Thellohet më tej bashkëpunimi shëndetësor ndërmjet Shqipërisë e Italisë. Plot 100 pacientë që janë në gjendje të rëndë shëndetësore, shkaktuar nga sëmundjet e veshkave apo organeve të tjera, do të mund t’u nënshtrohen ndërhyrjeve të vështira pranë spitalit të Bergamos. Autoritetet shëndetësore vënë në dukje se për 2013-n spitali i Bergamos do të marrë përsipër kryerjen falas të 100 transplanteve, kryesisht të palcës e veshkave.
Kryerjen e këtyre transplanteve do ta përfitojnë pacientët që janë me diagnozat më të vështira, evidentimi i të cilëve bëhet nga listat e pritjes që raportojnë spitalet rajonale apo Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
“Duke qenë të ndërgjegjshëm se ende duhet shumë më tepër për të bërë sa i takon cilësisë dhe kujdesit me të cilat shërbimet duhen ofruar në spitalet tona, veçanërisht në raport me transplantin, sidomos atë të palcës së kockave, do të nënshkruajmë me spitalin e Bergamos kontratën e bashkëpunimit, në të cilën konfirmohet marrja përsipër nga ky spital e kryerjes së 100 transpalnteve në vit falas”, bën të ditur kreu i politikave shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero.
Më tej Pipero shton se krahas transplanteve ka shpresa të shumta se do të ofrohen shërbimet e specializuara, e veçanërisht ndërhyrjet kirurgjikale edhe për fëmijët që lindi me defekte në zemër. Këta fëmijë do të marrin trajtimin mjekësor të specializuar nga mjekë të huaj.