Ministria e Punëve të Jashtme përshëndeti vendimin e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të Bashkimit Evropian për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE, si një hap në realizimin e aspiratës evropiane të vendit tonë. Në një deklaratë për shtyp kjo ministri vlerësoi se vendimi i Bashkimit Evropian është një njohje e arritjeve të reformave ambicioze e gjithëpërfshirëse të ndërmarra nga Shqipëria.
“Ky vendim është, gjithashtu, një inkurajim për përpjekje të mëtejshme në procesin e reformave. Shqipëria e sheh statusin e vendit kandidat si çeljen e një rruge që do të kërkojë reforma edhe më të thella, për t’u përgatitur për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit. Qeveria ka angazhimin më të lartë për kryerjen e këtyre reformave, veçanërisht të atyre që lidhen me sundimin e ligjit, me bindjen se vetëm një transformim i thellë modernizues do të realizojë aspiratën tonë për ta parë Shqipërinë anëtare të denjë të familjes evropiane”, thuhet në deklaratë.
