Dy muaj hetime i kanë mjaftuar Antidrogës së Durrësit për të zbuluar një rrjet që vepronte në të paktën 5 qytete në trafikimin e drogave të lehta dhe të forta. Një sasi prej 110 kilogramë marijuanë dhe 500 gramë kokainë është kapur mëngjesin e djeshëm në një aksion të koduar me emrin “Stacioni”, vendi ku edhe do të shkëmbehej narkotiku. Në pranga ranë 5 persona të dyshuar dhe një i gjashtë u shpall në kërkim. Të arrestuarit janë nga qytetet e Laçit, Shkodrës, Krujës dhe Fushë-Krujës.
Aksioni kishte si synim kapjen e një grupi që merrej me grumbullimin e hashashit nga kultivuesit nga disa rrethe me qëllim shitjen në tregun e brendshëm. Gjatë këtij operacioni u arrestuan në flagrancë 5 anëtarë të organizatës dhe u shpall në kërkim një i gjashtë. Burime zyrtare thanë se të arrestuarit janë Bardhok Përndoi, 40 vjeç, banues në Laç, Gjon Shponi, 31 vjeç, banues në Gur i Zi Shkodër, Bledi Shyti (Zefi), 31 vjeç, banues në Vau i Dejës, Arjan Boka, 55 vjeç, banues në Krujë, Isuf Rama, 57 vjeç, banues në Fushë-Krujë. Po kështu, u shpall në kërkim si bashkëpunëtor edhe Alfred Balloku, 33 vjeç, banues në Kurbin.
Përgjatë veprimeve proceduriale që u ndërmorën gjatë operacionit policor, në banesën e Isuf Ramës, në Fushë-Krujë, u gjetën e sekuestruan 8 thasë me lëndë të thatë narkotike, rreth110 kg në total, si dhe rreth 500 gramë lëndë e dyshuar si narkotike e llojit kokainë. Policia ka përgjuar për javë të tëra bisedat dhe kontaktet e të dyshuarve në bashkëpunim edhe me prokurorinë. Pas ndjekjes së tyre me agjentë në terren, u bë edhe goditja finale në momentin e dorëzimit të narkotikut. Si prova materiale përveç drogës së sekuestruar janë marrë edhe telefonat celularë për të zbërthyer tabulatet në hetimet e mëtejshme. Për llogari të hetimit u sekuestrua edhe automjeti “Benz C Class”, me targa AA002CC dhe 12 copë telefona celularë. “Nga hetimet e deritanishme rezulton se lënda narkotike grumbullohej nga këta shtetas nga zona të ndryshme kultivimi si Shkodër, Laç dhe Krujë”, thanë burime zyrtare. Dyshohet se grupi ka edhe bashkëpunëtorë të tjerë, për të cilët po hetohet. Destinacion i narkotikut ka qenë kryesisht qyteti i Durrësit, ku bëhej edhe shitja më e madhe e mallit.
Të arrestuarit:
Bardhok Përndoi, 40 vjeç, Laç
Gjon Shponi, 31 vjeç, Shkodër
Bledi Shyti (Zefi), 31 vjeç, Shkodër
Arjan Boka, 55 vjeç, Krujë
Isuf Rama, 57 vjeç, Fushë-Krujë
Në kërkim:
Alfred Balloku, 33 vjeç, Kurbin
