Edhe pse në kohë krize Bashkimi Evropian harxhon miliona për shkak të mënyrës së funksionimit. Një grup parlamentarësh kanë marrë një nismë për të mos i zhvilluar sesionet në Strasburg për shkak të kostos së lartë.
Shtëpia e Parlamentit Evropian ndodhet në Bruksel, aty ku ndodhen edhe institucione të tjera të rëndësishme të BE-së, si Komisioni Europian dhe Këshilli i Europës. Sidoqoftë, për arsye historike parlamenti është i detyruar të zhvillojë 12 seanca plenare në qytetin e Strasburgut, në lindje të Francës. Kjo do të thotë se 750 pjesëtarë të Parlamentit Evropian, së bashku me mijëra pjesëtarë të stafit duhet të udhëtojnë drejt Strasburgut me avion, makinë apo tren.
Një lëvizje e tillë natyrisht që ka edhe koston e saj financiare. 170 deri në 200 milionë euro shpenzohen gjatë një viti për seancat plenare të Strasburgut. Një shifër që përbën më shumë se 10 përqind të buxhetit vjetor të parlamentit. Kritikët thonë gjithashtu se lëvizja ka kosto edhe për ambientin pasi në ajër depozitohen 19 mijë ton dioksid karboni më shumë.
Lëvizja qytetare
Një kërkesë e tillë vjen në një kohë që në shumë vende evropiane janë duke u ndjekur politika ekonomike të rrepta për të kursyer sa më shumë të jetë e mundur dhe një gjë e tillë prek më shumë qytetarët e thjeshtë. Shumë vetë pyesin se përse duhet të vazhdojë një shpërdorim i tillë i parave. Më shumë se 1.2 milionë qytetarë të Bashkimit Evropian kanë nënshkruar një peticion ku kërkojnë që seancat paralmentare të mbahen të gjitha në Bruksel. “Problemi është se Parlamenti Evropian ende nuk është shprehur rreth kësaj çështjeje, – thotë Aleksandër Alvaro, deputet gjerman në PE. – Nëse do të ndodhë një gjë e tillë, jam i sigurt se situata do të ndryshojë, çka duhet të ishte bërë shumë kohë më parë.”
Ndjesia për ndryshim është duke u rritur në radhët e deputetëve të Parlamentit Evropian. Vetëm disa javë më parë 74 përqind e deputetëve votuan për një plan për të zhvilluar seancat në një ndërtesë, pra në atë të Brukselit. Vetëm 21 përqind votuan kundër, pjesa më e madhe e të cilëve ishin francezë.
Çështje ligjore
Problemi për ata të cilët nuk duan të zhvillojnë sesionet në Strasburg ka të bëjë me traktatet që përcaktojnë se në qytetin francez duhet të zhvillohen 12 sesione në vit. Franca ka bllokuar vazhdimisht çdo përpjekje për t’i ndryshuar këto traktate. “Traktatet mund të ndryshohen vetëm me votë unanime nga vendet anëtare dhe Franca është duke bllokuar këtë procedurë deri tani, por mendoj se ka ardhur koha që ata të ndryshojnë mendim,” thotë Alvaro.
Por deputetja franceze Natali Grisbek nuk e lëshon lehtë llogoren e saj. Ashtu si Alvaro, ajo është pjesë e Aleancës Liberale, por përsa i përket çështjes së Strasburgut, dy politikanët nuk janë aspak në një mendje. “Traktatet e kanë saktësuar qartë se institucionet e Bashkimit Evropian duhet të shpërndahen mes vendeve anëtare. Franca mori të drejtën të presë sesionet e Parlamentit Evropian në Strasburg dhe kjo është një arsye ligjore shumë e rëndësishme,” thotë Grisbek. Deputetja franceze refuzon idenë e ndryshimit të traktatit. “Si pjesëtare e Parlamentit Evropian mendoj se kemi shumë gjëra më të rëndësishme për të diskutuar sesa ndryshimi i traktateve.”
Qytet historik
Strasburgu është një qendër historike me ndërtesa të bukura, rrugë të gjera dhe Katedralja Gotike është pjesë e Trashëgimisë Kulturore Botërore që mbrohet nga UNESCO. Ata që kanë një biznes në Strasburg, janë të shqetësuar në lidhje me humbjet që mund të pësojnë në rast të moszhvillimit të sesioneve parlamentare. Hotelet dhe restorantet janë gjithmonë plot, pasi aty shkojnë politikanët, lobistët, si dhe gazetarët.