Skënderbeu është një prej skuadrave më të forta deri në këtë fazë të Champions League. Verdikti vjen nga statistikat, për skuadrat e kualifikuara në fazën play-off. Sipas të dhënave zyrtare të UEFA-s, të paktën në letër dhe për atë që ka paraqitur në dy ture kualifikuese, Kampionët e Shqipërisë qëndrojnë më lart se Dinamo Zagreb.
Në prag të takimit në “Elbasan Arena”, në krahasimin e statistikave korçarët janë superiorë. Me 5 gola të shënuar, Hamdi Salihi fiton sfidën në letër me yllin e kroatëve, Marko Pjaca, që numëron 3 rrjeta.
Salihi qëndron përpara Pjaca-s edhe përsa i takon tentativave drejt portës, në kuotën 8 me 7. Orges Shehi me 10 pritje të neutralizuara fiton duelin me portierin Eduardo të Dinamos, që ka 9.
I vetmi barazim, në kuotën 1 me 1 është ai rreth lojtarëve që kanë dhënë asist për gol, në krahasimin ndërmjet Latifit dhe Paulo Machado-s. Skënderbeu është i pozicionuar mirë edhe në seksionin e UEFA-s për statistikat e Champions League. Hamdi Salihi është golashënuesi më i mirë i turneut.
Me 10 gola të realizuar, korçarët janë ekipi që ka shënuar më tepër në kualifikuese, duke lënë pas Maçabi Tel Aviv, Molde, Partizanin e Beogradit dhe Dinamon e Zagrebit.
Skënderbeu e sheh veten në pozicionet e sipërme të renditjes për tentativa drejt portës, me 50 të tilla. Kjo renditje speciale kryesohet nga armenët e Pyunik, të ndjekur nga BATE Borisov e Videoton. Të besuarit e Mirel Josës janë një prej ekipeve më aktive në fazën sulmuese, me 24 goditje këndi të fituara.
Statistikat nuk gënjejnë asnjëherë. Jo rastësisht Skënderbeu sfidon Dinamo Zagreb, një duel i cili pak javë më parë as që mund të imagjinohej.
ORE PO CUNAT TE SHIKOJNE TE JAPIN MAKSIMUMIN NE FUSHE, POR PER KETO LLAFE NUK JA NDJEN FORT DINAMOS, JANE EKIP I SPROVUAR.