Kryeprokurori Adriatik Llalla thotë se falë punës së Kontrollit të Lartë të Shtetit, shumë denoncime janë kthyer në akuza penale.
Shembull për këtë është rasti i ish-ministrit të Punës, Spiro Ksera, i arrestuar mbrëmjen e së premtes.
“Fal punës së KLSH, në baze të auditeve rezultoi që ish-ministri Ksera kishte kryer vepra penale dhe për këtë arsye u arrestua. Prokuroria vlerëson punën e KLSH. Kjo tregon se askush nuk është i paprekshëm. Prokuroria ka për detyrë të dërgojë përpara gjykatës zyrtarë të korruptuar. Prokuroria mbështet çdo iniciativë të kontrolleve të KLSH.
Ju inkurajojmë të jini më agresiv në zbulimin e aferave financiare në administratën shtetërore dhe ne do të jemi aleatët tuaj në luftën kundër korrupsionit”, theksoi Llalla.
Deklaratat e tij u bënë gjatë analizës vjetore të Kontrollit të Lartë të Shtetit, ku ishte i pranishëm edhe ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani si dhe kreu i Inspektoratit të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, Ganaj.
Kreu i Drejtësisë tha se të gjitha denoncimet e KLSH-së duhet të hetohen dhe për këtë do të bëhet një ligj i posaçëm.
“Burgu nuk është zgjidhje. Ne kemi më shumë persona të arrestuar sesa të dënuar. Kjo nuk është sukses i drejtësisë penale.
Por ka një zgjidhje që qeveria shqiptare, por edhe Parlamenti në mënyrë konsensuale shumë shpejt do ti ofrojë Prokurorisë Shqiptare, KLSH dhe kujdo denoncuesi tjetër të pavarur që të hetojë krimin e organizuar dhe në mënyrë të veçantë korrupsionin e qeverisë.
Ne do ta bëjmë këtë, do ta bëjmë që përfundimet e KLSH dhe jo vetëm të jenë të hetueshme, qoftë dhe pa emra. Nuk ka nevojë për kallëzime.
Do ta bëjmë në mënyrë konsensuale që nesër askush mos ketë fytyrë që të thotë po ma bëjnë politikisht. Do ta bëjmë siç e ka bërë Rumania, Kroacia ne të marrim modelet e tyre dhe t’i korrigjojmë gabimet”, tha Manjani. /Dita/
