Autoritetet shëndetësore diskutojnë për shtimin e autonomisë që duhet të gëzojnë spitalet. Përfshirja e spitaleve në skemën e sigurimeve shfaq nevojën e rishikimit të mënyrës së financimit dhe instancave drejtuese.
Pranvera Kola
Financimi i spitaleve nuk duhet të bëhet më sipas skemës tradicionale të ndarjes së një buxheti fiks, por vetëm në bazë të punës që kryejnë. Kjo klasifikohet nga autoritetet shëndetësore si e vetmja rrugë për sigurimin dhe ofrimin e shërbimeve cilësore kundrejt pacientit. Ndarja tradicionale e fondeve ka bërë që vit pas viti shumë prej spitaleve të marrin një buxhet të caktuar që shkon dëm, duke qenë se nuk ofrojnë shërbime mjekësore për pacientët.
Ndërsa modeli i ri i propozuar parashikon dhënien e fondeve në bazë të punës së kryer nga çdo institucion shëndetësor. Në këto kushte spitalet do të vihen në garë për marrjen e fondeve, çka do të thotë se ato klinika publike që do të punojnë më shumë dhe me cilësi më të lartë do të përfitojnë edhe sasinë më të lartë të fondeve për menaxhimin e kujdesit mjekësor.
Lidhur me këto ndryshime, drejtoresha e Institutit të Sigurimeve Shëndetësore Elvana Hana ka kërkuar rritjen e shkallës së autonomisë për spitalet dhe ndryshimin e formës së menaxhimit dhe financimit të tyre në mënyrë që t’i përshtaten ndryshimeve të parashikuara në ligjin e ri të sigurimeve shëndetësore. Gjatë diskutimit të zhvilluar mbi politikat për autonominë spitalore organizuar nga USAID, mes Ministrisë së Shëndetësisë, ISKSH-së e drejtuesve të spitaleve etj, Hana vuri theksin te ndryshimi i mënyrës së financimit të spitaleve , duke aplikuar metoda të reja pagese për spitalet publike të përfshira në skemën e sigurimeve, duke lidhur financimin me punën e çdo spitali, dhe jo më me një buxhet fiks historik të përcaktuar.
“Procesi i nxjerrjes së kostove spitalore dhe hartimit të paketave të shërbimeve bazuar në këto kosto për të cilat po punon ISKSH dhe spitalet, do të sjellë një financim real të shërbimeve shëndetësore dhe me hapësirat që krijon ligji i ri i sigurimeve shëndetësore, do të bëhet edhe kontraktimi i shërbimit privat. Zhvillimi i procesit të kontraktimit si me ofrues publik, ashtu dhe ata privat të bazuar më shumë në cilësi, në kosto-efektivitet dhe në konkurrencë për shërbimet e kontraktuara e të financuara” shprehet Hana.
Sipas saj, situata aktuale e shërbimeve spitalore, si përdoruesit më të mëdhenj të shpenzimeve shëndetësore me 51 për qind të shpenzimeve totale të skemës dhe në funksion të realizimit të pikave të përmendura më lart sjell nevojën e riorganizimit të këtij sektori. Autonomia spitalore do të ishte hapi i parë i rëndësishëm drejt këtij reformimi rrënjësor në drejtim të menaxhimit të financave, të menaxhimit të burimeve njerëzore, të menaxhimit të shërbimeve të domosdoshme dhe ofrimit të tyre me kosto sa më të ulët.
“Reformimi i metodave të financimit spitalor në Shqipëri, proces për të cilin ne po përgatitemi, sjell domosdoshmërisht ndryshime të tilla, si: përmirësim të cilësisë së kujdesit spitalor, përmirësim në drejtim të barazisë së financimit të paketave të shërbimit për popullatën që spitalet ju shërbejnë, si edhe të nivelit të financimit sipas popullsisë që ato i shërbejnë”, shton Hana.
Parë në këtë këndvështrim niveli aktual i menaxhimit të spitaleve dhe veçanërisht statusi aktual i autonomisë nuk krijon hapësira për menaxherët dhe stafet spitalore që t’i përshtaten ndryshimeve të parashikuara në ligjin e ri.
Gjithashtu, shfaqet e nevojshme dhe ngritja e bordeve drejtuese që do të çojë drejt autonomisë menaxheriale në përdorimin e burimeve që do të kenë në dispozicion edhe spitalet. Këto kanë treguar se autonomia menaxheriale është një faktor kyç në përmirësimin e dukshëm të ofrimeve të këtij shërbimi ndaj popullatës në tërësi.
Ligji i ri për sigurimin e detyrueshëm shëndetësor, i cili hyn në fuqi në fund të muajit mars, i jep spitaleve private akses për financim nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore. Por këto të fundit do të ofrojnë shërbime të caktuara kundrejt tarifave të reduktuara. Për të hyrë në skemën e sigurimeve, këto spitale më parë duhet t’i jenë nënshtruar procesit të reformimit.
Përgatitja e menaxherëve të shëndetit publik
Drejtimi i spitaleve nga personel i kualifikuar shihet si një tjetër tregues i përmirësimit të cilësisë dhe kujdesit që duhet të sigurohet për pacientin. Autoritetet shëndetësore bëjnë me dije se tashmë ka nisur puna për përgatitjen e menaxherëve të spitaleve me synim përmirësimin e aftësive menaxheriale. “Po hartojmë një projekt të përbashkët me Fakultetin e Mjekësisë dhe Ministrinë e Arsimit për të hapur shkollën e menaxherëve të shëndetit publik. Qeveria sapo ka miratuar hapjen e Universitetit të Shkencave Mjekësore, që e formalizon më mirë këtë bashkëpunim. Ne synojmë e kërkojmë të rrisim kapacitetet dhe aftësitë menaxheriale të drejtuesve të sistemit shëndetësor për të mundësuar miradministrimin e spitaleve tona në kushtet e një financimi jo të bollshëm, por të mjaftueshëm”, ka konfirmuar kundrejt kësaj nisme ministri i Shëndetësisë, Vangjel Tavo.
Tavo: Spitalet rajonale të kurojnë, jo të përcjellin pacientë
Duke u ndalur në rëndësinë e autonomisë spitalore, ministri Tavo nuk ka kursyer dhe kritikat në drejtim të spitaleve rajonale, që shpesh e kufizojnë punën e tyre vetëm në referimin e pacientëve drejt Tiranës. Këto referime në shumë raste janë bërë problem, pasi dyndja e pacientëve të rretheve ka mbingarkuar punën e spitaleve në kryeqytet, ku njerëzit vijnë edhe për ndërhyrje elementare të cilat shumë mirë mund të bëhen edhe në rrethet e tyre.
Sipas Tavos, zbatimi i autonomisë së spitaleve përmirëson performancën e spitaleve publike. “Ndaj spitalet rajonale duhet të ofrojnë shërbime në përputhje më të mirë me nevojat e komunitetit, duhet të ketë më shumë përgjegjshmëri dhe transparencë, të hartohen e respektohen paketat e shërbimeve dhe të respektohet sistemi i referimit, pasi e kam theksuar disa herë që spitalet rajonale nuk duhet vetëm të referojnë raste në Tiranë, por t’i shkojnë përgjegjësisë deri në fund, duhet të vazhdojë procesi i pakthyeshëm i akreditimit të institucioneve spitalore, për të krijuar një mjedis e treg të hapur e konkurrent të shëndeti”, konfirmon ministri Tavo.