Stërvitja dhe paga e trajnerit

redaktor

Procesi sportiv është i gjatë dhe i vështirë. Nuk varet shumë se sa kohë punon trajneri, por se si punon, çfarë të rejash sjell në stërvitje. Stërvitja mund të zgjasë 2-3 orë, por ka raste që bëhen dhe 5-6 orë në ditë stërvitje (paradite dhe pasdite). Përvoja ka treguar se nuk mund të arrihen rezultate të larta në sport pa sakrifica e përkushtim. Iu desh 9, 10 apo 12 vjet punë ekipit të volejbollit për meshkuj të Dinamos me trajner të mirënjohurin z. V.Koja që në vitet 1968-69 deri në ‘72 të cilësohej si një nga ekipet më të mira të Europës në volejboll. Kjo përvojë e mirë më vonë u transmetua dhe në ekipin e femrave të volejbollit të Dinamos me trajner z. K.Tartari, një nga volejbollistët më të shquar të ekipit kombëtar. Eksperienca po tregon se edhe në sporte të tjera, p.sh. në not, që më parë konsiderohej si sport i të rinjve (16–17 vjeç), kërkohet një kohë më e gjatë, punë e vazhdueshme që të bëhesh një notar i madh (10–15 vjet stërvitje). Por në praktikë ka raste që stërvitja nënvleftësohet, konsiderohet një punë rutinë, “gjë qejfi”, shpesh stërvitja bëhet formale, pa synime dhe objektiva konkrete. Është krejt praktikë e gabuar e disa federatave sportive që me një seminar 1, 2 ditor apo 1 javor kualifikojnë trajnerë duke marrë titullin e kategorisë së parë, pa arritur rezultate të larta dhe pa pasur përvojën e domosdoshme.

Unë mendoj se një trajner, që të arrijë rezultate të larta duhet që të ndërtojë punën e tij konkretisht me sportistin ose ekipin në bazë të ecurisë, zhvillimit dhe cilësive fizike të tij. Trajneri më parë duhet të njohë mirë parimet e principet e stërvitjes dhe metodat bashkëkohore të saj. Ai nuk duhet të ngutet me sportistët, por me durim e kujdes duhet të punojë që të arrijë objektivat e tij. Kur trajneri është i mirë dhe i zoti bën dhe stërvitje të mirë. Me keqardhje mund të themi se në vitet e demokracisë në drejtim të sportit në këto 22-23 vjet, është punuar dobët nga të gjitha qeveritë. Disa njerëz më shumë janë përpjekur që të përfitojnë prej sportit, sesa t’i japin atij. Infrastruktura në sport u shkatërrua. Mjaft pishina, terrene sportive në shkolla e lagje u prishën, pista vrapimi në stadiume, fusha futbolli, salla sportive u shkatërruan dhe vendin e tyre e zunë godinat shumëkatëshe dhe shteti në këtë drejtim, si në qendër e në baze qëndroi indiferent. Situata e tyre në disa qytete edhe sot vazhdon të jetë e keqe. Mjafton t’u kujtojmë pishinën 50 m të hapur në Vlorë, me përmasa olimpike që është në gjendje të mjeruar dhe notarët në verë stërviten në det të hapur. Në pishinë janë hedhur miliona lekë për të dhe nuk dihet se çfarë do të bëhet më vonë.

Po paga e trajnerit si është?

Sot trajnerët e kategorisë së parë që stërviten 5-6 herë në javë e kanë pagën 12 mijë e 800 lekë të reja, ndërsa ata të të rinjve e kanë 8400 lekë. Një pagë kjo me të vërtetë qesharake. Një pagë e mirë do të nxiste më tepër dhe specialistët më të mirë që të merrnin ekipet pranë klubeve sportive. Mendoj se ajo të paktën për trajnerët e kategorisë së parë duhet të jetë 40 mijë lekë të reja në muaj. Tek ne trajnerët jo vetëm që paguhen pak, por ka raste që puna e tyre nuk vlerësohet sa duhet. Me fëmijët nuk caktohen specialistët më të mirë, por ata pa arsimin përkatës dhe nivelin e dëshiruar. Por nëse ne duam rezultate të larta me fëmijët, duhet që të caktojmë trajnerët më të mirë sepse që në atë moshë hidhen baza të shëndosha dhe fitohen shprehitë e domosdoshme për sportin. Në vitet e monizmit në disa sporte trajnerët më të mirë ishin emëruar pranë klubeve sportive si profesionistë në futboll, basketboll, volejboll, gjimnastikë, të cilët mbulonin e përgjigjeshin për ciklet e ekipeve. Rroga e tyre ishte e barabartë me 8400 lekë të vjetra, sa ajo e një inspektori të arsimit në rreth. Përveç pagës trajnerët kishin dhe trajtimin ushqimor me sportistët. Dietat në veprimtaritë kombëtare merreshin nga shteti, pra këto ishin disa të ardhura të mira për trajnerin po natyrisht dhe për sportistin. Dhe këtë nuk e themi për nostalgji, por ky ishte realiteti. Ndërsa tani ka mjaft raste që sportistët dhe trajnerët edhe pse janë pranë klubeve sportive, shkojnë në veprimtaritë kombëtare me dietat e tyre, kjo nuk është e drejtë.

Rastësisht takova një kuadër të vjetër në Vlorë, ish-trajner e drejtues i sportit, tani është pensionist. Ndër të tjera e pyeta dhe për pensionin. Ai më tha: “Punuam kaq kohë për sportin dhe si përfundim nuk morëm asgjë. Me këtë pension 17-18 mijë lekë të reja nuk ke se çfarë të bësh më përpara, as për ilaçet nuk të dalin”. Dhe ky nuk mund të jetë një rast i veçantë. Mendoj se Qeveria disa figura të shquara në sport që kanë dhënë kaq shumë për sportin, duhet që t’u sigurojë një pension të veçantë, sepse me një pension kaq të vogël që përmendëm dhe më lart, ata nuk mund të jetojnë normalisht. Shteti sa janë gjallë duhet që t’i nderojë e respektoje këta, sepse më vonë nuk ka shumë vlerë.

 

*Trajner i merituar

Shoqata “Jon”, Vlorë

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *