Stalini në oborrin e Mehmet Shehut

J L

Xhevdet Shehu

 

Jetojmë në një kohë paradoksesh të pashembullta dhe, realisht, nuk na bëjnë përshtypje disa gjëra që janë të papërfytyerueshme të ndodhnin.

Për shembull, askujt nuk mund t’i shkonte në mendja ndryshimi i emrit të një pjese të bulevardit kryesor të Tiranës, i njohur për më shumë se 70 vjet si Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” t’i ndryshohej emri në “Zogu I”. Bëhet fjalë për atë pjesë nga qendra e Tiranës deri tek ish-Stacioni i Trenit. Para 11 vjetësh Sali Berisha ngriti mu në pikën më dominonte të këtij bulevardi shtatoren e Ahmet Zogut, në piedestalin e të cilit pak më vonë do të shkruheshin epitetet më denigruese për ish-mbretin që ia mbathi më 7 prill 1939. “Tradhtar”, ishte epiteti më i përdorur i shkruar me bojë të zezë në piedestalin e Ahmet Matit.

Një paradoks tjetër ishte ngritja e një memoriali për Mit’hat Frashërin, për të cilin kemi shkruar shumë dhe reagimet kanë qenë shumë të ashpra.

Para pak ditësh, sikur të mos mjaftonin këto, u ngrit shtatorja e Geraldinës, apo sikurse e thërrasin ndryshe “Trëndafili i Budapestit” në bulevardin Zogu i Parë… Edhe për këtë kemi shkruar.

Por sot e kemi fjalën tjetërkund.

Po tregojmë se si është ringritur statuja e Stalinit në Tiranë.

Statujat e dy udhëheqësve të Kremlinit, Leninit dhe Stalinit, vazhdojnë të lartësohen në Tiranë, madje në zemër të saj, në ish-bllokun komunist. Pasi u hoqën në fshehtësi dhe natën tridhjetë e ca vjet më parë, statujat e Leninit dhe Stalinit që lartësoheshin, i pari para Galerisë së Arteve dhe i dyti përballë tij në parkun Rinia, u vendosën në një aneks a depo të Galerisë. Heqja e tyre u bë me urdhër të ish-udhëheqjes komuniste të kohës. Statujat u hoqën me kujdes dhe nuk u dëmtuan sikurse ndodhi me statujat e Enver Hoxhës pak më vonë.

Vitin e kaluar statujat e Leninit dhe Stalinit u rishfaqën sërish, jo më si ish-udhëheqës të adhuruar, por si atraksion turistik. Qeveria jonë aktuale ua gjeti dhe një vend të përshtatshëm dhe të sigurt: në oborrin-kopsht të vilës ku banonte dikur ish-Kryeministri Mehmet Shehu. Prej më shumë se 30 vjet ajo vilë shërben si rezidencë qeveritare, ku pushojnë një natë a disa net vizitorë të shquar nga bota. Statujat nuk ngrihen mbi piedestale të larta si dikur, por mbi një bazament thuajse rrafsh me tokën.

Përballë statujës së Stalinit (sikurse e shihni në këtë foto që po botojmë) është vendosur dhe një automjet tip gaz, nga ata që përdorte dikur Ministria e Brendshme për të arrestuar armiqtë e regjimit. Miku i gazetës DITA që na e mundësoi këtë foto ku është fiksuar vetëm Stalini, na tha se Lenini ndodhet përballë tij, por nuk duket në këtë foto dhe ai nuk mundi ta fotografonte.

Duket se këto dy statuja janë vendosur qëllimisht në ish-vilën e Mehmet Shehut, pasi  ai është konsideruar si dora e fortë më i rrepti ndër ish-udhëheqësit e regjimit komunist. Më tipiku si stalinist. Doni apo nuk doni, kështu në njëfarë mënyre evokohet edhe miqësia e ngushtë që udhëheqja komuniste e Shqipërisë ka patur për shumë vite për ish-Bashkimin Sovjetik dhe udhëheqësit e saj.

Share This Article
1 Comment
  • 1. Historia nuk mund te fshihet. Njerezit duhet te dine se cfare ka ndodhur, pse ka ndodhur dhe kush kane qene personazhet kryesore te ngjarjeve te ndryshme qe kane lene gjurme.

    2. Thone se Aristoteli kishte besuat dhe e klasifikuar nje skllav si nje vegel pune.

    3. Tani, sot, pas 2500 vitesh a duhet ti flakim, thyejme, asgjesojme, bustet e tij? Apo ta respektojme e te lexojme librat e tij qe kane ndricuar mendjet njerezore?

    4. Nje histori interesante eshte ajo e perandorit te Rome, Kostandini i Madh. Sipas historise, apo me mire sipas interpretimeve te historise, Kostandina ka vrare e prere ne mase.

    5. Por Kisha Katolike e ka shpallur shenjtor per
    ligjerimin nga ana e tij te Fese Krishtere.

    6. Thone se besimi i krishtere ka ndihmuar shume besusit e kasaj feje te kene nje aftesi me te madhe per te kontrolluat instiktet, inatet e zemerimet qe te cojne deri ne krime te tmerrshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *