Roma është ndalur befasisht dje nga Sasuolo, me një gol të pësuar në minutën e 94-t. Kryesuesit e Serisë A ishin duke u rikthyer te fitorja pas barazimit 1-1 në Torino, por fundi u dhuron të njëjtin rezultat, me dy pikë të tjera të humbura. Në fakt, të dy golat mbajnë firmën e lojtarëve të Sasuolos. Fillimisht ishte Longi që shënoi në portën e tij, duke i dhënë avantazhin Romës. Kryesuesit kishin edhe 70 minuta për ta rritur diferencën, gjë që nuk e bënë dhe në fund e paguan, kur Berardi shënoi golin e barazimit.
Si për ta bërë edhe më të hidhur humbjen, Borrielo u dëmtua në kavilje, duke iu shtuar Totit e Zhervinjos. Me të njëjtat shifra e mbylli ndeshjen edhe skuadra tjetër romane, Lacio, në fushën e Parmës. Lacialët kaluan në epërsi me të riun Keita, por vendasit barazuan me Lukarelin dhe e ruajtën rezultatin edhe kur mbetën me një lojtar më pak. Një pikë edhe për Milanin, pas një loje të dobët në fushën e Kievos. Kuqezinjtë nuk arritën të shënonin dhe mbeten përherë e më larg vendeve të para, duke vështirësuar në maksimum kualifikimin në Champions League për sezonin e ardhshëm, për të cilin, veç skuadrave të kreut, duhet të llogaritin edhe Interin në rritje të vazhdueshme. Vazhdon momenti i mirë për Xhenoan, e cila mundi 2-0 Veronën.
