Atmosfera festive e 100-vjetorit të pavarësisë ka përfshirë gjithë qytetin e Shkodrës. Mes aktiviteteve të shumta artistike, shkencore e letrare dhe dekorimit të gjithë qytetit, kanë qenë nxënësit e shkollave të mesme e 9-vjeçare ato që i kanë krijuar një atmosferë të veçantë në dy muajt e fundit këtij qyteti.
Që nga mesi i muajit shtator, me iniciativë të drejtuesve të arsimit në Shkodër, shkollat mesme të qytetit u përfshinë në aktivitetin e stafetës së flamurit, ku çdo javë flamuri pasohej nga shkolla në shkollë mes një aktiviteti kulturor të larmishëm me temë pavarësinë dhe atdheun.
Kjo stafetë nisi nga gjimnazi “28 Nëntori”, për t’u mbyllur po në këtë shkollë në pragun e 100-vjetorit të pavarësisë, me një koncert madhështor në oborrin e këtij gjimnazi, ku të pranishëm kanë qenë jo vetëm nxënës e mësues, por dhe qytetarë të Shkodrës si dhe drejtues vendorë. Atmosferës së veçantë të krijuar në aktivitetet e shkollave, ku përveç programit festa vazhdonte dhe për orë të tëra në oborret përkatëse, iu bashkuan dhe shkollat 9-vjeçare në qytet e fshat si dhe shkolla të mesme të fshatit.
Lidhur me aktivitetet e nxënësve shkodranë, qytetarë të Shkodrës shprehen se kjo ka qenë pjesa më e bukur e festimeve të 100- vjetorit të pavarësisë në Shkodër. Angazhimi i mësuesve dhe nxënësve, në bashkëpunim me prindërit ka dhuruar jo vetëm emocione, por ka bërë që të gjithë të përjetojnë ndjenja krenarie kombëtare dhe patriotizmi. “Gjithçka ka nisur si një stafetë e shkollave të mesme të qytetit që përmes aktiviteteve me temë atdhetarizmin përcollën flamurin e festës nga një shkollë në tjetrën.
Por kjo atmosferë përfshiu dhe shkollat jopublike, që përmes aktiviteteve të larmishme dhuruan emocione të papara ku ishin vetë nxënësit dhe mësuesit që hartonin programin dhe nxënësit angazhoheshin drejtpërdrejt jo vetëm me interpretime, por dhe me krijime të tyre në pikturë, aplikacion, poezi etj.
“Ka qenë padyshim atmosfera më festive e krijuar në shkollat e Shkodrës si dhe në të gjithë qytetin, duke bërë që të mbetet e paharruar në mendjet e secilit”, shprehet drejtoresha rajonale e arsimit në Shkodër, Atrida Ferketi. Festimet për 100-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë vazhdojnë për të kulmuar të mërkurën, ku bashkia ka programuar aktivitete gjatë gjithë ditës në Shkodër.
Albana Qemali