Prof. Emil Lafe
100 vjet më parë, më 12 prill 1922, u nda nga jeta në Egjipt atdhetari, vjershëtori dhe mbledhësi i shquar i folklorit Spiro Risto Dine. Kishte lindur në fshatin e njohur malor Vithkuq të qarkut të Korçës më 1844. Dashuria e hershme e vithkuqarëve për gjuhën shqipe rrëfehet në novelën e njohur dhe aq prekëse “Varri i Pagëzimit” të Mihal Gramenos. Dhe si dëshmi e kësaj Varri i Pagëzimit, i rrahur nga rrebeshet e moteve, qëndron edhe sot në varrezën pranë kishës së Shën Mëhillit dhe tërheq vëmendjen e vizitorëve me të fshehtat e tragjedisë që mban brenda.
Vithkuqarët prej kohësh, duke punuar si karvanxhinj, rrahën rrugët e Rumelisë e më tej dhe hapën sytë e njohën botën. Dashurua për dije, dëshira për shkollim dhe atdhetaria hodhën rrënjë në këtë fshat. Jani Evstrati, i njohur edhe si Jani Evstrat Vithkuqari (vdekur 1822), kishte studiuar në Akademinë e Re të Voskopojës dhe në Janinë. Njihte mirë greqishten dhe shqipen. Ka qenë mësues në Artë, Voskopojë, Përmet, Janinë e Gjirokastër. Njihet si bashkautor (me William Martin Leake) i një fjalori greqisht-anglisht-shqip me 2000 fjalë. Naum Panajot Bredhi (Veqilharxhi, 1797–1854) nga lagjja Bredh (sot e rrënuar) e Vithkuqit i dha gjuhës shqipe abetaren e parë (në dy botime: 1844, 1845), e cila u prit me entuziazëm dhe ndezi flakën e dashurisë për të shkruar gjuhën shqipe sidomos në trevat e Shqipërisë Juglindore. Me këtë abetare, më 1854 Spiro Dinia mësoi të shkruajë shqip në shkollën e fshatit Trebickë dhe, siç dëshmon vetë: “u mbusha me gëzim dhe që aty pra m’u rrënjos dashuria e gjuhësë”. Ishte fëmijë dhjetë vjeç atëherë.
Më 1866, njëzet e dy vjeç djalë, shkoi në Egjipt. Atje me nxitjen e Thimi Mitkos iu vu punës për mbledhjes e lëndës folklorike. Në shekullin XIX mbledhja edhe studimi i folklorit ishte bërë një veprimtari mjaft tërheqëse dhe e vlerësuar në fushën e shkencave shoqërore. Filologët e asaj kohe, – siç shkruan vetë S. Dinia, – thoshin se “në këngët dhe në përrallat e vjetëra të një populli, ruhen zakonet, gjuha dhe historija e vet. Kështu pra, këngët tona janë shumë të nevojshime e të vjejtura për kombin tonë, se ndër këto shikonjëm të ngjarat e çdo kohe që ka shkuar si valët e detitdhe prej këtyreve munt të dalë një istori e plotë.”
Mbledhja e folklorit iu bë pasion i përhershëm i jetës për S.Dinen dhe më në fund dha frytin e vet. Më 1908 ai botoi në Sofje librin “Valët e detit” me alfabetin e Shoqërisë së Stambollit. Pjesa folklorike e librit (f. 187–856) përbëhet nga: Vjersha popullore trimërishte, Vjersha gegënishte, Vajtime, Këngë dashurie, Zakone dhe këngë dasme, këngë për valle, Përqeshje, Këngë bujku, Lodrat e vatrësë, Lodra, Alegorika, Fjalë të urta, të vyera, të lashta e të thëna, Ç’është një gjë e gjëzë, Emëra sindëkur i kanë përdorur prindët tanë që moti prej meshkuj e femra, Përralla, besime, mitologji. Nga gjithë kjo punë e gjerë dhe me kritere metodike kuptohet se Spiro Dinia ishte njeri me kulturë, gjë që shihet edhe nga Parathënia e shkruar bukur, me brumë dhe me ndjenjë.. Nuk e dimë nëse ka ndjekur ndonjë shkollë kur vajti në Egjipt apo vetëm punoi si autodidakt për të zgjeruar kulturën dhe njohjen e gjuhëve. Në një vjershë që i ka kushtuar albanologut J. G. von Hahn, shkruan se i venin lotët si breshër duke lexuar librin e atij dijetari, pra do të ketë ditur edhe gjermanisht.
Nga 856 faqet që ka libri “Valët e detit” (libri më i madh shqip i botuar deri atëherë), 186 faqe janë një përmbledhje vjershash të vetë Spiro Dines dhe të disa autorëve të tjerë bashkëkohës, si Koto Hoxhi, Thimi Krej, Loni Logori, Kristo Floqi, Eftim Brandi, Jani Vreto, L. G. Naçi dhe një përkthim i K. Kristoforidhit. Janë përgjithësisht vjersha të thjeshta, pa ndonjë vlerë të spikatur letrare. Vetë S. Dinia rrëfehet se dëshira për të shkruar vjersha iu ngjall pasi lexoi “Istorinë e Skënderbeut” të Naim Frashërit, që e mahniti dhe e preku thellë në shpirt. “Që atëherë pra m’u mbush shpirti me mallëngjim dhe zura t’i shkruanj hidhërimet e zëmrës jo si vjershëtor, se nga vjershëtorët jam lark sa qielli me dhënë …” Duhet pasur parasysh se vjershërimi në kohën e Rilindjes ishte një mënyrë mjaft e përhapur për të shprehur ndjenjat e mendimet, duke u dhënë një formë artistike për të ndikuar më shumë te lexuesi. Tematika e vjershave të S. Dinës dhe të tjerëve është kryesisht dashuria për atdheun e për gjuhën shqipe, brenga për gjendjen e mjeruar të Shqipërisë, nderimi e vlerësimi i atyre që kanë punuar e punojnë për atdheun e vet, dënimi i ashpër për ata që bëhen vegla të propagandave dhe politikave të huaja armiqësore, harmonia ndërmjet shqiptarëve të besimeve të ndryshme: Gjithë Shqipëtarë jemi, /Sido s’jemi më një besë,/ Po një atë e mëmë kemi,/ Për mirësi të mëmëdhesë”
Lënda folklorike e librit “Valët e detit” është ribotuar më 1962 me alfabetin e sotshëm te vëllimi i tretë i serisë “Mbledhës të hershëm të folklorit shqiptar” nga Instituti i atëhershëm i Folklorit. Vjersha të ndryshme dhe materiale të tjera janë ribotuar në tekste shkollore, në antologji e përmbledhje të tjera folklorike. Përkujtimi i këtij njeriu që i rrahu zemra gjithë jetën për lirinë e mbrothësinë e Shqipërisë le të jetë edhe një shtysë për një botim të ri e të përkujdesur mirë të ”Valëve të detit”. Në këtë vepër gjen shprehje shpirti i popullit. Folklori ose letërsia gojore nuk duhet vështruar vetëm si një lëndë për studiuesit e folkloristikës e të filologëve në përgjithësi. Kjo letërsi përmban vlera edukative, njohëse edhe estetike. Krijimtaria letrare e popullit ka qenë gjithnjë burim frymëzimi për letërsinë shqipe. Është e nevojshme që brezat e rinj të edukohen me ndjenjë vlerësimi e dashurie për këtë krijimtari që në bankat e shkollës. Prandaj librat me lëndë folklorike duhet të zënë më shumë vend në botimet tona.
***
Tematika e vjershave të S. Dinës dhe të tjerëve është kryesisht dashuria për atdheun e për gjuhën shqipe, brenga për gjendjen e mjeruar të Shqipërisë, nderimi e vlerësimi i atyre që kanë punuar e punojnë për atdheun e vet, dënimi i ashpër për ata që bëhen vegla të propagandave dhe politikave të huaja armiqësore, harmonia ndërmjet shqiptarëve të besimeve të ndryshme: Gjithë Shqipëtarë jemi, /Sido s’jemi më një besë,/ Po një atë e mëmë kemi,/ Për mirësi të mëmëdhesë”
Kjo del qartë edhe nga titujt e vjershave: Gjuha ku ruhet? Atje ku shkruhet; Të rënët e Shqipërisë dhe xgjedh’ e saj; Mikut të Shqipërisë z. Han (Dr. Johann Georg von Hahn); Për Kristoforidh Elbasanasin; Katër burra mëmëdhetarë (K. Kristoforidhi, Th. Mitko, Dh. Kamarda, P. Kuitori); Të llomatiturat e grekërisë; Shqipëtarët farmakosur prej kishësë madhe (Patrikanës); Na gënjejnë e nuk kupëtonjëm; Si mjer’ ay që dërgon të birë të mësonjë në Athinë; Të penguarit e gjuhësë tonë; Këng’ e zonj Elenë Gjikësë, princesë shqipëtarkë (Dora d’ Istria); Të ftuarit e zonj Elenë Gjikësë prej Shqipëtarëvet; Malli i zonjë Elenë Gjikës për Shqipërinë; Këngë për zonjën Elenë Gjikë, pringjipeshë Shqipëtarkë; Të dremiturit e Shqipëtarëvet; Dituri e zonj’ Elenë Gjikës në mes të gjitha mbretërive në Paris, 1 maj 1866; I lëni flet me të marrën; Të ndarët e shqipëtarëvet më tri pjesë: muhamedanë, orthodhoksë dhe katolikë; Të panjohurit e të paditurit tim që ç’do me thënë patridhë; Të përmendurit e Shqipëtarëvet; Mpsherëtimi dhe të qarët e Shqipërisë për fatin edhe zgjedhën e saj; Të llomatiturit e Grekërvet mbi gjuhënë tënë; Zgjedh’ e Shqipëtarëvet; Të mjerët turq Shqipëtarë, që s’njohin gjindjen e vetë;
Shqipëtari që s’njeh se ç’është; Të përndarët e Shqipëtarëvet; Nëmë kundrë t’im vëllaj; Psherëtimet e mia; Shqipëtarët të rinë zgjuar; Gjer kur Shqipëtari do të flerë; Dridhtim për Mëmëdhenë; Të përpjekurit e Shqipëtarëvet; Trimërit’ e tri nisivet Idhrës, Specës dhe Psarasë; E drejta me të shtrëmbërnë; Petro Mili Korçari kundrë gjuhësë shqipe; Të mjerit ata që kuvendojnë keq për patridhën e vet; Të mërziturit e mynafikut; Shqipëtari për gjuhën e vet; Shqipërisë (Th.K.); Për Mëmëdhenë (Th. Nuni); Bekim mbi Shqipëtarët; Trimërit’ e Shqipëtarëvet vanë të gjitha kottë; Kurbeti (L. Logori); Vret vëllaj të vëllanë (Th. Krej); Mejtimi (L. Logori); Shqipëria (Th. Krej); Lekë Madhi; Ylli i Shqipërisë (L. Logori); Dora d’Istria; Të lënët e të marrët; Për Shqipëtarëtë (vjershë e Eftim Brandit, e përkthyer shqip nga S. Dine); Vjersha (K. Hoxhi); Lutje; Zoti (K. Hoxhi); Vjersha (K. Hoxhi); Të mbyturit e mëmës dhe të birt (prej N.N.); Gjuha shqip (Kr. F.); Skënder beu me papa Vangjelë (J. Vretua): Një shpirti (Th. K.); Një letre (Th. K.); Një urim te miku (K. F.); Humbur ndënë dhe e gjeti; Ka njeri, ka edhe kafshë (Shqipëtari); Prej një letre; E padija (Prej J. Vruhos); Vjershë (K. Hoxhi); Njeriu (K. Hoxhi); Ylli lart ndë qiell (K. Kristoforidhi); Vëllaj për vëllanë (L. G. Naçi); Shqipëtar i vëretë; Urim i Shqipëtarëvet; Zëri im; Gjuha ku ruhet? Atje ku shkruhet; Vazhdon nga vjershat e K. Hoxhit.
Jeta
Spiro Dine lindi në Vithkuq të Korçës i biri i Risto Dines, ku sipas një pohimi të tij, nxuri rreth alfabetit të Veqilharxhit. Dinia që fëmijë kishte mësuar alfabetin e Veqilharxhit nga mësuesi i tij i shkollës Than Xheka në fshatin Treskë.
Dinia emigroi në Egjipt më 1866, në moshën njëzet vjeç, rreth një vit pas Thimi Mitkos, të cilin e takoi atje e me të cilin pas pak kohe do të bashkëpunonte për përmbledhjen e Mitkos me këngë dhe përralla popullore shqiptare. Ai ishte edhe anëtar themelues i seksionit të Shoqërisë së të shtypuri shkronja shqip në Egjipt më 1881[1].
Ndërkohë që ishte në Shibîn el Kôm, Spiro Dinia pati letërkëmbim me Jeronim De Radën dhe u frymëzua nga veprimtaria e vëllezërve Frashëri. Më vonë në jetë do të entusiazmohej sidomos nga botimi i poemës epike të Naim Frashërit Istori’ e Skënderbeut, e cila ishte vepra poetike më e dashur për të.
Ndërroi jetë në Egjipt, më 12 prill 1922.
Vepra
Libri për të cilin përmendet Spiro Dinia, madje i vetmi botim i rëndësishëm i tij, është një përmbledhje monumentale 856 faqesh me folklor e letërsi shqiptare, i titulluar “Valët e detit”, Sofje 1908. Këtë titull Dinia e zgjodhi për të simbolizuar rrugën e mundimshme të historisë së Shqipërisë si dhe dallgët e njëpasnjëshme të pushtimeve që kishin pllakosur atdheun e tij. Valët e detit është e ndarë në dy pjesë. Në 412 faqet e para kemi poezi atdhetare të vetë Dines, asnjë nga të cilat nuk është tërheqëse për lexuesin e sotëm, si dhe poezi të shkrimtarëve të tjerë e të udhëheqësve kombëtarë të periudhës së Rilindjes: Koto Hoxhi, Thimi Thoma Kreji, Kostandin Kristoforidhi, Anastas Kullurioti, Loni Logori dhe Jani Vreto. Ndonjë vjershë atdhetare, ndonëse disi e fryrë e në traditën e Rilindjes, iu kushtohet albanologëve të shquar si Johan Georg fon Han, Dora d’Istria dhe Kostandin Kristoforidhi. Pjesa e dytë e veprës i kushtohet letërsisë folklorike; ndër to gjejmë këngë dashurie, këngë dasme, vaje, vargje humoristike e satirike, ndonjë vjershë fetare e didaktike, përralla dhe mitologji. Në kohën e botimit Valët e detit ishte libri më i madh në faqe se çdo libër tjetër shqip i botuar deri atëherë.
Fatmir Terziu: Spiro Dine mbledhës i qellshin i folklorit shqiptar
Spiro Dine është ndër të paktët krijues shqiptarë që përdori penën, lapsin dhe bllokun e shënimeve të tij për të grumbulluar traditën folklorike shqiptare dhe për ta lënë atë si një shportë poetike për brezat. “Valët e detit”(1908) është një dëshmi për këtë. Por mjafton vetëm vjersha “Mendiake” të zbulohet kjo dhe të analizohet paksa ndryshe krijimtaria e Dines. Vjersha “Mendiake” është e shkëputur nga “Valët e detit” dhe ka qenë e ribotuar tek Kalendari i Botës në vitin 1939, në faqen 70-të. Kjo vjershë e botuar në këtë kalendar të shtypur në shtypshkronjën e gazetës “Bota”, 402 Massachusetts Avenue, Boston, Mass edhe pse duket se është një simbolikë e punës folklor-mbledhëse të Dines, ka vlera të tjera të pazbuluara më parë. Është një poezi që dominohet nga një vargëzim tipik i kohës kur ajo u botua në Sofje. Por ajo që vetë Dine shpjegon çon paksa dritë në këtë tematikë që duam të trajtojmë. Në parathënien e veprës së tij “Valët e Detit”, të botuar në Sofje-Bullgari më 1908, folkloristi Spiro Dine shpjegon mënyrën se si mblidhte folklorin nga shqiptarët: “… kudo që gjenja shqiptar do t’i ngarkohesha dhe do t’i lutesha të më thosh sa që dinte. Por eshe për fat të mirë atë kohë, ndodheshin dhe shqiptarë shumë n’Egjypt, nga do të shkonje do të piqnje shqiptarë. Karakollët e Kairos qenë plotë gegë e toskë. Këngët e vallet nukë rreshtnin”. E njëta situatë sa më sipër gjendet edhe tek copa letrare “Kënga”, e shkruar nga Lumo Skëndo në Stamboll më 20.10.1910: “… Meçi, me gjithë të dyzetat e shkuara dhe të pesëdhjetat e afëruara, po mirrte këngën: të tjerët me radhë si cilido pas zërit që kish, po e priste , dhe kështu këng’ e Labërisë po gumëzhinte në këtë dyqan të vogël në mes të të madhit Stamboll”.
Vjersha në fjalë e Dines është një kompleks proverbial në plan të parë. Por në aspektin strukturor ajo është një poezi model e pas viteve 1900, kur folklori ishte një realitet ushqyes për tematikën poetike. Nga ana tjetër kemi një mrekulli grupfjalësh që prodhojnë alegori, filozofi dhe përcjellin kuptimin shpotitës tek lexuesi në mënyra të dukshme e të padukshme. Në kuptimin kompleks të saj fjala e vjershës së Dines është një element më vete. Themi se është një element më vete, pasi në çdo detaj ajo plotëson një shumëkuptimësi të larmishme, që e bën atë të lexohet këndshëm në shumë kultura. Kjo ka bërë që ajo edhe sot të ketë një dimension logjik dhe tepër transparent. Po pse themi se Vjersha Mendiake e Dines ka veçori të pazbuluara më parë?…
Bazuar në folklorin shqiptar poezia e Dines lexohet ndryshe në fakt nga ajo që kjo poezi strukturon për të ndërtuar një poezi mesazh-dhënëse. Më tutje në insinuata alegorike ajo ngjan me alegorinë e zonës së Luznisë në Dibër, ku fjala shpreh kuptimin e shprehur në lidhje me situatën apo veprimin që dhe ku referohet ajo. Këtu karakteret sillen si një figurë alegorike që nën veshjen metaforike dhe epitetet e shumta shihet edhe leximi i tyre nga njërëz të ‘kualifikuar’ për t’i lexuar ata në fakt. Themi kështu pasi që në fillim nënkuptimi figurativ i ‘lisit’ është një ndërlidhje filozofike më vete, po aq edhe një shpoti ‘dritëhije’ (chioroscouro) që forcon tempin proverbial. Sipas W. Eberhard dhe Pertev N. Boratov në “Revistën e Folklorit Amerikan”, Vëllimi 58, numër 229 (Korrik-Shtator 1945 faqet 252-254 kjo fortësi e tempit proverbial është një lidhje që vjen nga tradita e poezisë në vitet 1908 dhe para tij. Sipas këtyre studiuesve e gjithë krijimtaria poetike që fillonte nga Turqia e që përfshinte gjithë Lindjen dhe mesin e Europës frymëzohej dhe ushqehej nga folklori dhe krijimtaria folklorike. Në fakt ata në kritikën dhe kërkimin e tyre zbuluan se poezia kishte ndikime kulturash mbi të, po aq sa edhe ndikime strukturore. Poezia e Dines shihet në këtë ndriçim teorik në fakt si një poezi e ndikuar struktirisht nga vala e poezisë së asaj kohe, por në aspektin folklorik ajo ngjan paksa e papërlyer, për vetë faktin se Dine përdori intuitën e tij të veçantë që të mbante shënime për folklorin e mbrujtur nga shqiptarët e emigruar apo të gjendur në mjedise ku ndodhej Dine vetë. Këtë traditë e kanë përdorur më parë në të njëjtën kohë që autori krijoi “Valët e detit” edhe mjaft autorë turq si A. Golpinarh, Izalhi Halk Siiri dhe Pir Sultan Abdal, të tre të mirrënjohur në atë kohë si grumbullues folklori dhe poetë me emër të asaj periudhe. Në atë kohë në kulturën poetike bullgare dominimi i poezisë turke ishte i ndjeshëm, po aq sa ishte e ndjeshme edhe ana komplekse strukturore që sigurohej nga shkolla me afërsi dhe bashkëpunim me njëra-tjetrën. Bazuar në këtë bashkëpunim dihet fakti që shumë poetë dhe novelistë i bazuan krijimet e tyre tek folklori. Pas revolucionit të vitit 1908 në Turqi ku krijimtaria u ndikua nga elementët nacionalistë, pati një shkëputje në këtë bashkëpunim. Është e rrëndësishme të theksohet se Thimi Mitko dhe Spiro Dine, në këtë periudhë mërguan në Egjypt, ku mblodhën këngë folklorike nga bashkësitë shqiptare që banonin atje. Ky burim është i shpjeguar nga “Enciklopedia e Islamit” edicioni i r ii pregatitur nga një numër orientalistësh, që kryesohet nga H.A.R. Gibb, J.H. Kramers, E. Lévi-Provençal, J. Schacht dhe që asistohej nga S.M. Stern si sekretar kryesor (pp. 1-320) dhe nga B. Leëis, Ch. Pellat and J. Schacht (LONDËR: Luzac & Co: 1960).
Ndoshta jo në mënyrën e Hasan Zyko Kamberit, që solli paranë si tipar i njeriut që tejkarakterizohet tek ajo, poezia e Spiro Dines e sjedh paranë nën hijen e kohës së tij për të karakterizuar natyrën e njeriut që sulet cepave të botës për ta gjetur atë. Paraja është një metaforë që shëtit dhe fluturon bashkë me fatin e njeriut, bashkë me substancën që prodhon folklori i njeriut në tërësinë intuitive për të ngarë mesazhin e njeriut të kohës së Dines për kohën e njeriut në vitet që pasojnë atë. Kjo pasuese është sigla e qartë e poezisë së Dines. Një sigël që e bën poezinë e tij të lexohet edhe sot, që edhe sot të ketë mesazh të njëjtë, pra të jetë një simbolikë e mbërtheckës njeri-kohë dhe kohë-njeri që signifikohet nën siglën e parasë dhe fatit njërëzor që vjen si shkaku i saj. Dine thotë:
“Një që s’ka para është si zogu pa krah…” apo më tej kur në vargjet paraardhëse ku njeriu ‘fatziu’ “kur humbet paratë,/nuk para është i pari”. Këtu në fakt paraja është karakteri. Ajo nuk parashihet thjesht si një anë materialistike që korrigjon fatet e njeriut, por si një kompleks metaforik që vjen nga larmia popullore dhe nga mesazhi i njeriut të asaj kohe për tërë kohën e njeriut. Ajo që Jane C. Sugarman thotë tek “Etnomuzikologjia” e vitit 1999, vëllimi 43, numri 3 në faqen 420 është tepër domethënëse: “Poezia e Dines është pasqyra e vendlindjes…”.

Respekt per kete figure te Rilindjes Kombetare!