7 fitore radhazi, për të kryesuar i vetëm kampionatin. Në Kategorinë Superiore është momenti i Partizanit.
Të kuqtë e Sulejman Starovës i kanë bërë një nisje perfekte sezonit, duke hedhur kandidaturën si skuadra kryesore që mund të rrëzojë Skënderbeun nga froni. Falë suksesit 2-1 ndaj korçarëve, Partizani u ngjit në kuotën e 22 pikëve, një shifër shumë e lartë kjo për vetëm 8 ndeshje të zhvilluara.
Madje nëse e ecurinë e Partizanit e krahasojmë me atë të ekipeve që kryesojnë kampionatet më të rëndësishme në Europë, vetëm Bayern Munich ka grumbulluar më shumë pikë se skuadra e Starovës pas 8 ndeshjeve të para. Një e dhënë kjo që tregon më së miri për forcën e Partizanit.
Në kampin e kuq janë në kërkim të një titulli që u mungon që nga viti i largët 1993 dhe ky ndoshta mund të jetë sezoni i duhur që Partizani t’u rikthejë buzëqeshjen tifozëve të tij.
Megjithatë nëse skuadra e Starovës është me të vërtetë favoritja kryesore për titullin në këtë sezon, këtë gjë do ta përcaktojnë më mirë tre javët e ardhshme të kampionatit.
Tre rivalët e radhës do të jenë Teuta, Laçi dhe Flamurtari dhe ndaj të tria këtyre skuadrave të kuqtë do të luajnë në transfertë.
Në 3 ndeshjet që ka zhvilluar deri tani jashtë fushe Partizani ka marrë pikë të plota, por duhet thënë se fitoret i ka regjistruar ndaj 3 ekipeve që luftojnë për mbijetesë si Vllaznia, Tërbuni dhe Bylis. Në këtë mënyrë ndeshjet ndaj Teutës, Laçit dhe Flamurtarit janë testi i vërtetë për 15-herë kampionët.
Për të ruajtur diferencën prej tre pikësh në klasifikim ndaj Skënderbeut, Partizani duhet të marrë maksimumin e mundshëm nga këto tre sfida, sepse korçarët kanë kalendar më të lehtë në letër në tre javët e ardhshme.
