Ulcera është një ndër sëmundjet më të shpeshta që prek stomakun. Specialistët e gastrohepatologjisë vënë në dukje se zakonisht shfaqen dy lloje ulcerash, ku përfshihen ulcera gastrike, që prek stomakun, dhe duodenale, që prek fundin e stomakut dhe fillimin e zorrës. Shfaqja e kësaj sëmundjeje shoqërohet me dëmtimin e mureve të stomakut, në të cilin krijohet një shtresë e dëmshme mukoze me diametër rreth 5 milimetër.
Në përgjithësi ulcera shkaktohet nga dëmtimi i mukozës dhe submukozës gastrike ose edhe duodenale, që shkakton gërryerje të thellë të këtyre shtresave nëpërmjet procesit të saj inflamator, duke arritur deri në shtresën muskulore të stomakut apo duodenit (zorrës). Nëse nuk tregohet kujdesi i duhur për trajtimin e kësaj sëmundjeje, ajo mund të rikthehet sërish dhe me pasoja më të rënduara. Kjo pasi ulcerat përgjithësisht kanë natyrë kronike dhe ecuri përsëritëse.
Ulcera mund të shoqërohet me një sërë ndërlikimesh nëse neglizhohet kurimi i saj. Ndër komplikacionet e shpeshta që shfaqen janë hemorragjitë, të cilat janë ndërlikimi më i shpeshtë i ulcerës gastrike apo duodenale. Ajo mund të ndodhë si pasojë e dëmtimit të ndonjë ene të madhe gjaku ose dhe nga gërryerja e një numri të madh të enëve të vogla të gjakut gjatë ecurisë së sëmundjes. Ndërlikim ky që ndodh shpesh në moshat e rritura, si dhe tek pacientët kanë përdorur edikamentet antiinflamatore josteroide.
Të sëmurët me këtë ndërlikim kanë nevojë emergjente për reagim dhe dhënie solucionesh likuide apo transfuzionesh. Komplikacione të tjera janë edhe stenoza pylore-bulbare. Sot, në saje të trajtimit korrekt, vihet re më rrallë. Në përgjithësi këta të sëmurë duhet të operohen. Një tjetër ndërlikim është edhe perforacioni ose çarja e mureve të stomakut, e cila konsiderohet si një urgjencë madhore kirurgjikale. Kurat e përgjithshme të trajtimit të sëmundjes ulceroze mbështeten në tre hapa themelorë.
Konkretisht në mjekimin e gjendjes së hiperaciditetit, duke përdorur preparate të cilat ulin nivelin e prodhimit të acidit klorhidrik; në çrrënjosjen e bakterit të përmendur “H. pylori” duke përdorur preparate antibakteriale. E fundit ka të bëjë me vendosjen e një regjimi të përshtatshëm higjieno-dietetik, në mënyrë që të realizohet një shërim i shpejtë i efektshëm i sëmundjes. Ndonëse niveli i sekretimit acid është gjithmonë i rëndësishëm në patogjenezën e sëmundjes, çrrënjosja e këtij bakteri konsiderohet aktualisht si linja kryesore e trajtimit të sëmundjes.
Po ashtu duhet bërë shumë kujdes me ushqimin, ku duhet të shmanget përdorimi i produkteve pikante, acidet e tepërta apo ushqimet e yndyrshme dhe të skuqura, të cilat ndikojnë në rëndimin e mëtejshëm të stomakut. Gjithashtu është i nevojshëm edhe ndalimi i përdorimit të duhanit, alkoolit apo kafeinës. Megjithatë lidhur me trajtimin dhe dietën është mjeku ai që përcakton se cilat janë këshillat që duhen ndjekur në çdo rast, dhe jo të veprohet me përdorimin individual të barnave që merren lehtësisht nëpër farmaci.
