Tirana do të jetë “re kordmene” jo vetëm për titujt e fituar në inferiore, por edhe për rrogat. Nëse në Kategorinë e Parë shifrat janë minimaliste, madje rrallëherë ndodh që të ketë paga të majme, këtë standard do ta ndryshojnë pikërisht bardheblutë. Fillimisht në klub menduan që të shkurtonin shpenzimet, megjithatë ofertat e shumta në drejtim të yjeve që kanë në ekip bënë që drejtuesit të ndryshonin strategji.
Kështu po veprohet sidomos me “senatorët”, pasi kjo ishte forma e vetme për t’i bindur. Refik Halili e pat thënë qartë në ditën e prezantimit të trajnerit Ze Maria që askush nuk do largohet edhe pse ekipi ra një kategori më poshtë.
Por sigurisht që për të “joshur” emra si Ilion Lika, Erando Karabeci e Dorian Kërçiku që të mbrojnë ngjyrat e klubit më të titulluar në vend edhe në inferiore, duhen edhe financat. Burime të sigurta pranë klubit tregojnë për “Panorama Sport” se lojtarët kanë rinovuar me të njëjtën pagë dhe këtu i referohemi dyshes Lika-Karabeci, ndërsa pjesës tjetër i është dhënë garanci që nuk do u rishikohet kontrata.
Kujtojmë që Karabeci kërkohej prej Vllaznisë e Flamurtarit, ndërsa Kërçiku prej Flamurtarit dhe Kukësit. Kërkesa të shumta ka edhe Asion Daja, por ky i fundit ende nuk ka vendosur. Dashur pa dashur këto oferta kanë tunduar jo pak futbollistët, por drejtuesit kanë vendosur “veton”. Ata i kanë “bllokuar”, duke evituar kësisoj largimet. Të njëjtën rrogë që kishin në elitë, ata do të kenë edhe në të Parën.
