Kukësi, Tirana dhe Partizani, kanë një arsye të fortë për të besuar se në javën e 26-të të Kategorisë Superiore, kampionët në fuqi të Skënderbeut nuk do të arrijnë të fitojnë me Flamurtarin në transfertë. Gjithçka lidhet me statistikat e përballjeve mes këtyre dy skuadrave në stadiumin e Vlorës. Është fakt që skuadra korçare e ka dominuar futbollin shqiptar gjatë katër sezoneve paraardhëse, duke u shpallur po kaq herë kampion i Shqipërisë, por nga ana tjetër është po kaq e vërtetë që juglindoret nuk kanë marrë qoftë një fitore të vetme në këtë periudhë dominimi të tyre në stadiumin “Flamurtari”.
Shorti i ka vënë përballë tri herë gjatë katër viteve të fundit në Kupën e Shqipërisë, por sërish korçarët nuk kanë mundur të triumfojnë në këtë impiant, pavarësisht se në përplasjen e fundit arritën të siguronin një biletë për në gjysmëfinale.
Duket disi e çuditshme, por statistikat janë kokëforta. Në kampionat bardhekuqtë nuk njohin fitore në fushën e kuqezinjve që nga sezoni 1976-1977. Pra prej 38-vjetësh, Skënderbeu nuk di të fitojë në Vlorë, edhe pse prej gati 5 vjetësh është skuadra më e fortë në vend. Formacioni ka shumë arsye për ta thyer këtë tabu që zgjat prej gati 4 dekadash, por më kryesorja ka të bëjë me titullin e 5-të radhazi kampion.
Skënderbeu mbetet rivali të cilit i druhen më shumë kundërshtarët në garën për titull, pasi luan futbollin më cilësor dhe mbetet një skuadër e konsoliduar. Flamurtari është ndoshta kundërshtari ideal për t’i ndalur korçarët, dhe këtë e thonë statistikat, por kuqezinjtë janë të tronditur nga akuzat e presidencës akuzat për tolerim ndaj Partizanit. A do të shërbejnë këto akuza për ta shkundur ekipin në prag të përballjes me Skënderbeun, apo do ta thellojë më tej krizën morale në kampin vlonjat? Kjo mbetet për t’u parë.
