Zgjerohet skandali mbi përgjimet e SHBA-së: miliona të dhëna telefonike të gjurmuara në Francë, ndërsa as e-mailet e ish-presidentit meksikan, Felipe Calderon, nuk i kanë shpëtuar “syrit” amerikan. Obama i telefonoi presidentit francez duke nënvizuar “miqësinë e madhe” midis dy vendeve, por u ndesh me një Hollande të ashpër, i cili shprehu “mosaprovim” për praktika të tilla midis dy shteteve mike
Presidenti amerikan Barack Obama zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin francez, Francois Hollande, për të diskutuar në lidhje me zemërimin e përgjithshëm që dominon në Francë që pas botimit të një artikulli në gazetën “Le Monde” të hënën, ku shkruhej se Agjencia Amerikane e Sigurisë ka përgjuar 70.3 milionë biseda telefonike të francezëve, nga 10 dhjetori i 2012-s deri më 8 janar të 2013-s.
Obama i tha presidentit francez se Shtetet e Bashkuara kanë filluar të rishikojnë mënyrën se si i mbledhin informacionet nga agjencitë e zbulimit për të siguruar vendosjen e një balance mes sigurisë dhe privatësisë të qytetarëve. Ai gjithashtu siguroi se shtypi “i ka shtrembëruar dhe keqpërdorur pohimet mbi aktivitetet e shërbimeve sekrete”, edhe pse pranoi se aktivitete të tilla “ngrejnë pyetje legjitime te miqtë dhe aleatët tanë”.
Nga ana tjetër e receptorit, Obama u ndesh me një Hollande të ashpër. Sipas një komunikate të Eliseos, presidenti francez shprehu “mosaprovim dhe keqardhje të thellë” ndaj atyre që i cilësoi si “praktika të papranueshme midis aleatëve dhe miqve, të cilat nëpërkëmbin jetën private të qytetarëve francezë”.
Ministri i Jashtëm francez, Laurent Fabius, thirri dje ambasadorin e amerikan në Francë, Charles Rivkin, për të pyetur në lidhje me artikullin e së përditshmes franceze “Le Monde”, ku vihej në dukje shkalla e gjerë e përgjimit të shtetasve francezë. Gazeta i referohet informacioneve të ofruara nga ish-nëpunësi i CIA-s, Edward Snowden, i cili aktualisht ka marrë strehim në Rusi.
Edhe Ministri i Brendshëm, Manuel Vals, kishte deklaruar më herët se akuzat e “Le Monde” janë shokuese: “Nese nje vend aleat spiunon Francën, kjo është totalisht e papranueshme”. Por, gazeta franceze në muajin korrik kishte raportuar se vetë qeveria franceze kishte ndërmarrë një operacion të gjerë, duke u dhënë agjensivë të shërbimeve sekrete të drejtën për të mbikëqyrur të dhënat personale të qytetarëve të saj.
Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, u pyet për këtë çështje të hënën, kur ai mbërriti në Paris për një sërë bisedimesh mbi Lindjen e Mesme. Ai nuk pranoi të fliste rreth detajeve të artikullit, por tha se Shtetet e Bashkuara do të diskutojnë këtë çështje privatisht me zyrtarët francezë dhe aleatët e tjerë. Ai shtoi se mbrojtja e sigurisë së njerëzve në botën e sotme është shumë e ndërlikuar dhe sfiduese. Për këtë çështje Kerry dhe Fabius pritet të flasin të mërkurën në Paris, më pas do të zhvendosen bashkë në Londër për një mbledhje me në qendër temën e Sirisë.
Po ashtu ka reaguar me zemërim Meksika, mbi një artikull të botuar në të përjavshmen gjermane “Der Spiegel”, në të cilin Snowden akuzon NSA-në se ka përgjuar komunikimet me e-mail të ish-presidentit meksikan, Felipe Calderon. Edhe Ministria e jashtme e Meksikës e quajti këtë praktikë “të papranueshme, në kundërshtim me ligjin meksikan dhe atë ndërkombëtar.
Gjatë samitit që do të mbahet më 24 dhe 25 tetor në Bruksel, Francois Hollande do të propozojë një rregullore të menjëhershme mbi mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve të BE-së./D.Gjuzi

Ky sistem përgjimi rrezikon demokracinë dhe nje te drejte substanciale te saj,-lirite e individit.0se,ose demokracia s’është gjë tjetër pos nje mbulesë për pushtetin e sundimtareve. Për të ruajtur këtë pushtet ata nuk ndalen para asgjeje. Ky konkluzion rrjedh natyrshëm kur njihesh me nje përgjim te tille masiv dhe çështë më e keqja i përgjon dhe kur i ke miq?