle nuk u ndal as në kohën e luftës. Më pas ai vazhdoi gjatë gjithë rrugëtimit të tij duke u bërë pjesë e grupeve artistike ku do të vazhdonte detyrimin ushtarak.
Në vitin 1945 Hyseni fillon shërbimin ushtarak në Fier. Edhe pse kishte kaluar afër nëntë vjet nga debutimi i tij i parë në skenë, pasioni për këtë art nuk u shua, përkundrazi, ai filloi më me dëshirë e pasion aktivitetin e tij, duke ngritur grupin amator të brigadës. Shkruan skeçe, komedi me një akt si “Ja po vijnë partizanët” me temë nga lufta. Luan pjesë me një akt si “Cani Hoxhë”, “Mulla Beqiri”, “Fytyra e Ballistit”, si dhe komedinë me dy akte “ Lulo Pupreka” që e vuri vetë në skenë. Kjo e fundit pati shumë sukses si në brigadë, ashtu edhe në qytetin e Fierit, ku u shfaq disa netë radhazi për spektatorët e rregullt.
Në të gjitha pjesët që vuri në skenë, ai luante edhe vetë. Edhe në division nuk qëndroi gjatë. Atë e bënë pjesëtar të ansamblit artistik të ushtrisë, të përbërë nga një bërthamë e mirë aktorësh, një pjesë e të cilëve sot janë aktorë të nderuar, si: Violeta Manushi, Loro Kovaçi, Pjetër Gjoka, Aleko Skali, Jovan Trako, etj.
Hyseni provoi dhe Maliqin
Në vitin 1947 mbaron shërbimin ushtarak dhe kthehet në Elbasan. Familja e tij e pasur do të përballej me një tatim të jashtëzakonshëm, si shumë familje të tjera elbasanase. Nga kjo të gjithë u burgosën e deri në shlyerjen e këtij tatimi, ai do të qëndronte në kënetën e Maliqit. Pasi kaloi muajt e tmerrshëm në kënetë, Hyseni kthehet në Elbasan. Më pas punët e tij do të ishin të rëndomta dhe do të mungonin shpesh edhe rolet kryesore për shkak të biografisë. Ai do të aktivizohet për tetë vjet rresht në grupin diletant të Shtëpisë së Kulturës, pasi në këtë kohë nuk kishte trupë profesioniste.
Estrada
Më 22 shtator 1955, me vendim të Këshillit të Ministrave të atëhershëm, ngrihet në Elbasan estrada profesioniste. Hyseni bëhet anëtar i trupës së estradës. Në premierst e para të estradës u trajtuan problemr të veçanta të qytetit dhe të fshatit. Me kalimin e kohës Estrada me përvojën e fituar fitoi zhdërvjellësi në hapjen e problemeve.
Në shfaqjen e premierave “Rendi i ditës” , “Gjurmët e Kohës” dhe “ Korrespondentët na shkruajnë”, trupa bëri një hap tjetër përpara përsa i përket prekjes së problemeve të kohës.
Duke qenë se kishte një eksperiencë të madhe në punën e tij si aktor, e njihte mirë publikun , shijet e tij dhe ja ç’thotë ai për të: “Publiku ynë gjënë e bukur e duartroket, ai ndjek më shumë ato gjëra që e prekin dhe i interesojnë atij, i pëlqen të qeshë dhe të tallet me të ligën, i pëlqen të shohë njerëzit e vet, heronjtë e vet, kënaqet kur roli ngjit me personazhin dhe ky ka një fuqi të tillë konkretizuese saqë skenën e identifikon me jetën e tij të vërtetë.”
I pashlyeshëm nga mendjet e spektatorëve është “Postjeri”, i interpretuar nga Hyseni më 1959-n në shfaqjen me të njëjtin titull. Në qendër të shfaqjes ishte një postier elbasanas, që i njeh njerëzit, qytetin, hallet e tyre dhe i thumbon fenomenet negative të këtyre njerëzve, satirizon ato personazhe që janë plotësisht negative dhe krijonte situata komike me ato personazhe pozitive që e përkrahin në luftën kundër fenomeneve negative. Në çdo situatë ai krijonte atë humor të këndshëm që e bënte spektatorin të ndjente kënaqësi. Karakteristike e Hysenit në këtë shfaqje ishte se ai i kalonte situatat në mënyrë shumë organike, pa fryrje. Kjo shfaqje nuk pati jehonë vetëm në qytetin e Elbasanit, por në të gjithë rrethet e vendit. Ajo u shfaq me shumë sukses në Vlorë, Korçë, Durrës, Tiranë, Shkodër. Jeta e gjallë impulsive e ka ndihmuar Hysenin në krijimin e shumë figurave të bukura të fshatarit, afërsisht 22 role në dramë, ndërsa me dhjetëra në estradë e ndër to vlen të përmendet edhe “roja” tek skeçi “Në vatrën e Kulturës”.
Në skeçin “Koha s’lidhet me litar” Hyseni dha me mjeshtëri të rrallë xhandarin tipik të regjimit të kaluar dhe shumë të veçantë nga figurat e xhandarëve që kemi parë deri më sot.
“Hyseni, – thotë aktori Llambi Burgja, – gjeti elementin për ta diskretituar këtë figurë. Që nga plastika deri në syrin e tij flisnin shumë. Nga mënyra se si ai mbante armën, shkaktonte një humor të jashtëzakonshëm. Nëpërmjet syrit të tij ne shikonim një idiot që s’merrte vesh asgjë dhe nga ana tjetër njeriun që s’donte ta jepte veten”.
E kanë pyetur Hysenin se si ka vepruar për krijimin e kësaj figure dhe ai është përgjigjur se për të konkretizuar rolin e xhandarit në skenë, ka pasur parasysh jetën: “Kam marrë shumë elemente nga xhandari që rrinte në centralin telefonik, nga ai i perfekturës, qoftë edhe nga një xhandar i urtë në dukje apo ai tinzar me shikimin vjedhacak dhe këto ia kam veshur këtij personazhi për të dhënë tipin e xhandarit të përshtatshëm për gjininë e estradës, duke theksuar disa cilësi negative”.
Për të nxjerrë në pah këtë, duhet gjetur edhe mjeti shprehës artistik që i përshtatet rrethanave ku vepron personazhi. Plastika e ka ndihmuar shumë. Hyseni ashtu siç luante fshatarin, postierin, xhandarin, që ishin “role të plota”, po aq bukur luante edhe në “role të vogla”.
Mund të kujtohet këtu skeçi “Jepi, Andromaqi” që bën fjalë për ato nënpunëse që thurin triko në orarin e punës, ku me një batutë të vetme, Hyseni bëhej i dashur për spektatorin. Dhe kjo nuk është e rastit, ai kishte koncepte të drejta për interpretimin në estradë. “Një batutë e vetme luan rol të madh në zgjidhjen e idesë, – thoshte Hyseni, – edhe këtu duhet luftuar për krijimin e figurës artistike”.
Hysen Biza ka pasur një vesh të mprehtë muzike duke plotësuar kështu edhe një kërkesë tjetër të aktorit të estradës, për interpretimin e kupleteve që është shquar veçarësisht tek ai “Vrava lala gishtin – obobo, shko tek doktori merr tre ditshin – obobo”.
Operetat
Hyseni ka marrë pjesë edhe në operetën “Trembita” që u vu në skenë në vitin 1954 dhe tek “Vajza e Portokallave” vu në skenë në vitin 1962, ku ka krijuar figura interesante, ku vlen të përmendet ajo e Kryematrapazit në “Vajza me Portokalla”.
Pas një pune me pasion, Hyseni nxori në skenë një matrapaz sa interesant, aq edhe të urryer, sa që publiku mezi priste ta shikonte fundin e kësaj fytyre, e këtij “vampiri” siç e kishte përcaktuar edhe vetë Hyseni këtë rol. Aq i realizuar ishte ky rol, saqë Hyseni kur dilte nga shfaqja, spektatorët nuk e thërrisnin më me emrin e personazhit që interpretonte (Rrapush), por “Dyrri”, një matrapaz që e njihte tërë qyteti…
“Pasi ishte shfaqur disa ditë rresht me sukses në Elbasan, trupa u nis për në Tiranë. Ishte viti 1962, festohej 50-vjetori i shpalljes së pavarësisë. Natën e parë luajta kryematrapazin, ndërsa natën e dytë, kur do të vinin edhe të udhëheqjes, dhe biletat ishin shitur, aktori që luante rolin kryesor (Qazimin) Faik Haxhihymeri, i vdes i biri 14-vjeçar. Shokët vendosën që unë të luaja këtë rol dhe kryematrapazin dublanti. Nuk e kam ndjerë veten më ngushtë se në këtë moment, tekstin nuk e dija plotësisht, por dija çfarë zhvillohej në të, thelbin e saj unë e kisha në dorë, kjo më nxori nga situata. Jam i bindur që niveli i interpretimit të kësaj figure nuk është i arrirë, por unë sakrifikova për hir të ansamblit”, shkruante në kujtimet e tij Hyseni.
Ai ka ditur të përdorë shumë mirë këto cilësi duke na dhënë gjithnjë figura reale jetësore e plot humor për të përcaktuar kështu karakterin e roleve të tij. Ka shërbyer edhe si regjisor i estradës profesioniste për gati dy vjet dhe ka vënë me sukses disa numra të estradës.
Për punë të mirë në aktivitetet kulturore dhe artistike Hysen Biza është dekoruar me urdhrin “Naim Frashëri” të klasit të III-të, bashkë me figura të tjera të nderuara si Astrit Çerma, Shpëtim Shmili e Alfons Balliçi.
Teatri profesionist
Pasi punoi për rreth njëzet vjet në estradën profesioniste, Hyseni në vitin 1973 bëhet pjesë e teatrit profesionist të qytetit për të na dhënë figura akoma më të bukura në këtë gjini. Edhe këto nuk janë pak, por afërsisht dhjetë e mbi të gjitha vlejnë të përmenden: Plaku tek “Familja e madhe” e Sheri Mitës, Suloja tek “Hakmarrja e madhe” e Astrit Çermës, prefekti tek “Prefekti” i Besim Lëvonjës, Jonuzi (plaku Lab) tek “Vëllezërit” të Miliano Stefës, tregtarin Hasani tek “Shpagimi” i Ilir Bezhanit, magazinieri Xheti tek “Vera e vitit ‘78” e Bahri Myftarit, postieri tek “Në prag të jetës” e Fahri Balliut. Në tre dramat e fundit Hyseni ka luajtur duke qenë në pension. Le të ndalemi në disa nga këto role.
Në shumicën e rasteve aktorët e esdradës kalojnë me shumë vështirësi nga plani humoristik në atë dramatik. Ndërsa Hyseni, edhe pse kishte aq kohë që luante në estradë, e bëri këtë kalim shumë natyrshëm, karakteristikë e Hysenit kjo, sepse ai edhe në estradë nuk ka luajtur kurrë me grimasa. Edhe kjo lexohet qartë tek humori që bën ai në skenat e Admirit dhe Edlirës, humor që përfshin gjithë sallën dhe, nga ana tjetër, dramaciteti i tregimit të tij në skenën e jubileut të Uranisë.
Hyseni ishte i gjallë edhe i lirë në skenë, manovronte natyrshëm duke krijuar marëdhënie të drejta me partnerët, objektet dhe skenën në përgjithësi. Këto karakteristika binin në sy tek figura kryesore e krijuar prej tij në teatër (Prefekti), rol të cilin e ka punuar në mënyrë individuale.
“Kam pasur shumë vështirësi në krijimin e kësaj figure, – thotë Hyseni, – sepse doja të nxirrja një prefekt të ndryshëm nga të parët, të krijuara në skenat e tjera të teatrove. Dhe mendoj se e realizova atë që dëshirova, duke e nxjerrë një Qazim Mullet me veset e tij më negative në përshtatje me rrethanat dhe kushtet që ishte Shqipëria”.
Në diskutimet që u bënë për dramën “Vera e vitit 78” në takimin kombëtar, që të gjithë diskutantët e vlerësuan figurën e krijuar nga Hyseni, e ndërmjet të tjerave, artistja e merituar Margarita Xhepa tha se gjatë shfaqjes figura e Xhetit nuk m’u duk se interpretohej nga një aktor, por sikur kishte ardhur vetë magazinieri i kombinatit metalurgjik. Kaq e vërtetë ishte ky krijim.
Shpeshherë Hyseni në rolet që ka luajtur thoshte ta vishnin si të donin. Ndërsa në premierën e fundit, “Në prag të jetës”, në rolin e postierit e ndjente të domosdoshme çantën e postierit, gjë e vogël mund të thoshte dikush, bëhet edhe pa çantë, por Hyseni e shfrytëzoi bukur këtë objekt duke na dhënë postierin e gëzuar punëtor, i cili mezi pret të shpërdojë letrat dhe pasi e ka kryer këtë, të ndiejmë në sallë së bashku me postierin e Hysenitm kënaqësinë që sjell puna duke lëkundur çantën bosh.
Ajo që vlen të theksohet për mjeshtërinë e interpretimit të tij është se Hyseni kurrë nuk luante në skenë, nuk bënte sikur ai e merrte seriozisht çdo rol. Galeria e roleve të tij, edhe pse pensionist, do të pasurohet edhe më shumë me figura të tjera duke vazhduar të mbetet gjithnjë i freskët në skenë, edhe pse qysh në fillimet e tij të gjithë e thërrisnin me respekt “Dajë Ceni”. Rolet me të cilat është njohur në nivel kombëtar dhe është vlerësuar me diplomë është magazinieri Çeti tek “Vera e vitit 78” dhe më 1989-n me rolin e ministrit Maksut në pjesën “Shumë gjethe të thata atë vjeshtë”. Hysen Biza dërroi jetë në moshën 73-vjeçare në vitin 1994.