Për sportin pas 23 qershorit po hapet një mundësi e re që ai të ngrejë kokë pas shtypjes që i është bërë pa mëshirë vitet e fundit. Nga shtatori ai nuk do të jetë më një prapashtesë e MTKRS-së. Që në fillim të këtij opinioni dua t’u tërheq vëmendjen atyre që do të drejtojnë këtë Ministri apo edhe qeverisë së re, se sporti duhet parë në një këndvështrim tjetër, më të gjerë, jo thjesht si një lojë argëtimi me top. Nuk dua të paragjykoj askënd, pa filluar ende punë, por rëndësi ka të kuptohet se pa sport nuk ka edukim dhe pa edukim nuk do të kemi një rini të shëndetshme, por do të shohim e dëgjojmë përsëri nga ato lajmet e tmerrshme për rini të vrasjeve, lokaleve, kazinove, drogës etj.
Filozofia e sportit është e qartë: Përveçse e largon rininë nga veset e këqija, një popull aktiv dhe që merret me sport do të konsumojë më pak ilaçe e shërbim shëndetësor. Kjo do të thotë që do të shpenzojë më pak, por mbi të gjitha kjo do të thotë që do të vuajë më pak,
Sporti ka mundësi të ngrejë sërish kokën dhe do ta bëjë këtë gjë krah për krah me arsimin. Në ato shkolla ku njeriu edukohet e arsimohet sot edhe mund të stërvitet e të rritet i fortë fizikisht. Sot politikat e sportit duhet të ndryshojnë me themel një sistem shumëvjeçar të përgjumur e të dështuar; duhen shtuar si fillim orët e edukimit fizik në shkolla dhe këto të fundit (9-vjeçare dhe ato të mesme) duhet t’u atashohen klubeve e shoqatave sportive, duke afruar në orët e lira edhe mësues e specialistë të jashtëm. Qeveria por edhe vetë Ministria e Arsimit e Sportit duhet të shohë si prioritet shtimin e mjediseve sportive apo shfrytëzimin e atyre ekzistuese. Ambientet sportive janë të mbyllura, në një kohë që duhet të rrinë 24 orë të hapura në shërbim të komunitetit, pasi sporti ka shumë nevojë për mjedise. Në këto kushte që është Shqipëria, ku terrenet sportive, kryesisht ato të hapura, janë shkatërruar thuajse krejt, palestrat e shkollave janë një mjedis i domosdoshëm për t’u marrë me sport.
Së fundmi, sporti shqiptar nuk duhet të ndihet inferior me fushat e tjera në aspektin financiar, por i barabartë, pasi pa është ai që e ngre flamurin kuqezi në çdo cep të botës. Në dy veprimtaritë e fundit më të mëdha ndërkombëtare (Lojërat Olimpike dhe Lojërat Mesdhetare), shteti nuk akordoi asnjë qindarkë, sikur këta sportistë nuk përfaqësonin shtetin shqiptar. Kjo nuk duhet të ndodhë më kurrë!
Sporti eshte nje gje e jashtezakonshme. Vetem se eshte nje problem, duhet te kete agjent qe te shofin ne cdo cep te shqiperi talentet e cdo lloj sporti. Sepse ka shume talent qe nuk e tregojne veten ne shkolle po e tregojne jashte nepermjet kacetos, ne plazh etj, prandaj duhet te kete agjent per cdo lloj sporti.