Starova: Drejtimin e Partizanit e ka marrë Moxhi

Dita

Gjatë ditës së djeshme, ka qarkulluar një lajm se Sulejman Starova është dorëhequr si trajner i Partizanit, por lajmi është përgënjeshtruar menjëherë nga klubi.

Të mërkurën në darkë trajneri Starova, i ftuar në emisionin “Rubrika Sportive” në RTSH, për të komentuar finalen e Kupës së Shqipërisë, pohoi se do të dalë në pension te Partizani, por tregoi arsyet pse i ka humbur dëshira që vijojë si trajner.Starova Antalja

“Fiziku ma lejon të trajnoj përsëri, por goditja që pësova këtë sezon më dekurajon. Duke qenë pretendent gjatë gjithë kohës, merr goditje pas shpine nga ata që kanë përcaktuar fatet e futbollit. Është thënë që do të dal në pension te Partizani, ndaj nuk ka pse të diskutohet më tej e ardhmja ime”, u shpreh fillimisht Starova.

PLANI I MOXHIT

Partizani i sezonit të ri pritet të nisë me bekimin e Luçiano Moxhit, i cili ka firmosur një marrëveshje 3- vjeçare me presidentin Demi. Trajneri Starova, gjatë prononcimit të tij në “Rubrika Sportive”, zbardhi edhe planin e Partizanit të Luçiano Moxhit. Sipas trajnerit Starova, të kuqtë do të ndjekin një sistem që i siguron të ardhura klubit duke prodhuar dhe shitur lojtarë.moxhi starova

“Moxhi ka marrë drejtimin e skuadrës me një sistem, ku futbollistët do t’i përzgjedhë shoqëria dhe trajneri do të pranojë objektivin. Qëllimi është jo afatshkurtër, por afatgjatë si çdo skuadër e vogël që funksionon në gjithë botën. Pra, do të marrësh futbollistë me pak lekë dhe t’i shesësh me shumë lekë. Futboll pa para nuk ka. Ky sistem e çon skuadrën përpara.

Mund të krijosh një ekip për të kaluar dy-tre ture në Kupat e Europës, që të japin disa të ardhura. Por në fund bëhet bilanci vjetor dhe i bie që për 35 vite të tjera nuk do të shesësh lojtarë. Nuk mund të ecin klubet gjithmonë me humbje. Me largpamësinë e presidentit, por edhe me afrimin e Moxhit, që e konsideroj si fatin e dy palëve, Partizani do të ecë përpara”, u shpreh trajneri Sulejman Starova.

GARANCIA E “BIG LUCIANO”-S

Ish-drejtori i Juventusit, i cili në Itali kishte nofkën “Big Luciano”, njihet si mbreti i merkatove të futbollit. Për këtë arsye, presidenti Gaz Demi ia ka lënë në dorë Moxhit ndërtimin e Partizanit të ri. Puna ka nisur prej ditësh, madje janë vendosur edhe lojtarët që ish-drejtori juventin do të sjellë te “demat”.

Mësohet se drejtuesit e kuq i kanë kërkuar Moxhit që të mbajnë në ekip Kaleb Ekubanin, i cili ka qenë golashënuesi më i mirë i të kuqve. 79-vjeçari e ka pranuar kërkesën e drejtuesve, pasi Ekuban mund të bëjë pjesë në skuadrën që ai mendon, por edhe po iku, nuk e shikon problem.

Madje, mësohet se Moxhi u ka dhënë garanci drejtuesve të lartë të klubit se ai është i gatshëm t’i sjellë Partizanit lojtarë tre herë më të mirë sesa Ekubani. Sulmi i skuadrës së sezonit të ri do të ndërtohet sipas shijeve të Moxhit, por mbetet për t’u parë se kush do të jetë trajneri i ri.

Burime pranë klubit kanë bërë me dije se ish-drejtori juventin pëlqen bashkëpunimin me Starovën, meqenëse “Bobi” është edhe një filo-italian.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *