Mihal Kalia
“Eshtë aftësi e rrallë për të shkruar me gjuhën e njeriut të thjeshtë”/ Gerald F. Kreyche
Disa shkrime, në shtypin e përditshëm, të personaliteteve të fushave ku lëvrojnë mendimin e tyre për zhvillimet në shkencat përkatëse dhe për problemet e kësaj ecurie në kushtet e ndryshimeve sociopolitike në vendin tonë dhe që trajtojnë shkaqet e raportit të ri midis ndërgjegjes dhe realitetit, janë intriguese jo aq për jetërsimin e pikëpamjeve dhe përshtatjen e tyre me situatat e krijuara, sesa për mënyrën si transmetohen te lexuesi, për ta orientuar atë në këtë periudhë pa emër të ekzistencës së shtetit. Vërtetësia e fakteve ndikon në kthjellimin e vështrimit të situatave nëse gjuha e vesh mendimin dhe jo kur e mbulon (mbështjell) lakuriqësinë e tij, gjë që ndjell dykuptimësitë e pavend dhe të panevojshme, çorientuese, çorganizuese dhe deri mashtruese.
Shqipëria sot është si pas një stuhie marramendëse të fuqishme e shungulluese dhe në këtë zallamahi nuk po mund të orientohet e kthjellohet, sepse aq shumë janë familjarizuar me të shtetarët tanë, saqë nuk i bezdis shëmtia e pranisë së tyre, ngaqë në këtë ekzistencë rrjedh luksi i tyre i pafre, dukuri kjo për ta e natyrshme, e nevojshme dhe e domosdoshme. Kur ligjet e shtetit nuk zbatohen, sikurse ndodh në Shqipëri, është njësoj sikur të mos ekzistojnë dhe, në këto kushte, shteti kthehet “në një përbindësh, kafshë e pafrenueshme që gëlltit dhe shkatërron çdo gjë” (Fjalor i filozofisë). Dhe e nesërmja na përqesh me pasigurinë që na afron, pasiguri “që rrjedh nga forcat shoqërore që kemi krijuar vetë” (A.Giddens). Fatkeqësitë nuk janë shenjë e pasigurisë së kushteve të jetesës, por e sigurisë për të mbajtur nën kontroll këtë pasiguri, kur u duhet dhe aq sa u duhet forcave të caktuara shoqërore, të cilitdo lloj qofshin, ndaj ato mbërrijnë te ne me rrapëllimën e së shkuarës.
***
Në një kohë si kjo e sotmja, kur, siç thekson me të drejtë prof. F. Tarifa, “në pushtet janë njerëzit më të këqinj e më të papërshtatshëm”, që një e vërtetë e tillë të mos mbetet në kuadrin e një slogani, përdorur po me atë “shqetësim” edhe nga vetë këta të këqinj, përqasja me ta do të kërkonte vërtetësi e sinqeritet për të bërë diferencimin, pa shpërfillur nuhatjen e popullit në të kuptuarit si të demagogjisë, ashtu edhe të sinqeritetit e ndershmërisë. Autorë mediokër kritikojnë mediokritetin, krimineli dënon kriminelin, injoranti kritikon injorancën, miliarderi qan për fukarenjtë, horrat luftojnë për ndershmërinë, autokratët për demokracinë, servilët për dinjitetin, maskarenjtë dhe hipokritët për sinqeritetin, pushtetarët për mirëqenien e popullit dhe begatinë e vendit tonë. Lideri i PD-së, që pretendon të fitojë në zgjedhjet e ardhshme, deklaron në media, me një theks të veçantë të shpalosjes së dallimit të madh me kundërshtarët që aktualisht janë në pushtet, se: “Unë nuk premtoj, por angazhohem..”. Nga mënyra e ndërtimit të fjalisë, fjalët “premtoj” dhe “angazhohem” të krijojnë përshtypjen e kundërshtisë, qoftë në rrafshin gramatikor (me praninë e lidhëzës “por”), qoftë edhe për trazimin joshës të pritshmërive prej qeverisjes së tyre, ngarkuar emocionalisht me efektshmërinë e lartë të kundërshtisë. Në këtë kontekst fjalët “premtoj” dhe “angazhohem” do të duhej t’i përkisnin kategorisë së antonimeve, por nuk gjen asnjë tekst shkollor, nga fillorja deri në ato universitare e pasuniversitare që t’i kategorizojë këto fjalë si antonime (fjalë me kuptim të kundërt), por ato i gjen si sinonime (fjalë me kuptim të afërt ose të njëjtë). Pra, çfarë kërkon të thotë dhe çfarë thotë lideri i PD-së? Thotë atë që nuk kërkon ta thotë, thotë se do të veprojë po ashtu sikurse ata, të cilëve bën çmos t’u marrë pushtetin, thotë se është po aq i pabesueshëm sa ata që demaskon. “Padija dhe injoranca duket se janë bërë i vetmi aset për të fituar një pozitë të rëndësishme në politikë” (F. Tarifa). (Dy fjalët e nënvizuara nuk flasin për dije të thënësit në përdorimin e gjymtyrëve homogjene, sepse në këtë rast kemi të bëjmë me sinonimi të plotë, ndaj njëra prej këtyre fjalëve është e tepërt në këtë përdorim). Ndofta kjo është arsyeja që herë pas here, ashtu si deputetët injorantë, edhe ndonjë pedagog, profesor, apo akademik, që ndjehen të plotësuar me njohuritë dhe kulturën e tyre, me ambicie për pozitë politike, të demonstrojnë paksa injorancë, si në rastin e gabimit të autorësisë së vargjeve aq shumë të njohura “Ku është balta më e ëmbël se mjalta?”. Është fatkeqësi që të tjerë prof. dr. pranojnë dhe shpjegojnë prejardhjen e emrit “shqiptar” prej fjalës “skizmë” (përçarje), apo që bashkëpunëtorët me pushtuesit i vlerësojnë si figura të ndritura atdhetare, të tjerë që nuk kanë konceptin e luftës civile, që nuk dinë se çështë shkenca, që u mungon logjika e thjeshtë e qytetarit të zakonshëm në trajtimin e çështjeve, pa bërë fjalë për metodën e analizës së fakteve për të nxjerrë konkluzionet e duhura dhe bindëse, qoftë edhe në biseda të zakonshme për problemet e realitetit, meqë mendohet se e kanë bagazhin e njohurive, kapacitetet e të arsyetuarit e të përqasjes krahasimtare, qartësinë e mendimit dhe aftësinë komunikuese.
Profesor F. Tarifa thekson “Në shoqërinë e sotme globale dhe ndërvarësisht të kushtëzuar, shkencat sociale dhe artet liberale marrin një rëndësi të veçantë”. Artet e lira (liberale), “në filozofinë mesjetare skolastike gëzonin respekt si shkenca të vërteta deri nga fund i shek. XIII. Me përmbysjen e shoqërisë feudale, vendin e “arteve të lira” përfundimisht e zunë shkencat natyrore, shoqërore, matematike dhe shpirtërore” (“Fjalor i filozofisë”). Duke u përqëndruar në thënien e prof. Tarifës, kuptojmë që artet liberale janë në një proces anabioze (rigjallërimi), gjë që nuk do të përligjte homogjeninë me “shkencat shoqërore”, përderisa këto të fundit janë të përfshira në artet liberale. Pra, në të dy rrafshet, si në atë të bashkëkohësisë, ashtu edhe në atë të veçantisë emërtuese të këtyre shkencave, që na e dikton vetë thënia e mësipërme, mendimi vështirë të mbërrijë qartë te marrësi, për shkak të mënyrës së nyjëzimit logjik të shprehjes.
Në letrën drejtuar kryeministrit prof. Tarifa nënvizon me të drejtë se “Synimi i shkencave shoqërore është kuptimi dhe interpretimi i eksperiencave njerëzore (si i eksperiencave individuale, ashtu dhe i eksperiencave kolektive) përmes zbulimit e ruajtjes së trashëgimisë kulturore të së kaluarës dhe transmetimit të saj te shoqëritë e sotme dhe ato të ardhshme” dhe, nëse beson në ndjeshmërinë dhe bindjen në mirëkuptimin dhe reagimin e kryeministrit, do të mjaftonin faktet që ai të sëkëlldisej, pa ia prishur humorin, prirje kjo që përshquhet gjatë gjithe letrës. Lindin pyetjet: Cilat janë eksperiencat tona që duhen kuptuar dhe interpretuar? Si janë ruajtur dhe po ruhen vlerat e trashëgimisë kulturore te ne, si interpretohen ato sot, si do t’u transmetohen ato brezave? Për të mos mbetur teorik dhe për ta shfrytëzuar këtë teori në funksion të realitetit tonë, i cili është tepër i trazuar nga çështje të tilla, do të duhej që ato të prekeshin duke u mëshuar shkaqeve të gjendjes së tyre shqetësuese, të cilat qëndrojnë në përgjigjet e pyetjeve që lindin. Njerëzve, më tepër se ç’është varfëria (teoria – pyetja), u duhet të dinë pse janë të varfër e ç’duhet të ndryshojnë në marrëdhënie me njëri – tjetrin dhe me shtetin për përmirësimin e gjendjes social – ekonomike (realiteti – përgjigjja). Njerëzve u duhet të dinë: Pse po tentohet një përmbysje e gjithçkaje që i kemi konsideruar vlera (dhe që janë të tilla) dhe jemi krenuar me to?! Pse dukuri të tilla si analfabetizmi dhe gjakmarrja, etj. (atavizma të primitivitetit) po rishfaqen me një agresivitet “demokratik” të fuqishëm? Cila është arsyeja e lulëzimit të krimit në të gjitha strukturat e jetës sonë? Pse ka rënë roli dhe rëndësia e familjes? Përse po zbrazet vendi nga forcat më energjike e jetësore? Cilët janë heronjtë tanë? Po antiheronjtë? Komunizmi, sistem i dështuar?! A mund të jetë K. Marksi mendimtar gjenial me një kontribut të jashtëzakonshëm në shpjegimin e faktorëve që përcaktojnë zhvillimin e shoqërisë, kur një nga këto shpjegime është se “lufta e klasave çon doemos në diktaturën e proletariatit”? Pra, a është komunizmi aspirata e popujve?
Ç’bëjnë shkencëtarët, akademikët, profesorët, shtimi i të cilëve, “për çudi”, ka sjellë pakësimin e mendimit shkencor? Është pikërisht prania dhe zhvillimi i këtij mendimi që e detyrojnë qeverinë dhe kryeministrin e saj t’i kthejnë sytë nga shkenca. Është zëri i shkencëtarëve që e shkund atë nga limontia. Ai ka strehën e vet, të cilën përpiqet ta konsolidojë e, ndoshta letra është një sinjal për t’u strehuar në atë ngrehinë. Sociologu i shquar A. Giddens thekson se “Nuk mund të supozohet gjithnjë, se ata që janë në pushtet, në politikën që ndjekin i kanë parasysh interesat e atyre që janë të pafuqishëm ose pa privilegje. Grupet me ngritje kulturore për veten mund t’iu përgjigjen në mënyre efikase politikave të ndjekura nga zyrtarët shtetërorë ose autoritetet e tjera, si dhe mund të formojnë nisma politike të tyre”.
Pyetjet janë të shumta. Ato gëlojnë te njerëzit e thjeshtë, që janë edhe bërthama e shoqërisë (e megjithatë gjithmonë edhe më e vuajtura), sepse përballen me këtë realitet. Pohimi se vlera e shkencave shoqërore qëndron “jo aq në përgjigjet që ato u japin çështjeve të ndryshme të organizimit të jetës shoqërore, sesa në faktin që këto disiplina i shtrojnë këto çështje dhe e mbajnë gjallë vëmendjen dhe interesimin e publikut për to” (F.T), vënë kjo përballë thënies së A. Gidens, njërit prej personaliteteve më të respektuara për Tarifën, se: “Sociologjia nuk ka të bëjë vetëm me grumbullimin e fakteve, sado të rëndësishme dhe interesante të jenë ato. Ne duam të dimë edhe pse ndodhin gjërat……., duke gjetur shkaqet e asaj që është në qendër të vëmendjes”, nuk është paradoks, por thjesht kundërti, që, pa dyshim, nuk përbën qëllimin e autorit, por që në këtë kuptim përcillet te lexuesi. Prof. Tarifa nënvizon epërsinë e pyetjeve ndaj përgjigjeve në shkencat shoqërore, ashtu sikurse dhe epërsinë e vlerave të shtrimit të çështjeve (fakteve) ndaj shkaqeve të tyre, ndërkohë që Giddens i mëshon gjetjes së përgjigjeve për probleme të veçanta në jetën shoqërore.
Sociologjia u shërben qytetarëve të kuptojnë këtë botë dhe jo që, “në emër të këtij qëllimi” t’ua ngatërrojmë e t’u vështirësojmë të kuptuarit e zhvillimit njerëzor e të marrëdhënieve mes njerëzve. Janë faktet ato që të bëjnë bindës në konkluzionet. Që “në Shqipërinë komuniste sociologjia konsiderohej pseudoshkencë, ose më saktë shkencë borgjeze” (F.Tarifa), kur dhe kush e ka thënë?. Dhe bëhet fjalë për sociologjinë ku punohet me fakte, të cilat duhen interpretuar saktë për t’u bërë të kuptueshme. Por, kur nuk ka fakte, çfarë interpretimi mund të bëhet, çfarë vlere dhe vërtetësie kanë “përgjithësimet”, veç asaj që mbeten fjalë në erë? Po pse duhet thënë “Në monizëm krijimtarinë letrare të Migjenit përpiqeshin ta fusnin në skemën kryesore të realizmit socialist”(A. Uçi)? Në asnjë tekst shkollor apo botim akademik të asaj kohe Migjeni nuk është përfshirë si shkrimtar i realizmit socialist; atëhere …?! Po flitet shumë për vlerat dhe patriotizmin e F. Konicës dhe, për të qenë bindës, kësaj here japin fakte për portretin e tij prej aristokrati (tipar ky “i rëndësishëm” i atdhetarisë së tij), për shijet, preferencat, veshjen, ushqimin: “Atij i pëlqen të hajë pas bukës drethëza të goditura me ajkë dhe të vëna në pjatë me kulaç të grynjë. Për sa u përket të pirave dhe mezeve, ai nuk mund të quhet njohës i vogël. Ay do më shumë verat që quhen Sherry”. Kështu e shikon Konicën një gazetar amerikan më 1934, por si e shikon Konica Shqipërinë dhe shqiptarët e varfër? Dhe s’ka se si të mos i evidentohen sot Konicës këto “vlera” të mohuara arbitrarisht nga regjimi komunist. Çfarë pështjellimi! Si është e mundur që revista “Albania” të jetë tribuna kryesore e mendimit politik shqiptar, përderisa Shqipëria e realizoi ëndrrën e saj për liri e pavarësi nën dritën e ideve, mendimit e veprimit të atyre mendimtarëve e luftëtarëve, të cilët Konica i përçmon, i përbuz, i denigron, i lufton deri në armiqësi?! Si është e mundur ta quash Konicën “patriot i ri”, i cili vjen në lëvizjen kombëtare me platformën që “me turkun, tani për tani, të ndiqet taktika e heshtjes”, në një kohë kur kjo lëvizje po shkonte drejt finalizimit të çështjes kombëtare?! Kjo do të thotë që Konica nuk e njihte realitetin shqiptar, ose nuk pranonte dhe ishte kundër platformës së Rilindjes për pavarësinë e vendit, kundër platformës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në kuadrin e zbatimit të detyrave të së cilës rol të rëndësishëm luajti Shoqëria e Stambollit, drejtuar nga Sami Frashëri, për të cilën Konica thotë se: “Si shqiptari i Stambollit s’ka më të lig.. Mua më vjen për të vjellur nga tërë hipokritët…..shqiptari i Stambollit është më i lig se gjarpri dhe miu”.
***
Në shkrimin e vet prof. N. Jorgaqi, nuk mund të jetë përkrahës i mendimeve të tilla, por i konsideron ato shfrime të moshës së re dhe të natyrës së tij skeptike, duke e përmbyllur kështu mendimin lidhur me parashtrimin e ideve të Konicës, ndërkohë që në vazhdim të të njëjtit shkrim, thekson: “Duket sikur këto mendime vijnë nga mosha e re, por në fakt këto nuk janë të rastit, por përbëjnë fillimin e një qëndrimi ngaherë skeptik e mohues”. Cilin mendim duhet të marrim në konsideratë, atë të parin, i cili justifikon, apo të dytin, i cili qorton?! Nëse mendimi i parë qëndron, do të thotë që në një moshë të mëvonshme ato ide nuk nuk janë më pjesë e formimit të Konicës, pra do të ishte pa kuptim mendimi i dytë. Por, meqë shpreh një të vërtetë, ai nuk mund të anashkalohet. Atëhere, pse duhej theksuar mendimi i parë? Sigurisht, për të kapërcyer më lehtë të dytin, mendimin se Konica “qëndrimin skeptik e mohues do ta ketë jo vetëm ndaj individëve, por ç’është më e keqja edhe ndaj problemeve themelore të lëvizjes kombëtare që do ta shoqërojnë tërë jetën”. Në mund të quhet një qëndrim i tillë, qëndrim prej patrioti, atëhere i tillë është Konica dhe jo ata që i dhanë nder, lavdi, liri, pavarësi vendit dhe popullit shqiptar. Në këtë rast pakuptimësia qëndron tek artikullshkruesi dhe jo te Konica, i cili i ka shfaqur hapur pikëpamjet e veta në letrën programatike, e cila na shfaqet si kontribut në lëvizjen kombëtare shqiptare. Konica është konstant në linjën e vet, ndaj është më e lehtë të gjesh “arsyet konkrete të kësaj sjelljeje kaq poshtëruese dhe zhvlerësuese” (N.J), sesa të zbulosh pas “pakënaqësive dhe kritikave të rrepta të tij”(N.J.) mendimet racionale dhe objektive. Nuk është fjala për ta trajtuar problemin bardhë e zi, por gjuhën nuk mund ta përdorësh si furçë për të zbardhur të zezën, sepse njëherësh nxin të bardhën. Nuk ka mbetur gjë tjetër në tenxheren e Konicës dhe kjo është arsyeja që, sado që ta kruash e gërryesh, luga nuk mbushet me gatesë, por me lëtyrë, si përpjekje fatkeqe kjo për t’i dhënë dritësinë e patriotizmit, gjë që s’e ka pasur as në kohën e vet. Dritëhijet e Konicës, për të cilat bën fjalë N. Jorgaqi në shkrimet e tij, në të vërtetë janë njolla të errëta, ndaj na duket kurajë e tepruar që të zbulosh sadopak patriotizëm në qëndrime të tilla, si ai për Luigj Gurakuqin : “Njeri pa patriotizëm dhe pa ndërgjegje, armik i bashkimit kombëtar, intrigan, prapanik dhe i errët…”. Ja çfarë nxjerr tenxherja e Konicës e “revolucionarit të vjetër”(N.J), errësira e të cilit kërkon të sterrojë dritën e diellit.
Zbukurimi i thënies nuk e fsheh dot mendimin. Përdorimi me këtë qëllim i gjuhës synon rezervimin e një varianti tjetër të mendimit, që thënësi nuk parapëlqen ta transmetojë drejtpërsëdrejti, jo për efekte stilistike, por për t’i lënë shtigje hapur interpretimit sipas shijeve mbizotëruese në faza kohore të ndryshme të zhvillimeve në shoqëri. Prof. Tarifa thekson: “Teoria marksiste është kontribut i çmuar në shpjegimin e jetës së shoqërisë dhe të dukurisë së saj”, ndërkohë që citon edhe prof. Blaun që thotë se: “Nëse mund të flitet për një paradigmë të re në shpjegimin e shoqërisë, e tillë mund të konsiderohet paradigma që krijoi K. Marksi”. Cila ishte paradigma e re? Socializmi dhe komunizmi! Komunizmi është kuintesenca e teorisë marksiste. Në shprehjen e F. Tarifës : “Duke qenë të fundit që hoqëm qafe zgjedhën e komunizmit….”, nuk besoj se ka njeri që të mos vëre re ngarkesën negative të fjalës “komunizëm” dhe distancimin nga sistemi shoqëror që ajo fjalë shënon. Kjo do të thotë që teorinë marksiste ta vecosh prej komunizmit, sikur të mos kenë të bëjnë fare me njëra tjetrën, përderisa njëra konsiderohet kontribut në shoqëri dhe tjetra fatkeqësi. Kjo ndarje, ndofta e bën teorinë marksiste të pranishme dhe të pranueshme krahas teorive të tjera, nëpërmjet artificës, “zbulimit” të faktit që “përvec teorisë marksiste, ka pasur edhe mendimtarë dhe teori të tjera të cilat kanë dhënë dhe japin një kontribut të çmuar në shpjegimin e jetës dhe dukurive të saj” (F.T). Po pse, nga qielli ra teoria marksiste?! Nuk është nevoja për studime sociologjike të avancuara për të arritur në konkluzionin e mësipërm, sepse do të mjaftonte çdo tekst mësimor, jo vetëm i shkollave të larta, por edhe të mesme, jo vetëm dje, por edhe sot, që, kur është fjala për marksizmin, theksojnë faktin që është vazhdues i tri arritjeve të mëdha: filozofisë klasike gjermane, socializmit utopik (në veçanti atij francez) dhe ekonomisë politike angleze. K. Marks ka thënë se “e kam pranuar publikisht se kam qenë nxënës i Hegelit, i këtij mësuesi të madh”. Nëse politika turbullon, sociologjia shpjegon, sqaron politikën dhe zhvillimin shoqëror, rolin dhe domosdoshmërinë e qytetarëve në këtë zhvillim. Sido që të jetë, nga “loja” e mësipërme e fjalëve mbetet të kuptojmë se marksizmi është progres dhe jo regres dhe, nëse bëhet fjalë për natyrshmërinë e ndryshimit të pikëpamjeve, kjo ka të bëjë me evoluimin e atyre ekzistuese, gjë që nuk presupozon tjetërsim, por përmirësim dhe, nëse bëhet fjalë për ndryshim të pikëpamjeve deri në mohimin e tyre, siç po tentohet në zhvillimin e ngjarjeve në vendin tonë, atëhere marksizmi mbetet të jetë regres. Sqaroni llojin e ndryshimit të pikëpamjeve! Kur kemi të bëjmë me thelbin e sistemit, hermafroditizmi politik është batakçillëk dhe hipokrizi. Kujt i druhet sot politika, marksizmit (komunizmit) apo kursit të ndjekur nga vendet e Lindjes dhe a justifikohet me qëndrimin ndaj këtij kursi mohimi i vlerave të marksizmit dhe, aq më tepër, pohimi i kontributit të jashtëzakonshëm të marksizmit në zhvillimin e shoqërisë në kushtet aktuale të një lufte të ashpër kundër komunizmit që tashmë është shpallur si një sistem i dështuar? Apo funksionon parimi: “Të dua, pra të luftoj! “?
Nëse themi për K. Marksin se “është mësuesi ynë i madh”, ajo çka mbetet të kuptojmë është që nuk ka dështuar komunizmi, por praktika e ndërtimit të këtij sistemi. Por, po të ishte kështu, nuk do të sulmohej komunizmi, nuk do të sulmohej rruga për sistemin e gabuar, por rruga e gabuar për ndërtimin e këtij sistemi. Gjithashtu, nuk do të bëhej pyetja “Ç’u bënë marksistët shqiptarë?”, për ata që A. Michnik i quan “dhelpra që ndërrojnë lëkurën sipas rrethanave”, sepse nuk do të kishte arsye që ata të zhdukeshin, sikurse edhe për “risocializim në shkencën sociale dhe në mënyrën e të kuptuarit të shoqërisë” te disa të tjerë, që, për t’i shpëtuar etiketimit të Michnik-ut, kërkojnë t’i përshtaten ndryshimit të sistemit, duke iu përqasur atij me Marksin kapur për dore. Cila dhelpër është më tepër dhelpër?! Nëse thënia “Në qoftë se do tentohet të zbatohen në vende të prapambetura si Rusia, India, Kina, këto ide (të “Kapitalit”) do të jenë fatkeqe”, nuk shpjegohet dhe sqarohet për lexuesit, atëhere ku qëndron gjenialiteti i ideve të Marksit , vizioni i tij për të ardhmen, derisa ai vetë nuk ishte në gjendje të parashikonte se idetë që vetë projektoi do të ishin fatlume edhe në vende të tilla si Rusia dhe Kina, sikurse e tregoi koha, vende këto që nuk e ndalën zhvillimin dhe që aktualisht, kur përdoren si fakt i përjashtimit nga përfshirja në idetë fatlume të revolucionit, të dyja këto vende janë superfuqi botërore. Ishin idetë e marksizmit, të zbatuara në Rusi me Revolucionin Socialist të Tetorit, ato”që shënuan një ngjarje epokale që tronditi botën dhe shënoi një nga kthesat më të mëdha të shoqërisë njerëzore” (N. Jorgaqi), ishin ato ide që, për dekada të tëra, përshpejtuan zhvillimin e gjithanshëm të vendit, i cili arriti të bëhet shpresa e shpëtimit të botës nga tërbimi nazifashist gjatë Luftës së Dytë Botërore, që u mëkëmb si shtet modern dhe i fuqishëm pas kësaj lufte, ide që u kthyen nga fatlume në fatkeqe pikërisht kur nuk duhej të ndodhte një kthesë e tillë (sipas zbulimit të N. J), kur Bashkimi Sovjetik nuk ishte një shtet i prapambetur, por një superfuqi botërore. Nëpërmjet një gjykimi amfibolik, studiues e profesorë të ndryshëm, me këtë metodë studimi nuk evidentojnë bindshëm gjenialitetin e Marksit, sepse siç theksuam, me mënyrën si e trajtojnë, vetëm se e zvogëlojnë madhështinë e tij. Sikurse edhe për Revolucionin e Tetorit, nga njëra anë theksohet se “me të gjetën shprehje si asnjëherë idealet liridashëse të popujve për një shoqëri të drejtë e të barabartë”(N. J), gjë që është plotësisht e përputhshme me idetë e Marksit, nga ana tjetër theksohet se : “pavarësisht nga disa arritje historike, fati i socializmit, po të zbatohej sipas Marksit, do të kishte qenë krejt ndryshe”.
Duke pasur parasysh thënien që shpreh kundërshtinë e Leninit ndaj Marksit, se “Për Marksin ky revolucion do të triumfonte në vendet e zhvilluara, kurse për Leninin do të niste nga hallka më e dobët e sistemit kapitalist…” (N. J), nuk na jepet mundësia ta konstatojmë kundërshtinë, e cila mund të qëndrojë për mendimin që ka secili për vendet ku mund të triumfojë revolucioni, apo për vendet ku mund të nisë revolucioni. A e kundërshton Lenini idenë se revolucioni mund të triumfojë në vendet e zhvilluara? Sigurisht që jo! A është Marksi kundër idesë se Revolucioni mund të nisë edhe në vende jo të zhvilluara, pavarësisht nëse do të fitojë? Sigurisht që jo! Qoftë të triumfojë, qoftë të mos triumfojë, revolucioni e ka një nisje, sepse as nuk mund të fitojë dhe as nuk mund të dështojë pa nisur. Pra, nisja nuk mund të krijojë kundërshti me triumfin, por me mosnisjen, sikurse triumfi me dështimin.
(Vijon)

Poshte Partia Sllavo-Komuniste me muzhikë shqipfoles.