PD-ja vijon të bëjë diversionin mes Ramës dhe Metës. Me keqardhje them se gjestet diversioniste që ka kohë që bëhen mbizotëruese në veprimtarinë e PD-së, po asimilohen frikshëm dhe te ndonjë deputet që duket i përkohshëm në atë Parti.
Ta kthesh në stil diversionin ndaj të tjerëve, nuk është as politikë e as veprim i zgjuar, përkundrazi në sytë e opinionit publik, e dëmton rëndë përdoruesin. PD vitet e fundit desh ta bëjë pronë të sajën diversionin, ashtu siç veproi ulët e me shumë papjekuri ditët e fundit në Parlament, kur po diskutohej projektligji për Arsimin e Lartë.
A s’ishte diversion publikimi i audio kasetës, ku bashkëshorti i ministres Nikolla paska bërë ca vërejtje për projektligjin në fjalë, nga ku kryetari i grupit parlamentar, zoti Paloka, e sjell me idenë se dakordësia mungoka edhe brenda familjes së ministres së Arsimit?! Kjo, në fakt, eklipsoi seriozitetin e diskutimeve e kundërshtive që prezantuan deri në atë moment ku për t’u bërë më të besueshëm sipas tyre, por qëllimi ishte shumë më larg e më djallëzor.
Diversioni. Veprim i pështirë e aspak burrëror. Jo se pritet ndonjë lëvizje apo veprim dinjitoz nga kjo opozitë, po edhe deri këtu nuk duhet t’ia lejonte vetes të shkonte. Po më duket se kjo parti e ka në gen edhe këtë gjest, ku dalëngadalë po e kthen në stil të opozitarizmit, ku pjesë e tij është dhe Kaç Islami, i cili po e përvetëson mirë këtë stil, pa menduar sa dinjitoze është. Me respekt, Marku, Lezhë.
