Stalini: Shqipëria nuk do copëtohet. Ju mbron Amerika!

anazapta

Pjesa e dytë e bisedës sekrete të Stalinit me Enver Hoxhën më 23 mars të vitit 1949, sjell fakte të tjera me interes për publikun e gjerë, por më shumë për studiuesit e historisë. Ky takim i Enverit me Stalinin 65 vjet më parë botohet sipas versionit origjinal që gjendet në arkivat ruse dhe tregon shumë qartë se si janë luajtur fijet e politikës në parpaskenë dhe pse Shqipëria ndoqi atë rrugë për gati gjysmë shekulli.

Le të kujtojmë se ishte marsi i vitit 1949. Takimi në Kremlin ka filluar në orën 22 dhe ka zgjatur 2 orë e 10 minuta, duke përfunduar pak pas mesnate. Shqipëria vetëm tre vjet e pak më parë ishte çliruar nga pushtuesit nazifashistë. Ajo kishte një mal me probleme të brendshme e të jashtme. Mbi të gjitha, sikurse del në këtë bisedë të shefit të Kremlinit dhe udhëheqësit shqiptar, ekzistonte rreziku i copëtimit të mëtejshëm të vendit. Është vetë Stalini që qetëson Enver Hoxhën dhe garanton mos copëtimin e Shqipërisë nga Greqia dhe Jugosllavia…  E, megjithatë, vetëm katër muaj më pas do ndodhte ndërhyrja ushtarake greke në kufirin me Shqipërinë njohur tashmë me emërtimin ‘Provokacioni grek i 2 gushtit 1949’, dhe kur Enver Hoxha do të kërkonte ndihmën urgjente të Stalinit.

Vetëm pak muaj më parë, në nëntor të vitit 1948, ishte mbajtur Kongresi i Parë i Partisë Komuniste të Shqipërisë, i cili u m bajt në frymën e letrave të KQ të PK (b) të BS kundër Titos dhe planeve të Jugosllavisë. Kongresi dënoi Koçi Xoxen dhe disa bashkëpunëtorë të tij si agjentë të titistëve dhe shënoi prishjen përfundimtare të Shqipërisë me Jugosllavinë dhe kalimin e PKSH totalisht në krahun e Stalinit…

Teksti i kësaj bisede, ritheksojmë se është nxjerrë nga libri në dy vëllime, me titull: “Europa Lindore në dokumentet e arkivave ruse, 1944-1953”. Ky është një botim i përbashkët i pesë institucioneve shkencore më prestigjioze të Rusisë, në fushën e arkivave historike-shkencore: Akademia e Shkencave të Rusisë, Instituti i Studimeve Sllave, Shërbimi i Arkivave të Rusisë, Qendra e Ruajtjes dhe Studimit të  dokumentave të Historisë Bashkëkohore, Arkivi Shtetëror i Federatës Ruse.

Në këtë material që për herë të parë botohet e plotë në gazetën ‘DITA’ pa asnjë retushim, lexuesit do të gjejnë disa këshilla e vlerësime befasuese të Stalinit, lidhur me politikën e brendshme e të jashtme të Shqipërisë së asaj kohe.

Përktheu dhe përgatiti për botim: Ymer Minxhozi

 

(Vijon nga numri i djeshëm)

Shoku Stalin pyet nëse brenda Shqipërisë ka borgjezi tregtare kombëtare. Hoxha përgjigjet që në Shqipëri ka borgjezi tregtare, por ajo s’ka as fabrika, as dyqane, as shtëpi. Të gjitha këto asaj i janë marrë.

Shoku Stalin thotë se kjo s’është gjë e mirë. Borgjezia kombëtare do të mund të ndihmonte për të prodhuar disa mallra dhe për të bërë njëfarë tregtie, deri sa të forcohet shteti, sidomos nëse ndërmjet kësaj borgjezie tregtare kombëtare ka elementë, të cilëve u dhimbset liria dhe pavarësia e Shqipërisë. Të tillë elementë patriotikë ndërmjet borgjezisë duhen shfrytëzuar, dhe jo larguar. Shoku Stalin thotë se ai mund të sjellë një shembull nga praktika që ekziston në Kinën Veriore. Ndërmjet borgjezisë kombëtare kineze, ndërmjet fabrikantëve të vegjël e të mesëm dhe ndërmjet tregtarëve, ka të tillë që i mbështesin komunistët. Ne i këshilluam shokët kinezë të mos i largojnë këta elementë. Kjo pjesë kombëtare patriotike e borgjezisë mendon se vetëm komunistët mund të mbrojnë pavarësinë dhe lirinë e Kinës dhe se të gjitha partitë e tjera kanë falimentuar. Prandaj ajo po vendos kontakte me komunistët. Kjo pjesë e borgjezisë kombëtare është shkëputur nga Çan Kai Shia, sepse e pa që partia e Çan Kai Shisë nuk është e aftë të mbrojë një Kinë të bashkuar e të pavarur, sepse u bind që luftën për një Kinë të pavarur e bëjnë vetëm komunistët. Dhe borgjezia me të vërtetë i ndihmon komunistët. Siç dihet, Kina është e ndarë në dy pjesë: Veriore dhe Jugore. Disa shoqëri tregtare në veri të Kinës i furnizojnë komunistët kinezë me mallra nga jugu, duke përfshirë bile edhe mallra amerikane. Pyetjes përse e bëjnë ata një gjë të tillë dhe përse sakrifikojnë paratë e veta, ata i përgjigjen që nuk shohin, përveç komunistëve, askënd tjetër që mund të mbrojë pavarësinë e Kinës kundrejt Japonisë dhe Amerikës.

Lenini kurdoherë mendonte që, po qe se revolucioni ka karakter antiimperialist, karakterin e mbrojtjes së pavarësisë së vendit që ndodhet i kërcënuar, komunistët mund të kenë njëfarë bashkëpunimi me  borgjezinë kombëtare. Ky bashkëpunim është i lejueshëm në një etapë të caktuar në periudhën e parë. Këtë këshillë të Leninit duhet ta mbajnë mend shokët shqiptarë.

Në vendet e demokracisë popullore borgjezia kombëtare është skandalizuar me lidhjet e veta me pushtuesit gjermanë dhe italianë. Prandaj, kur trupat ruse hynë në këto vende, borgjezia iku me gjermanët. Në territorin e Shqipërisë s’ka pasur as trupa jugosIlave, as trupa sovjetike. Prandaj dikush nga borgjezia kombëtare ka mbetur, nëse shokët shqiptarë nuk i kanë masakruar të gjithë. Të largosh nga vetja një borgjezi që është për pavarësinë kombëtare të vendit dhe mund të ndihmojë, është një gjë që s’duhet bërë. Kjo ka të bëjë edhe me disa elementë të inteligjencies, që nuk i simpatizojnë komunistët, por e shohin që pavarësinë e vendit mund ta mbrojnë vetëm komunistët. Prandaj këta njerëz të inteligjencies, edhe pse nuk i simpatizojnë komunistët, mund t’u japin atyre njëfarë ndihme. Ata, gjithashtu, s’duhen larguar nga vetja. Bolshevikët rusë nuk kanë ndjekur një politikë të tille. Rusinë në çastin e revolucionit askush s’e pat pushtuar dhe askush s’e kërcënonte, po të mos llogaritim luftën me Gjermaninë. Prandaj revolucioni rus nuk kishte karakter antiimperialist. Tehu i tij qe drejtuar brenda vendit. Prandaj ka ndryshim midis asaj që ndodhte në Rusi dhe asaj që ndodh në Kinë, në Kore dhe në vende të tjera. Përderisa në Rusi s’kishte kërcënim të drejtpërdrejtë nga jashtë, borgjezia kombëtare ruse ishte armiku i papajtueshëm i revolucionit. Lufta me të zgjati disa vjet. Borgjezia ruse nuk ishte patriote. Ajo thërriste në ndihmë francezët dhe anglezët, i bënte thirrje intervencionit. Shokët shqiptarë, në politikën e tyre, nuk duhet të kopjojnë atë që ndodhi në Rusi ose në vende të tjera. Ata duhet të mbajnë parasysh veçoritë e vendit. Po qe se në Shqipëri do të gjenden kapitalistë të vegjël që do të çelin ndërmarrje, dyqane apo punishte të vogla, atyre u duhen dhënë patenta, t’u vihen taksa, por t’u jepet mundësi të merren me veprimtari tregtare dhe industriale, deri sa të forcohet ekonomia e Shqipërisë. Dhe kur të ndodhë kjo, atëherë do të krijohet një tjetër situatë dhe mund të shtrohet rishtaz çështja e  borgjezisë. Shoku Stalin pyet sa veta kanë ardhur në përbërje të delegacionit shqiptar. Hoxha përgjigjet se në delegacionin shqiptar ka 8 veta. Shoku Stalin kërkon që të përmenden anëtarët e delegacionit, duke treguar postet që ata mbajnë.

Hoxha përgjigjet që delegacioni qeveritar shqiptar përbëhet nga ai, kryetari i Komisionit
të Planit të Shtetit Spiro Koleka, zëvendëskryetar i Komisionittë Planit të Shtetit Koço Theodhosi, zëvendësministër i tregtisë Vasil Kati, zëvendësministër i industrisë Xhafer Spahiu, zëvendësministër i punëve botore Shinazi Dragoti, zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm kolonel Nexhip Vinçani. Përveç këtyre në përbërje të delegacionit është përfshirë edhe përfaqësuesi tregtar i Shqipërisë në Moskë Theohar Fundo. Hoxha shton se qeveria shqiptare cakton Koço Theodhosin si përfaqësuës të sajin në Këshillin e Ndihmës Ekonomike Reciproke.

Shoku Stalin pyet se kush është komandant i përgjithshëm i ushtrisë shqiptare. Hoxha përgjigjet se komandant i përgjithshëm është ai vetë. Shoku Stalin thotë që sovjetikët, bolshevikët, kanë një parim të tillë në ndërtimin e organeve udhëheqëse të shtetit: në se në vend predominojnë myslimanët, në qeveri shumica duhet t’u përkasë po ashtu myslimanëve. Popullit s’duhet t’i dhunohet feja. Populli s’ka për ta kuptuar pse në krye të qeverisë qëndrojnë jo myslimanët, në një kohë kur në vend shumica janë myslimanë. Këto janë gjëra elementare, por në Jugosllavi s’e kanë kuptuar këtë. Natyrisht, kjo s’do të thotë që në qeveri duhet të jenë vetëm myslimanët, duhen zgjedhur njerëz të aftë nga pakicat kombëtare për të ruajtur unitetin e popullit. Pjesëmarrja në qeveri e përfaqësuesve të pakicave kombëtare dhe fetare do t’i sigurojë stabilitet vendit. Shoku Stalin thotë se don të pyesë a i kanë marrë shqiptarët nga BRSS pajisjet për ushtrinë, gjë që në kohën e vet e ka kërkuar shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Shqipërisë. Hoxha përgjigjet që hëpërhë ata pajisje s’kanë marrë, por, siç ka dëgjuar, ato janë në
rrugë.

Shoku Stalin thotë se ishte vendosur të dërgoheshin këto pajisje. Hoxha kërkon leje të kalojë në problemet ekonomike dhe thotë se në Shqipëri është hartuar një plan dyvjeçar i rimëkëmbjes së ekonomisë popullore të vendit. Ky plan parashikon, së pari, krijimin e ndërmarrjeve të reja industriale për prodhimin dhe përpunimin e tekstilit, pambukut, sheqerit, pyjeve për lëndë ndërtimi e të mallrave të tjera për nevojat e vetë Shqipërisë. Së dyti, në plan i kushtohet vëmendje forcimit të punimeve në fushën e kërkimeve gjeologjike dhe zgjerimit të nxjerrjes së mineraleve. Parashikohet gjithashtu të ndërtohet naftësjellësi Patos-Vlorë dhe një uzinë për përpunimin e naftës me kapacitet 150 mijë tonë në vit. Plani parashikon përpunimin dhe zbulimin e mineraleve të tillë si bakri, kromi, bitumi. Sipas planit, duhet të ndërtohet një central elektrik për të siguruar me energji kombinatin e tekstileve. Lidhur me transportin plani parashikon forcimin e transportit automobilistik dhe vazhdimin e ndërtimit të hekurudhës Durrës-Elbasan. Për sa i përket bujqësisë, sipas planit, mendohet të shtohet sipërfaqja e tokave nën ujë, me anën e përdorimit të agroteknikës së re. Plani nuk parashikon shtimin e prodhimit të makinave bujqësore, pasi për vendin mjaftojnë ata traktorë që ai ka marrë nga Bashkimi Sovjetik. Shoku Stalin pyet çfarë hekurudhe mendohet të ndërtohet. Hoxha përgjigjet që në Shqipëri është duke u ndërtuar hekurudha Durrës-Elbasan. Vitin e kaluar u ndërtua pjesa e parë e kësaj rruge, Durrës-Peqin me një gjatësi prej 37 km. Plani dyvjeçar parashikon ndërtimin e sektorit nga Peqini në Elbasan me gjatësi 30 km. Shoku Stalin pyet nëse shqiptarët kanë marrë shina nga BRSS.

Hoxha përgjigjet që shinat, vagonat dhe materialet e pajisjet e tjera shqiptarët i kanë marrë. Hoxha thotë se plani dyvjeçar parashikon gjithashtu zgjerimin e rrjetit të shkollave dhe shtimin e numrit të shtretërve në spitale. Për realizimin e planit Shqipëria shpreson në ndihmën nga ana e Bashkimit Sovjetik me makineri e pajisje. Nga ana tjetër, Shqipëria ka përfunduar edhe marrëveshje tregtare me vendet e demokracisë popullore dhe ka marrë kredi nga Çekosllovakia, Hungaria dhe Polonia. Tani një delegacion shqiptar është duke zhvilluar bisedime me Rumaninë, dhe pastaj do të niset për në Bullgari. Shoku Stalin përgjigjet se ne do të japim ndihmë aq sa do të jetë e mundur. Duke bërë shaka, shoku Stalin thotë që ne shpresojmë se vetë shqiptarët gjithashtu do të punojnë. Hoxha thotë se shqiptarët do të vënë të gjitha forcat për realizimin e planit. Hoxha deklaron se Shqipëria dëshiron të bëjë edhe një kërkesë për dërgimin e specialistëve sovjetikë, ndër të tjera, për të ndihmuar në ndërtimin e kombinatit të tekstileve dhe atij të sheqerit. Shoku Stalin përgjigjet se ne njerëz do të dërgojmë, por që në Shqipëri duhen përgatitur kuadrot e veta. Njerëzit tanë do të qëndrojnë në Shqipëri përkohësisht, pastaj do të kthehen në Bashkimin Sovjetik. Shqipëria duhet të ketë kuadrot e veta të përhershme kombëtare, kjo është gjëja më e rëndësishme.

Hoxha thotë se qeveria shqiptare do të bëjë gjithçka që të shkojë në këtë rrugë. Hoxha deklaron se qeveria shqiptare drejton një kërkesë për të dërguar në Shqipëri një grup për kërkime gjeologjike, si dhe një grup për të studiuar burimet elektro-energjetike të Shqipërisë. Shoku Stalin përgjigjet se kjo mund të bëhet. Shoku Stalin pyet nëse ka në Shqipëri qymyr. Hoxha përgjigjet që qymyr në Shqipëri ka pak, disa shtresa të tij ndodhen në rrethet e Tiranës dhe të Korçës. Përveç kësaj, italianët kanë zbuluar vendburime qymyri më në jug të Shqipërisë. Shoku Stalin pyet me se punojnë hekurudhat, me qymyr apo me naftë.

Hoxha përgjigjet që hekurudhat punojnë me qymyr, por qymyri në Shqipëri nuk është i mirë. Hoxha thotë që tani për Shqipërinë një problem të madh përbën organizimi i udhëheqjes së organeve të sigurimit të shtetit. Lidhur me këtë qeveria shqiptare lutet të lejohet të dërgojë në BRSS 20 oficerë në kurse speciale. Pasi të kenë kryer kursin këta oficerë, qeveria shqiptare do të dëshironte të dërgonte edhe 20 oficerë. Po qe se kjo është e pamundur, qeveria shqiptare lutet të dërgohen në Shqipëri disa instruktorë sovjetikë, të cilët do të mund të organizonin kurse të tilla në Shqipëri. Shoku Stalin përgjigjet që oficerëve që do të vinë në BRSS në kurse speciale do t’u duhet në fillim të mësojnë gjuhën ruse dhe pastaj të merren me vetë punën. Prandaj efekti do të jetë më i shpejtë, po qe se do të dërgojmë në Shqipëri instruktorë. Hoxha thotë se Shqipëria ka nevojë gjithashtu për dy instruktorë për Ministrinë e Punëve të Brendshme: një instruktor për policinë dhe tjetri për ndjekje penale. Shoku Stalin thotë se instruktorë të tillë mund të dërgohen. Hoxha pyet nëse qeveria shqiptare mund të marrë në BRSS materiale të shkruara mbi punën dhe organizimin e organeve të policisë.

Shoku Stalin përgjigjet që qeveria shqiptare mund të marrë materiale të tilla. Hoxha thotë se do të dëshironte të prekë edhe një çështje shumë të rëndësishme për Shqipërinë. Puna është që shifrat shqiptare janë hartuar në bazë të kodit jugosllav. Prandaj jugosllavët kanë mundësi të deshifrojnë të gjitha telegramet shqiptare. Qeveria shqiptare lutet të dërgohet një instruktor sovjetik, i cili mund të ndihmojë Ministrinë e Punëve të Brendshme për hartimin e një shifre të re. Shoku Stalin interesohet nëse duhet një instruktor i tillë për Ministrinë e Punëve të Jashtme. Shoku Stalin pyet nëse MPJ e Shqipërisë përdor shifër.

Hoxha përgjigjet që MPJ e Shqipërisë përdor shifër, por kjo shifër ruhet pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme. Hoxha thotë se qeveria shqiptare lutet gjithashtu të na dërgohen dy impiante radiopelengatore me pajisjet dhe teknikët e duhur. Hoxha shton se organet e sigurimit të shtetit të Shqipërisë kanë konstatuar se në Shqipëri ka disa radiotransmetues të fshehtë, njëri prej të cilëve është vendosur diku në zonën e qytetit të Shkodrës. Shoku Stalin përgjigjet që impiante radiopelengatore mund të dërgojmë. Shoku Stalin thotë se shoku Vishinskij do të jetë drejtues për përgatitjen e përgjigjeve delegacionit qeveritar shqiptar dhe se ai do t’i shqyrtojë të gjitha kërkesat. Hoxha mund t’i parashtrojë shokut Vishinskij të gjitha çështjet që i interesojnë qeverisë shqiptare. Shoku Stalin përsërit që ne do ta ndihmojmë Shqipërinë. Hoxha thotë se do të donte të prekte çështjen jugosllave. Marrëdhëniet ekonomike dhe politike midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë janë ndërprerë.

Shoku Stalin pyet nga kush janë ndërprerë këto marrëdhënie. Hoxha thotë se këto marrëdhënie janë ndërprerë nga Shqipëria. Hoxha thotë se jugosllavët po zhvillojnë një propagandë të sforcuar kundër Shqipërisë, si nga territori i vetë Jugosllavisë, ashtu edhe brenda Shqipërisë, duke krijuar atje në mënyrë metodike rrjetin e vet agjenturial. Veç kësaj, jugosllavët bëjnë një propagandë intensive në kufijtë veriorë të Shqipërisë, duke u përpjekur të nxitin qytetarët shqiptarë të arratisen nga Shqipëria në Jugosllavi. Kjo propagandë ka pasur njëfarë suksesi, dhe një numër mjaft i madh fshatarësh është arratisur në Jugosllavi nga Shqipëria veriore. Jugosllavët përpiqen të marrin në duart e veta udhëheqjen e bandave që po bëjnë kërdinë në rrethet veriore të Shqipërisë. Udhëheqësit jugosllavë përpiqen të bashkojnë dhe të organizojnë elementët reaksionarë brenda Shqipërisë, në mënyrë që me ndihmën e tyre të përmbysin regjimin ekzistues në Shqipëri. Pak kohë më parë u zbulua një bandë e drejtuar nga misioni jugosllav dhe më 21 mars banditët dolën para gjyqit shqiptar. Shoku Stalin pyet nëse ka në Shqipëri ambasador jugosllav dhe nëse janë ruajtur
marrëdhëniet diplomatike.

Hoxha përgjigjet pozitivisht. Hoxha thotë se shqiptarët po ashtu nuk rrinë duarlidhur. Ata zhvillojnë veprimtarinë e vet kundër trockistëve jugosllavë dhe mbajnë kontakt me pakicën shqiptare që jeton në Jugosllavi. Përveç kësaj, shqiptarët kanë organizuar emigracionin e jugosllavëve, ndonëse edhe ndaj jugosllavëve që vijnë në Shqipëri na duhet të mbajmë një qëndrim shumë të kujdesshëm, pasi midis tyre ka njerëz të Rankoviçit. Shoku Stalin vëren që Rankoviçi po i përhap agjentët e tij. Hoxha thotë se, për mendimin e tij, klika e Titos do të asgjësohet si rezultat i luftës politike që do të  thehet në një lëvizje partizane të armatosur. Shoku Stalin thotë se kjo nuk përjashtohet.

 

Stalini: Amerika nuk do që Shqipëria t’i përkasë Anglisë

Hoxha, duke kaluar në çështjen greke thotë se shokët shqiptarë do të donin të mësonin mendimin e shokut Stalin për çështjen nëse Shqipërinë e rrezikon një sulm i drejtpërdrejtë nga ana e Greqisë, duke pasur parasysh provokacionet e përhershme të trupave monarko-fashiste dhe gjithfarë komplotesh për ndarjen e Shqipërisë. Morali i ushtrisë monarko-fashiste në Greqi është shumë i ulët, pavarësisht nga ndihma e vazhdueshme amerikane për ushtrinë greke. Në të njëjtën kohë gjendja morale e ushtrisë demokratike është e lartë. Ushtria demokratike greke tani është pajisur dhe armatosur mirë. Hoxha thotë se megjithatë disa momente në qëndrimin e shokëve grekë ngjallin dyshime. Ndër të tjera, ai, Hoxha, është i mendimit që ushtria demokratike e Greqisë është e shkëputur nga populli, meqenëse monarko-fashistët po e evakuojnë popullsinë nga rajonet që kërcënohen nga ushtria demokratike, kurse ushtria demokratike nga ana e saj po evakuon në Shqipëri popullsinë nga rajonet e zëna prej saj.
Shoku Stalin sqaron se kjo ndodh në ato vende ku zhvillohen luftime.

Hoxha pajtohet me këtë. Hoxha thotë se atij i duket disi e çuditshme forma e organizimit të udhëheqjes në qeverinë dhe ushtrinë e Greqisë demokratike. Nga biseda me Zahariadhisin dhe me shokët grekë Hoxhës iu krijua përshtypja, se ata në njëfarë mase e errësojnë rolin udhëheqës të partisë. Në ushtri s’ka komisarë politikë. Zahariadhis, për shkak të një modestie të pakuptueshme, për Hoxhën, deri tani nuk është kryetar i qeverisë. Hoxha është i mendimit që të gjitha këto janë shkaktuar nga gabimet e kohës së Markosit, kurse në çështjen e komisarëve politikë ndiqet reflektimi i gabimeve të mëparshme të EAM-it dhe ELAS-it.

Shoku Stalin thotë se shokët grekë nuk e afishojnë rolin e partisë komuniste, sepse u bëjnë apel masave demokratike dhe duan të tregojnë që luftën e bën i gjithë populli. Këtu ata veprojnë drejt. Përsa u përket komisarëve politikë, ata nuk ekzistojnë më as në ushtrinë sovjetike. Komisarët politikë nuk duhen kur udhëheqja e ushtrisë në fakt u përket vetë komunistëve.

Shoku Stalin thotë se llafet lidhur me copëtimin e Shqipërisë janë sajuar për të frikësuar shqiptarët. Siç dihet, pavarësia e Shqipërisë është siguruar me Deklaratën e tri fuqive, Amerikës, Anglisë dhe BRSS. Natyrisht, Deklarata mund të shkelet, por kjo s’është aq e lehtë. Përsa u përket grekëve të Caldarisit, ata mezi qëndrojnë në këmbë që të flasin seriozisht për copëtimin e Shqipërisë. Në qoftë se shqiptarët do të mbajnë qëndrim të drejtë, nuk do t’i shajnë shumë imperialistët, nuk do t’i cytin ata, por do të sillen më me modesti, Shqipërinë askush s’ka për ta prekur. Amerika dhe Anglia nuk duan që Shqipëria t’i përkasë Italisë, sepse kjo do të forcojë Italinë; nuk duan që ajo t’i përkasë Greqisë, pasi kjo do të forcojë Greqinë; nuk duan që Shqipëria t’i përkasë Jugosllavisë. Për më tepër, Amerika nuk do që Shqipëria t’i përkasë  Anglisë. Për këtë shkak ata janë për ruajtjen e pavarësisë së Shqipërisë.

Biseda zgjati 2 orë e 10 minuta.
Shënimet i mbajti V. Erofejev.


 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *