Në një anketim të Institutit të Statistikave që ka bërë për situacionin e forcës së punës në tremujorin e fundit të vitit 2014 ka konkluduar se, 87,5 % e të papunëve u drejtohen të afërmve apo miqve/shokëve për të gjetur një punë.
Kjo metodë e kërkimit për punë është e kombinuar me aplikimin direkt tek një punëdhënës (47,1 %) si dhe me vendosjen e lajmërimeve në gazeta, studimin e lajmërimeve për vende të lira pune në gazeta etj. Gjatë tremujorit të katërt të vitit 2014, personat që po kërkonin punë për herë të parë përbënin 59,9 % të punëkërkuesve të papunë.
Sipas të dhënave të INSTAT numri i personave që e kërkojnë punën me mik është rritur gjatë këtij viti. Në anketën e tremujorit të parë të 2014, ju drejtuan mikut për punë 83,7% e të papunëve, ndërsa në fund të vitit 2014 të papunët që kërkojnë punën me mik arritën në 87.5%.
Sipas po këtij anketimi, gjatë tremujorit të katërt 2014 në Shqipëri, numri i personave të moshës 15-64 vjeç që kërkojnë punë në mënyrë aktive është 227.407 persona. Shkalla e papunësisë për popullsinë 15-64 vjeç është 18 %. Për këtë grup-moshë, shkalla e papunësisë mbetet më e lartë për meshkujt sesa për femrat, përkatësisht 19,4 % dhe 16,1 %.
Krahasuar me tremujorin e tretë të po 2014, në tremujorin e katërt vihet re një rritje e shkallës së papunësisë prej 0,6 pikë përqindje. Për meshkujt shkalla e papunësisë ka pësuar një rënie të lehtë prej 0,2 pikë përqindje, ndërsa për femrat ka një rritje prej 1,6 pikë përqindje. Shkalla e papunësisë për personat me arsim të mesëm të përgjithshëm është 24,3 % ose 6,3 pikë përqindje më e lartë se niveli mesatar kombëtar.
Personat me arsim të lartë kanë një shkallë papunësie prej 19,8 %. Për personat me arsim të mesëm profesional dhe ato me arsim deri në 8/9 vjeçar shkalla e papunësisë është përkatësisht 13,9 dhe 14,5 %. Gjatë tremujorit të katërt 2014 për të rinjtë e moshës 15-29 vjeç shkalla e papunësisë është 33,9 %. Krahasuar me tremujorin pararendës, shkalla e papunësisë për të rinjtë u rrit me 1,5 pikë përqindje. Për popullsinë 30-64 vjeç në tremujorin e katërt 2014 shkalla e papunësisë është 12,8 %.
