‘Topi’ i statusit tanimë është në fushën e BE. Qeveria e bëri të sajën. Lidershipi i PD po ashtu të tijën duke rikonfirmuar zakonin ‘kontrapedal’ ndaj integrimit në tranzicion. Nëse sot çdo arritje në integrim është shumë pak dhe shumë vonë, në këtë pengmarrje hasen kudo gjurmët e ‘gishtrinjve’ të abuzimit antidemokratik të lidershipit të PD në pushtet apo jo.
Lidershipi i PD tashmë ka humbur çdo meritë në lidhje me marrjen e statusit. Edhe nëse dikur mbushi ca ‘kova’ në qeverisje, sapo në opozitë i dha shkelmin duke dëshmuar me të falsitetin dhe groteskun (peticione intelektualësh, numërime mbrapsht në bulevard etj) e përdëllimit të djeshëm në qeverisje.
Statusi dhe ‘kontrapedali’ blu
E ndërsa i mbylli ‘gojën’ vetes për integrimin, progresi i statusit mbetet jetik për vetë mbijetesën e lidershipit të PD. Një vit pas zgjedhjeve, qershori mbetet shansi i fundit për të trumbetuar si meritë trashëgiminë e qeverisjes së saj. Nëse statusi shtyhet, ‘merita’ e ish qeverisjes zbehet pafund.
Kontributi për integrimin jepet edhe në opozitë por sot lidershipi i PD po bën sa ka në dorë për ta komplikuar atë me tensionimin non-stop dhe artificial të klimës politike, stisje kauzash dhe protestash groteske etj nëpërkëmbje konstante të interesit kombëtar sikurse me refuzimin e Kushtetutës, anatemimin e UÇK, denoncimin e Rambujesë, marrëveshjen e ujrave, armët kimike etj.
Si dikur, edhe sot, pirueta politike, mungesa e luajalitetit dhe demagogjia në politikë mbetet natyrë e dytë e lidershipit të PD. Një qasje kjo e kundërt me sjelljen e opozitës së majtë në 2009 kur në prag të pranimit në NATO, ndonse Gërdeci nxirrte ende tym, mori përsipër kosto politike përballë krimit shtetëror për hir të një interesi madhor. PD sot jo vetëm shpik kauza ndaj një qeverisje që i thonë të gjithë punë e mbarë por, sikurse monopolizoi dikur meritën e NATO (partnershipi kishte avancuar edhe me socialistët), me shumë gjasa dhe ndonse e ka bërë ‘mullar’ në opozitë, sërisht pretendon t’i veshë merita vetes nëse statusi kalon në qershor.
Anti-integrim në emër të kujt!
Statusi i kandidatit i leverdis kujtdo, përveç atyre që duan të shijnë në anarkinë e tranzicionit apo që janë në ‘borderonë’ e qarqeve antishqiptare në rajon. Demokrat apo socialist, grevist urie, i papunë apo i punësuar, biznesmen apo punëtor krahu etj, të gjithë fitojnë nga forcimi i rregullave të lojës, respektimi i pronës, mbrojtja ligjore, shanse dhe siguri në jetë e biznes etj. Të gjithë kanë shanse më shumë një hap më pranë BE sesa matanë ‘gardhit’ të saj. Përfshirë këtu edhe lidershipin politik të përfolur për abuzim për një drejtësi objektive në vënd të hakmarrjes politike siç rëndom në tranzicion.
Për rrjedhojë, kundërvënia e lidershipit të PD ndaj progresit të statusit nuk ka sens dhe nëpërkëmb interesin kombëtar përkundrejt gjeopolitikave antishqiptare në rajon. Nëse shpresohet se humbja e statusit do e bëjë me ‘hije’ qeverinë duke dekurajuar drejtësinë ndaj abuzimit të djeshëm elitar, kjo mbetet për t’u parë. Jo vetëm se statusi nuk do të ndikohet nga tensionimi artificial ‘made in PD’ (perëndimi e njeh më mirë politikën shqiptare) por sepse edhe nëse refuzohet, qeveria nuk ka më çfarë të humbasë dhe me ‘duart’ e lira matanë ‘gardhit’ të BE, do ketë të gjithë arsyet ta shndërrojë ndëshkimin e abuzimit elitar në emergjencë kombëtare.
Në rast refuzimi, humbja e statusit nuk do përjetohet aq keq nga qytetari shqiptar nëse vëren se drejtësia funksionon më pas. Aq sa ngushëllon drejtësia edhe pa status, po aq mund dhe të zhgënjejë marrja e statusit pa drejtësi më pas.
E djathta që meritojmë
Cilidoqoftë fati i statusit, ai do të jetë bumerang politik ‘terminal’ për lidershipin e PD duke u pasuar nga nevoja urgjente për riformatim të PD e të djathtës në përgjithësi. Qytetari nuk e meriton papërgjegjshmërinë e lidershipit të PD, e po ashtu e djathta dhe opozita nuk e meriton që ai të jetë ‘zëdhënësi’ i saj. Përballë mazhorancës, sot ka vakum shprese dhe elektorati po privohet nga alternativa e djathtë moderne që mbetet mision i individëve me reputacion dhe integritet, brënda dhe jashtë vëndit, parti ‘rebele’ si FRD apo PLD, politikanë idealistë brënda PD etj. Është koha e inisiativave konkrete dhe jo e llafeve apo pritjeve pafund se diçka e mirë do të dalë nga ‘furra’ e PD.
E ndërsa idealistët e së djathtës duhet të bëjnë të tyren, media radikale dhe e pavaruar duhet të bëjë të sajën. Koha e ‘fosileve’ politike dhe përsiatjeve monotone rutinore të lidershipit të PD në FB etj ka kaluar dhe ato nuk duhet të serviren më si kryetituj mediatik apo referenca për opozitarizmin ndaj qeverisjes së majtë. E djathta moderne kërkon një shans dhe media duhet ta ofrojë atë.
BE pa komplekse
Statusi është test si për vokacionin europian të politikës e perceptimin qytetar në vënd ashtu dhe retorikën e BE për perspektivën europiane në rajon (ndaj të cilit ajo ka borxhe historikisht). Nëse BE e ‘lodhur’ nga prurjet kërkon alibira, PD ua ofron me bollëk nga grevat e urisë me urdhër partie, trafiqe imagjinare droge etj që ‘ngjit’ teksa vetë në BE ka klientelizëm politik që i bën jehonë opozitës së mbrapshtë të PD. Dhe nëse korrupsioni është sebep, kërkesa për luftë ndaj tij është kontradiktore me sinjalet ‘perëndimore’ për të mos prekur kokat e tij.
Ringritja e ekstremizmit në Europë mbetet alibi dhe jo arsye për refuzimin e statusit të Shqipërisë. Nacionalizmi në Europë (paradoksalisht i kundërvihet BE ndërkohë merr pjesë në zgjedhjet e PE) nuk mund të imponojë ndaljen e zgjerimit të BE sa kohë synon daljen prej tij (përkundrazi, me Shqipërinë si ‘dele’ të zezë, do e kenë më të lehtë argumentimin e braktisjes së BE).
Shqipëria nuk po kërkon ‘leje’ për të ulur në tryezën e BE por për të vrapuar si gjithë të tjerët ‘maratonën’ drejt saj. BE dhe zgjerimi i saj nuk është komoditet por domosdoshmëri historike për paqe të përhershme në kontinent. Derivat i saj është perspektiva e vetë NATO për rrjedhojë konsolidimi i BE është prioritet për europianët dhe SHBA bashkë që si partnerë historik të kombit shqiptar do të kenë peshën e tyre në fatin e statusit këtë qershor.
Por sikurse me anëtarësimin në NATO realiteti dëshmon se qytetari shqiptar nuk ‘ngopet’ me statuse formale por me progresin real të demokracisë dhe shtetit ligjor, që statusi të mos degradojë në ‘medalje’ elektorale, qeveria Rama duhet ta bëjë të prekshme atë nga xhepi i qytetarit deri tek ligji njëlloj për të gjithë.
