Irlanda vijon t’i japë mbështetjen e saj Shqipërisë për marrjen e statusit kandidat ashtu siç bëri në samitin e dhjetorit të ministrave të jashtëm të BE-së ku vendit nuk iu dha ky status. Ministri irlandez për çështjet evropiane, në fund të vizitës së tij në Tiranë, mbas takimeve me krerë institucionalë në vend, renditi dhe njëherë kërkesat e Brukselit për Tiranën zyrtare. “Irlanda i cilëson si të rëndësishme për mbështetjen e saj elementët e mëposhtëm. Së pari, hapat në përmirësimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit. Së dyti, miratimi i reformave kyçe në gjyqësor, administratën publike dhe atë parlamentare. Dhe së treti, konsensusi ndërpartiak mbi këto masa dhe të tjera si këto”- tha Donaho. Ministri irlandez Donaho shprehu besimin se Shqipëria do të marrë statusin e vendit kandidat për në BE në qershor, ndërkohë që ai përshëndeti reformat e arritura si nga qeveria parardhëse, ashtu edhe nga qeveria aktuale. “Ne presim që kriteret dhe kërkesat të përmbushen plotësisht. Secili hap më vete ka një vlerë të rëndësishme dhe të qenësishme që në anën tjetër do të prodhojnë shpërblime për shqiptarët dhe treksa ccdo hap do të ndërmerret nga vendi juaj, Irlanda do ta mbështesë progresin tuaj. Unë besoj që 2014 do të jetë vit i rëndësishëm për Shqipërinë në rrugën drejt BE-së. Shpresoj që Shqipëria do të marrë statusin e kandidatit në qershor”-u shpreh Donaho.
