Spiunia që vendosi të mos vrasë Fidel Castron

redaktor

Marita Lorenz është një nga agjentet e shumta të CIA-s që ka tentuar të vrasë Fidel Castron, një “e mbijetuar” që ende sot ndjek rrugën e SHBA-ve. Natyrisht nuk e arriti ta bënte, por jo për shkak se nuk iu dha rasti, por sepse nuk deshi. U dashurua me të sapo triumfoi revolucioni kuban dhe ende ëndërron të kthehet në ishullin e Karaibeve.

Marita shkoi në Havanë më 27 shkurt të 1959 në bordin e “MS Berlin”, barka që në atë periudhë drejtohej nga babai i saj që çonte turistët amerikanë dhe europianë deri në brigjet e Kubës së re revolucionare.

Dy anije të mbushura me meshkuj me uniforma, mjekroshë dhe pushkë në dorë iu afruan anijes. “Çfarë doni?”, i pyeti ajo me një vetëbesimin që të jep mosha 18 vjeçare. “Mund të kaloni, por armët duhet t’i lini jashtë”, u kërkoi.

“Nuk e dija kush ishte ai dhe u prezantua si Kuba e re”, kujton Marita 56 vjet më pas me rastin e publikimit të kujtimeve të saj “Unë isha spiunia që dashuroi komandantin”. Marita mori rolin e kapitenes dhe u prezantoi MS Berlin. “U habitën”, thotë ajo, mbi të gjitha Fideli që përfitoi nga rrugëtimi për ta kapur butësisht prej dore. “Kur shkuam për të drekuar mendoj se isha dashuruar”, pohon ajo pa dyshuar asnjë çast.

Ai takim edhe pse i shkurtër, sepse MS Berlin u nis po atë mëngjes drejt SHBA, ishte vendimtar. Tre ditë më pas Marita mori një telefonatë në apartamentin që ndante me vëllanë e saj më të madh në Nju Jork. Ishte Fideli, i cili i bëri një ftesë për ta vizituar në Kubë.

“Kalova tetë muaj e gjysmë në Kubë”, thotë ajo. E kaloja pjesën më të madhe të kohës në Havana Hilton, ku lideri revolucionar jetonte së bashku me rrethin e tij të besuar. Isha e dashura e tij dhe kisha gjithçka që kisha nevojë”, thotë ajo.

Marita e pagëzuar si “gjermanka e Fidelit” për shkak të origjinës së saj gjermane u prit menjëherë në rrethin e komandantit, që kujdesej që ajo të argëtohej ndërkohë që ai merrej me punët e shtetit. “Isha e lumtur edhe pse duhet të prisja orë të tëra që të qëndronim bashkë”, thotë ajo.

Ajo e kujton ashtu siç ishte në atë periudhë. “I bukur, i gjatë, me uniformë dhe çizme, dhe që atëherë i shqetësuar për politikën ndërkombëtare dhe mjedisin. Ishte një profesor i lindur. Ishte magjepsëse të flisje me të”, thotë ajo.

foto_20150628100534-784349_350Lidhja e dashurisë përfundoi pas tetë muajsh e gjysmë dhe aty filloi ferri i saj. Marita mbeti shtatzënë me Fidelin dhe pikërisht kur ishte në muajin e fundit të shtatzënisë pësoi një abort për të cilin fajëson drejtpërdrejtë inteligjencën amerikane.

“Konsumova një qumësht të helmuar që më dhanë në mëngjes. Më operuan, por unë isha totalisht inkoshiente dhe nuk mund ta dija atë që po ndodhte. Kur u zgjova pyeta për fëmijën dhe më thanë se e kisha humbur”, rrëfen ajo. Nëse pyetet për fajtorët Marita nuk dyshon.

“Nuk ishte Fidel. Ai e donte atë fëmijë’, përgjigjet ajo duke theksuar së përgjegjësit e abortit ishin “kubanët anti-Castro që punonin në ambasadën amerikane”.

E gjendur në buzë të varrit familja e Martas vendosi ta riatdhesojë në Amerikë dhe pikërisht në këtë kohë agjentët e FBI-së dhe CIA-s u vunë në kontakt me të. Në radhë të parë për të mësuar historinë e saj dhe më pas për ta detyruar që t’u bashkohej radhëve të kauzës anti-Castro. “Sapo erdha nga Kuba dhe në spitalin në Nju Jork më prisnin tre agjentë”, kujton ajo.

“Ata nuk të rekrutojnë menjëherë, të arrestojnë dhe para se ta kuptosh je brenda dhe nuk mund të bësh asgjë për të dalë’, thotë ajo. Në rastin e saj përfituan nga dobësia e Maritas për t’i hapur dyert e CIAs-s. “Për mua ishte dërrmuese e gjithë kjo, sepse sapo kisha humbur fëmijë. Isha konfuze për atë që kishte ndodhur dhe duhet të fitoja vendin tim të ri.

Më shkatërruan psikologjikisht’, thotë ajo. Për një vit të tërë Marita u stërvit në Everglades, Florida së bashku me një grup agjentësh të CIA-s. Ajo ishte pjesë e “Operacion 40” të filluar nga qeveria e Dwight Eisenhower për të vrarë liderët që i shkaktonin probleme SHBA-së, si Fideli. Më 1961 hipi në një avion dhe u nis drejt Havanas për të ekzekutuar misionin për të cilin kishte muaj që po përgatitej. Në një kuti kremi fytyre ishin fshehur dy kapsula të mbushura me një helm vdekjeprurës, që ishte destinuar për drejtuesin komunist të Kubës.

Marita veshi uniformën e saj të vjetër dhe u nis për në Havana Hilton. Çelësi i suitës së Fidelit ende funksiononte dhe arriti të hynte pa probleme. “Nuk munda. Hapa kapsulat dhe hodha helmin tutje”, tregon ajo. Pikërisht në atë moment Fideli hyri në dhomë.

“Oh gjermankë. Ku ke qenë, me ata njerëz të Majamit, me antirevolucionarët?” i tha ai. Marita mundi vetëm të artikulonte një “Më ka marrë malli shumë…” para se të fillonte të qante. Presidenti i Kubës e pyeti menjëherë nëse ishte aty për ta vrarë dhe ajo e pohoi.

“Askush nuk mund të më vrasë. Asnjëherë. Kurrë!”, u përgjigj ai i sigurt në vetvete dhe i rrëfeu Maritas se fëmija që besoi se kishte vdekur ishte mirë.

“Njerëzit e CIA-s ishin nga të gjitha anët, dhe Fideli dhe unë menduam se më e mira ishte që të kthehesha në Shtetet e Bashkuara, sepse në Kubë isha në rrezik. Tani e di që mund të kisha përfituar nga rasti për të qëndruar aty. Jeta ime do të kishte qenë ndryshe”, rrëfen ajo.

Marita, sot 74 vjeçe, vazhdon të jetojë në SHBA pas një jete të shënuar nga intrigat. Kur mbërriti në SHBA u detyrua të dëshmonte para kongresit për të dhënë llogari për “Operacionin 40”.

Gjermanka e Fidelit thotë se la zemrën në Havana dhe se përgjatë gjithë këtyre viteve i ka shkruar disa herë Fidelit dhe djalit të tyre, Andresit, “një djalë i gjatë dhe i dobët si babai i tij që jeton në Havana”. “Kam dërguar shumë letra në Kubë dhe më kanë kthyer pako bosh, por kjo më mbush me lumturi, sepse e di që mungesa e materialit do të thotë se ka pasur një përgjigje”, shprehet ajo.

Marita do të kthehet në Gjermani nga u largua kur ishte 10 vjeç së bashku me familjen e saj për një jetë më të mirë në Amerikë. “Mbijetova dhe tani dua vetëm të kthehem në Gjermani”. Nga Europa është më e lehtë që të shkosh në Kubë ku e moshuara dëshiron të kalojë ditët e fundit. “Gjithmonë do ta dua Fidelin dhe ai e di”, thotë ajo./DITA

Share This Article
1 Comment
  • Revolucionaret,idealistett,luftetaret dhe patriotet gjithmon jan njerez te dashur,prandaj edhe kur mundohen me i vrare me spiune femra,deshton misioni i atyre sherbimeve,se atehere kur afrohet femra pran idealistit,revolucionarit,dhe trimit patriotit te njerzimit,zemra e femres thyhet dhe nuk e bene dote krimin qe e kan ngarkuar kriminelet,prandaj dhe kastro,enveri,perjetuan dhe e jetuan e i triomfuan krejt kurthet apo tentativat e vrasjes apo atentateve se nuk e benin dote femrat nji gje te till krimi,per te vrar dhe zemren e vet,zemren qe kishte zbuluar dashurin e shpyrtit dhe jetes.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *