Kandidatë janë edhe Armando Cungu, Mirel Josa e Ilir Daja, të cilët në fakt janë ende në punë. Megjithatë, ardhja e teknikut peqinas duket formalitet
Gugash Magani, Armando Cungu, Mirel Josa dhe Ilir Daja janë katër emrat e kandidatëve për të marrë drejtimin e Flamurtarit sezonin e ardhshëm. Siç pohojnë edhe vetë drejtuesit e skuadrës vlonjate, bisedimet kanë nisur dhe ende nuk ka asgjë zyrtare, por zgjidhja është shumë pranë.
MAGANI – Gugash Magani është si gjithmonë i preferuari, jo vetëm profesionalisht. Publiku vlonjat e adhuron. Trajneri peqinas, i cili drejton Teutën, e njeh mjaft mirë situatën dhe aktualitetin në Vlorë dhe është kandidati potencial, madje mjaft i favorizuar karshi kandidatëve të tjerë, aq sa ardhja e tij duket formalitet. Emri i tij u përfol jo pak edhe gjatë sezonit të kaluar, madje ishte thuajse gjithçka e mbyllur, por në fund nuk u kuptua pse pati një ndryshim. Magani është një trajner, që gëzon popullaritet në Vlorë, pasi ka lënë gjurmë në kohën, kur e ka drejtuar Flamurtarin. Duke pasur parasysh edhe deklaratën e administratorit Sinan Idrizi se trajneri do të jetë shqiptar, rikthimi i Gugash Maganit bëhet edhe më i sigurt. Do të ishte një lëvizje, që do të mirëpritej në Vlorë, sepse ia dinë mirë vlerat trajnerit peqinas. Në klubin vlonjat askush nuk dëshiron të përmendë emra, por këtë herë, ndryshe nga vera e kaluar, zgjidhjet te Flamurtari do të jenë të shpejta, në mënyrë që punët për ndërtimin e skuadrës së re të mos mbeten zvarrë. Flamurtari dhe Magani janë shumë pranë ribashkimit.
TË TJERËT – Një tjetër emër i lakuar është ai shkodranit Armando Cungu, që drejton Vllazninë. Edhe ky trajner është përmendur më parë për të marrë drejtimin e skuadrës vlonjate, madje edhe në merkaton e dimrit, por kjo lëvizje nuk është konkretizuar. Cungu arriti të shpëtojë skuadrën shkodrane nga rënia një kategori më poshtë dhe vetë ka thënë se kërkon më shumë garanci për sezonin tjetër e jo një Vllazni, që të luftojë për të qëndruar. Dhe këtë garanci Flamurtari mund t’ia japë. Mirel Josa dhe Ilir Daja janë dy emra të tjerë kandidatësh për stolin vlonjat, por më parë ata duhet të saktësojnë marrëdhëniet me klubet aktuale. Josa u shpall kampion me Skënderbeun për herë të 4-t radhazi dhe nuk e ka të sigurt qëndrimin në Korçë, ndaj dhe drejtuesit e Flamurtarit po e monitorojnë situatën. I pyetur para pak ditësh, nëse do të vinte apo jo në Vlorë, Josa u përgjigj: “Nuk e di, të shohim”. Ilir Daja drejtoi Tiranën sezonin e fundit dhe, pavarësisht se nuk e arriti objektivin, tregoi se është një trajner me shumë përvojë dhe cilësi. Kontrata e tij me Tiranën ka përfunduar dhe mbetet për t’u parë vendimi i tij përfundimtar. Këta janë kandidatët për stolin e Flamurtarit, ku Magani qëndron në “pole position”. Drejtuesit po punojnë për ta zgjedhur sa më parë pasuesin e Zekerija Ramadanit.
