Sterilizimi, përgjysmohen infeksionet spitalore në QSUT

Pranvera Kola

Implementimi i procesit të sterilizimit dhe instrumenteve të rinj kirurgjikalë në sallat operatore ka bërë që në 5 spitalet universitare të Tiranës të kryhen 35 mijë operacione me instrumentet kirurgjikalë sipas standardeve më të larta evropiane, duke përgjysmuar infeksionet spitalore në plagët post-kirurgjikale nga 30 deri në 15 për qind.

Deklarata u bë nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu në takimin ndërsektorial për rezistencën mikrobike, në kuadër të Javës Evropiane të Ndërgjegjësimit për antibiotikët.

Planifikohet që brenda mesit të vitit 2018, të gjitha spitalet në vend do kenë në dispozicion rreth 6 mijë lloje instrumentesh dhe rreth 96 mijë instrumente kirurgjikale, që do të rrisin imunitetin ndaj infeksioneve për 50 mijë pacientë që u nënshtrohen operacioneve çdo vit.Ulja e infeksioneve spitalore rrjedhimisht përkthehet në pakësimin e nevojës për antibiotikë, e për pasojë, në frenimin e rezistencës ndaj antibiotikëve.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, parandalimi dhe kontrolli efektiv i infeksioneve mund të shmangë 1 në çdo 3 infeksione spitalore dhe mund të pakësojë përdorimin dhe rezistencën ndaj antibiotikëve.

Përdorimi i pakujdesshëm i antibiotikëve dhe lufta kundër antibiotikorezistencës është një shqetësim mbarëbotëror. Sepse rezistenca ndaj antibiotikëve përbën një nga kërcënimet më serioze për shëndetin në nivel global dhe njëherësh, një sfidë për sistemin shëndetësor, që mbart me vetvete dhe një kosto financiare të konsiderueshme.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka dhënë alarmin për këtë çështje prej kohësh. Të dhënat tregojnë se në Evropë rreth 25 mijë pacientë vdesin çdo vit si pasojë e infeksioneve, të cilët nuk mund të trajtohen me antibiotikë për faktin e rezistencës së krijuar ndaj tyre.

Shqipëria ka një konsum të antibiotikëve të përafërt me vendet e rajonit por edhe me vendet e bashkimit Europian, (22.7 doza për 1 mijë banorë), por të dhënat tregojnë se rezistenca ndaj antibiotikëve po kthehet në kërcënim serioz, edhe në vendin tonë.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *