Rritet tensioni në gadishullin korean. Manovrat e përbashkëta ushtarake midis Shteteve të Bashkuara dhe Seulit, kanë ngjallur zemërimin e liderit të shtetit komunist Kim Xhong-un. Koreja e Veriut tregohet e gatshme për të hequr dorë nga armëpushimi dhe për të goditur SHBA-në
Koreja e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara, nisën të hënën stërvitjet e përbashkëta ushtarake të quajtura “Key Resolve”. Stërvitjet zhvillohen në kohën kur tensionet në gadishullin korean kanë arritur kulmin, vetëm pak javë nga testi nuklear i ndërmarrë nga Peniani. Koreja e Veriut i ka etiketuar manovrat si “provokime” dhe si një “plan pushtimi” dhe ka kërcënuar me prishjen e armëpushimit që sigloi mbylljen e luftës midis Koreve midis viteve 1950-1953. Shteti komunist gjithashtu është angazhuar se do të ndërmarrë një sulm paraprak duke vënë në përdorim armët bërthamore kundër SHBA-së. Kërcënimi i parë konsiderohet një fakt tashmë: “Peniani e konsideron armëpushimin e vitit 1953 me Korenë e Jugut tërësisht të zeruar”, shkruhet në gazetën zyrtare të Partisë së Punës të Koresë së Veriut, “Rodong Sinmun”. Aty, gjithashtu nënvizohet se ka ardhur koha për “betejën finale” dhe se “populli, ushtarët dhe i tërë vendi janë vënë në frontin e parë të saj”.
Gjithçka gati për luftë
Forcat e armatosura të Penianit kanë bërë të ditur se po presin vetëm “urdhrin final” nga lideri Kim Xhong-un për të nisur sulmin dhe për “t’i shndërruar në disa sekonda regjimet marioneta të Shteteve të Bashkuara dhe të Koresë së Jugut në një det zjarri”, dhe këtu e përditshmja koreanoveriore i referohet përdorimit të armëve bërthamore. Ajo i bën jehonë kërcënimeve të ditëve të shkuara për një sulm të shkatërrimit në masë kundër Seulit dhe Uashingtonit, pas miratimit të sanksioneve të reja nga OKB-ja, së cilës për herë të parë i është bashkuar edhe Kina, e vetmja aleate e Penianit, si përgjigje ndaj testit të tretë bërthamor në 12 shkurt të vitit të kaluar. OKB-ja në 7 mars, i la rrugë të lirë kufizimeve të transaksioneve financiare dhe të mirave materiale në drejtim të Koresë së Veriut. Forcat e armatosura amerikane, ndërkohë, në një komunikatë kanë përsëritur se qëllimi i ushtrimeve të përbashkëta nuk lidhet me zhvillimet e fundit të situatës në gadishull, por ato janë pjesë e një serie ushtrimesh të nisura që më 1 mars, dhe që do të vazhdojnë për 2 muaj.
Koreja e Veriut ka prerë lidhjet telefonike të emergjencës me Korenë e Jugut, në vijimësi të kërcënimeve të lëshuara me synimin për të parandaluar stërvitjen e përbashkët midis SHBA-së dhe shtetit kufitar me të.
Sipas të përditshmes koreanojugore “Yonhap”, Ministria e Unifikimit në Seul ka deklaruar se që nga ora 9 e së hënës (me orën lokale), Veriu “ka këputur linja të cilat kalojnë në fshatin e armëpushimit Panmunjom, zonë e demilitarizuar që ndan dy Koretë”. Funksionarët koreanoveriorë nuk i janë përgjigjur dy tentativave të telefonatave zyrtare nga Koreja e Jugut.
Të hënën, gjithashtu u zhvillua në Seul mbledhja e parë qeveritare, nën drejtimin e presidentes së re të republikës, Park Guen Hai. Në rend të ditës ishte çështja e tensionit me Veriun, përveç riorganizimit të administratës së Jugut.
Përgatiti:Dorina Gjuzi