Kombëtarja shqiptare ka nisur në orën 15:30 stërvitjen e parë për sfidën miqësore kundër Norvegjisë më 26 mars në “Elbasan Arena”.
Seanca po zhvillohet në kompleksin ‘Tropikal’ në Durrës dhe në 15 minutat e parë trajneri Christian Panucci ka mbajtur një fjalim me lojtarët, ku mendohet se ka shpalosur objektivat. Në këto momente i pranishëm ka qenë edhe presidenti i federatës, Armando Duka.
Ra në sy se në këtë ditë të parë të stërvitjes mungonin 3 futbollistë të thirrur nga Panucci.
Një nga ata, Etrit Berisha për shkak të disa problemeve në kofshë ka qenë i detyruar të kryente disa vizita të specializuara.
Por, nesër do të mësohet nëse do të jetë i gatshëm për Norvegjinë. Ndërkohë Elseid Hysaj ka marrë leje nga stafi teknik, dhe do të bashkohet nesër me ekipin.
Edhe Berat Gjimshiti nuk ka qenë i pranishëm.
Mbrojtësi i cili luan me Benevento-n është larguar nga grumbullimi për të shkuar tek të afërmit e tij për shkak të një fatkeqësie familjare. Shtatlarti ashtu si Hysaj do të bashkohet nesër me grupin.
o.j/dita
