Kryeministri Indian, Manmohan Singh dhe ai kanadez Stefen Harper do të bojkotojnë samitin e krerëve të shteteve të Komonuelthit, i cili do të zhvillohet këtë javë në Kolombo të Sri Lankës. Dy kryeministrave mund t’iu shtohet edhe ai i Zelandës së Re, Xhon Kei. Regjimi i Rajapaskas kthehet nga mikpritës në të pandehur, duke rrezikuar ndjekjen penale nga Gjykata Ndërkombëtare Penale
Sri Lanka po përgatitet të mirëpresë drejtuesit e shteteve të Komonuelthit, por kryeministri i saj, Mahinda Rajapaksa, e pret këtë takim me ankth për shkak të akuzave që rëndojnë mbi regjimin e tij, i angazhuar të shtypë me se të mundet edhe protestat e ndërkombëtarëve. Rasti më i fundit është ai i deputetes neozelandeze Jan Logie dhe senatores australiane Li Rihanon, të cilat nuk janë lejuar të hyjnë në këtë vend sepse kërkojnë prej kohësh, bashkë me organizatën “Amnesty International” dhe shumë politikanë të Komonuelthit që Sri Lanka të mos e marrë presidencën e Komonuelthit për tri vitet e ardhshme, duke akuzuar regjimin për krime kundër njerëzimit ndaj minoritetit Tamil që jeton atje.
Regjimi i Rajapaksas është një nga më të ashprat dhe me tendenca totalitare: në vitin 2009 shtypi rezistencën e formacionit Tigri Tamil, i cili kishte arritur të lironte një pjesë të ishullit ku jeton minoriteti Tamil, por vetëm për pak kohë sepse forcat e sigurisë thuajse e shfarosën këtë minoritet.
Asgjë nuk mund të justifikojë zhdukjet, torturat dhe përdhunimet që vazhdojnë të rëndojnë mbi popullsinë Tamil. Por qeveria mohon gjithçka. Delegatët e 41 vendeve nga 54 gjithsej, që mbërrijnë këtë javë në Kolombo, marrin një libër prej 222 faqesh të titulluar “Corrupted Journalism“, i cili shpjegon se shumë nga gazetarët që tregojnë nëpër botë histori makabre për Sri Lankën, janë të paguar nga armiqtë e “qeverisë demokratike” të Kolombos. Zemërimi drejtohet mbi të gjitha ndaj britanikëve të “Channel 4 News”, të cilët në 4 vitet e fundit nuk janë lejuar të hynë në territorin e këtij shteti. Por, ministri i Jashtëm britanik është shprehur se nuk do të jetë i pranishëm në samit, nëse shtypi i vendit të tij nuk lejohet të marrë pjesë.
Dokumentari
Pikërisht “Channel 4” ka prodhuar së fundi një dokumentar mbi ngjarjet e 2009-s, të cilin kryeministri David Kamerun e komentoi si një nga dokumetarët më të trishtë që kishte parë ndonjëherë. Në të tregohen bombardimet në zonat civile, ekzekutime dhe përdhunime, që sipas Kamerun janë shumë të rënda dhe për të cilat qeveria e Sri Lankës duhet të përgjigjet. Kryeministri britanik shtoi se do të marrë pjesë, por se bota duhet të sigurohet që të ketë një hetim ndërkombëtar, prandaj do t’i shprehë shqetësimet e tij Rajapaksas javën e ardhshme.
Ndër të tjera, “Channel 4” shfaq një video të ekzekutimit të civilëve, më parë të torturuar e pastaj të zhveshur lakuriq dhe të lidhur, për të cilin qeveria e Kolombos ka drejtuar 4 hetime që kanë dalë të gjitha në përfundimin se videoja është false. Diametralisht i kundërt është opinioni i ekspertëve ndërkombëtarë, të cilët e kanë ekzaminuar.
Sipas OKB-së gjatë javëve të fundit të konfliktit civil humbën jetën 40.000 civilë. Ndërsa Banka Botërore pohon se 100.000 persona rezultojnë të zhdukur.
Vendet e Komonuelthit janë të ndarë, midis atyre që do ta bojkotojnë takimin sepse e dënojnë atë që e organizon dhe atyre që thonë se do shkojnë për t’i bërë të qartë shqetësimet e tyre në lidhje me masakrat. Sekretari i Shtetit britanik, Uilliam Hog, do të jetë i pari që do të vizitojë veriun e vendit. Në krye të delegacionit qeveritar do të jenë princi Çarls dhe bashkëshortja e tij Kamila, pas një vizite të gjatë të zhvilluar në Indi./D.Gjuzi
