Spitalet, fluks pacientësh me çrregullime të shëndetit mendor

anazapta

Konfliktet brenda familjes, si dhe vështirësitë e tjera të jetës së përditshme në ambientet e punës, shkollës, etj, po bëhen shkak i shtimit të çrregullimeve të sistemit nervor, ku në listën e të prekurve po dominojnë gjithnjë e më shumë edhe adoleshentët. Psikiatrit bëjnë me dije se kohët e fundit po përballen me një fluks të lartë pacientësh që manifestojnë çrregullime të shëndetit mendor, ku ndërlikimet më të shpeshta rezultojnë të jenë çrregullimet e ankthit, humorit, teksa nuk mungojnë as rastet depresive.

Ekspertja e shëndetit mendor Arjana Rreli thotë se shqetësim më vete mbetet edhe tendenca mbi përdorimin e medikamenteve qetësuese, të cilat po fitojnë terren varësie. Janë të shumta rastet në të cilat raportohet blerja e qetësuesve nëpër farmaci pa asnjë rekomandim nga mjeku specialist i fushës. Veprim ky që e dëmton edhe më shumë organizmin. Rreli sqaron se nëse vijohet me të njëjtat ritme të përdorimit pa kriter të këtyre medikamenteve, ato krijojnë një problematikë shumë të madhe varësie ndaj medikamentit ose efektit drogë siç njihet ndryshe. Kur personi e merr medikamentin, kënaqet me veprimin e tij, ndërkohë që fillon dhe shton dozat e përdorimit të tij, çka e çon pacientin në mbidozim të medikamentit.

Kundrejt kësaj situate shfaqet e domosdoshme krijimi i një ligji që të frenojë këtë fenomen, teksa nevojitet dhe shtimi i masave kontrolluese ndaj subjekteve farmaceutike sa i takon shitjes së këtyre qetësuesve. Më tej, Rreli shton se, edhe pse ka një protokoll mjekimi të këtyre rasteve, mjekëve të këtij shërbimi u duhet ende të luftojnë me mitin e gabuar që dominon tek pacientët siç është ai i blerjes vetë të medikamenteve, për shkak të tabusë se mjeku psikiatër trajton vetëm të sëmurët që janë në stadin më të rëndë të shëndetit mendor.

Mentalitet, ky që vonon diagnostikimin e këtyre çrregullime që në stadet më të hershme, kohë në të cilën trajtimi mund të jetë efikas. “Ne vëmë re një rritje të konsiderueshme të numrit të rasteve. Problemet që hasin më tepër janë probleme që lidhen me ankthin dhe luhatjet e humorit. Tek luhatjet e humorit forma më e lartë është depresioni. Jemi në një realitet ku përballemi shumë me vështirësitë. Një student investon për të studiuar, por është i pasigurte për një vend pune. Ka shumë konflikte si brenda familjes ashtu edhe brenda brezave”, deklaron rreth kësaj situate psikiatria Arjana Rreli.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *