Kreu i Federatës Shqiptare të Atletikës hap ekspozitën e tij të parë të pikturës. Në “Refleksion” ai prezanton metamorfozën që njeriu kalon në gjithë jetën e vet
Në fillim të një viti të ri, në Galerinë e Muzeut Historik, Gjergj Ruli ka hapur ekspozitën e tij me 61 piktura. Një emër i nderuar i sportit shqiptar, që aktualisht drejton Federatën Shqiptare të Atletikës, ai paraqet një tjetër dimension të vetin. Ekspozita titullohet “Refleksion”, ndërsa për vetë Rulin, një titull i tillë nënkupton “metamorfozën që kalon njeriu në gjithë jetën e tij, refleksionet, rrugët, thyerjet, botën shpirtërore”. Jeta nuk është vetëm gëzime, thotë ai, ndërsa vijon se njerëzit duhet t’i bëjnë realitet ëndrrat e tyre, nëse kjo ëndërr është më e madhe se përditshmëria dhe nëse ai nuk qëndron dot brenda kësaj të fundit. Siç ka bërë edhe ai vetë me ekspozitën personale, e cila do të jetë e hapur deri në datën 8 janar në Muzeun Kombëtar në Tiranë.
Cili ka qenë frymëzimi apo udhëheqësi juaj në këtë ekspozitë?
Piktura është pjesë e botës sime shpirtërore. Unë i respektoj të gjithë artistët e tjerë. Nuk jam frymëzuar nga një piktor i caktuar, por vlerësoj artin në përgjithësi dhe çdo gjë që i përket kësaj bote. Frymëzim dhe inkurajim për mua janë vajza ime Mei që studion për menaxhim arti në Itali dhe bashkëshortja ime Albana, e cila është studiuese e folklorit dhe redaktore shkencore në Akademinë e Shkencave.
Por, një njeri që mund ta quaj inkurajues të madh është “Piktori i Popullit” Skënder Kamberi, i cili më quan në mënyrë shumë elegante “surprizë”. Kur punoja, kisha nevojë të merrja mendim nga piktorë profesionistë në lidhje me pikturat e mia dhe profesori i pikturës, z. Kamberi, më ka nxitur e mbështetur jashtëzakonisht shumë e për këtë e falënderoj veçanërisht. Piktorët e mëdhenj kanë qenë pjesë e ndjesive e kënaqësisë sime esteike, por në pikturë kam dashur të kem origjinalitetin tim pa veçuar preferenca të caktuara. Prandaj në njëfarë mënyre e kam titulluar edhe “Refleksion” ekspozitën time, sepse është një refleksion imi, është një ekspozitë personale në të gjithë dimensionet e saj.
Ekspozita juaj është e veçantë edhe në përzgjedhjen e ngjyrave, simbolikën e tyre, teknikat e krijimit…
Ekspozita ime përmban 61 punë që simbolizojnë vitin e lindjes sime, 1961. Çdo pikturë ka teknikë më vete, njëra është e punuar me thyerje, njëra është skulpturë, por të gjitha kanë ngjyra dhe vetëm ngjyra që shpërthejnë e ngjizen bashkë: në italisht “Matrimonio di colori”. Lidhja me ngjyrat është e fshehur brenda meje, ndonjëherë e fshehur dhe nga sporti. Duke qenë se sporti njeh moshë, arti e piktura s’njohin.
Për mua, është një ekspozitë plot jetë, dritë, ngjyra, gëzim, hapësirë. Sepse të voglën nuk e dua, as në sport, as në shtëpi ku jam mësuar me hapësirë e dritë. Hapësira është liri dhe fymëmarrje, është jetë. Dhe gjej rastin të këshilloj prindërit që t’u japin hapësirë fëmijëve të tyre, të pikturojnë e shkarravisin nëpër shtëpi. Pasi kjo liri do kthehet në art më vonë.
Përmendët shpesh rrugët e jetës dhe keni edhe një pikturë me të njëjtin titull…
Piktura që titullohet “Rrugët e jetës”, ka kthesa e rrugë të drejta dhe simbolizon uljet e ngritjet që kalon njeriu. Por sigurisht ai duhet të ketë kurajën të ecë përpara. Kemi një prej pikturave që paraqet pjesë kozmike, turbulencat që njerëzit vetëm mund t’i imagjinojnë dhe shpeshherë i interpretojnë në mënyra të ndryshme. Ky frymëzim më vjen nga puna që bëj në Agjencinë Nacionale të Trafikut Ajror.
Sportist dhe piktor… Ç’dëshirë tjetër keni?
Kushdo që më njeh, e mirëkupton impulsivitetin dhe pasionin tim në sport, por tashmë dhe në art. Sigurisht ëndrrat dhe planet e së ardhmes janë në rrugën e tyre. Kam si projekt që të hap një ekspozitë me vëllanë tim që jeton në Florida, sepse kam në studio edhe punë të tjera surprizë.
Keni pasur oferta për t’i shitur pikturat tuaja?
Arti për mua ka një motiv, një mision shpirtëror e kënaqësi estetike. Kam pasur oferta të befasishme, por për momentin nuk e shoh veten të ndarë nga veprat e mia.
A e shihni veten tashmë të dyzuar midis sportit dhe artit? A do të vazhdoni me projektet tuaja në sport?
Në këtë pikë është e sigurtë përgjigja që sporti është jeta ime. Piktura është pasion dhe ëndërr e shfaqur disi vonë e që do të jetojë me mua. Por sporti ka brenda pasionin, jetën dhe sakrificat e mia dhe të gjithë brezit tim, të cilët gjej rastin t’i falënderoj e nderoj me gjithë qenien time.
Të dyja janë pasione që do të jetojnë me mua përgjatë jetës. Sigurisht projektet për atletikën do të vazhdojnë me një energji akoma më të madhe pasi shoh dhe dëshirën e mbështetjen jo vetëm të miqve të mi të komunitetit të atletikës, por dhe të strukturave shtetërore të gatshme për mbështetje dhe për këtë i falënderoj. Arti në këtë pikë mund të bëjë veç mirë, pasi, kur gërshetohen dy pasione të forta dhe antike, emocionet janë më të forta dhe pritshmëritë janë të suksesshme.
Jeta
Në vitin 1984 ka mbaruar Institutin e lartë të Sporteve “Vojo Kushi” Tiranë (sot Universiteti i Sporteve).
President i Federatës Shqiptare të Atletikës në vitet 2005 -2006 dhe 2009 -2012 e në vazhdim
Në vitin 1994 është diplomuar në Itali në Universitetin e Urbinos. Më pas kryen specializim pasuniversitar “Mjekësia e Psikologjia e Aplikuar në Sport dhe Lëvizje”, Itali.
1999 – Master në Shkencat Psikomotore, Academia delle Arte Sanitaria, San Marino
2012 – Master i avancuar mbi Menaxhimin Sportiv, organizuar nga Komiteti Olimpik Botëror, (IOC) dhe Universiteti i Sporteve Tiranë
Tituj e vlerësime
1975- 1991 Sportist, Kampion (248 herë) rekordmen i Shqipërisë në Atletikë, Kërcim së gjati dhe 100 m
1991 Kampion rekordmen i Republikës së San Marinos në Atletikë (në Kërcim së gjati dhe 100m)
1979 I votuar si “Sportisti më i mirë i vitit”.
1995 “Mjeshtër i Merituar i Sportit”
1999 “Nderi i Sportit Shqiptar”
2011 Medalje Ari si President i FSHA-së nga ËMRA
2011 Medalje Ari nga Federata Botërore e Atletikës IAAF
2012 Urdhri “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Republikës
Frymezimin ta sjell hajduti i ANTA SHA Pertit Sulaj (Leshko) qe te morri ne pune te jep
1 milion rroge ,dhe ti vjen 2 dite ne jave ditet e tjera shef se mos del ndonje leke nga bluzat
e Atletikes qe i merr me 2 dollar ne Kine. Qeshrak.