Strehimi social, afatet dhe dosja e dokumenteve që duhet të dorëzoni

Elena Tase

Ndryshon skema e aplikimit për programet e strehimit social. Qeveria ka miratuar në mbledhjen e ditës së djeshme procedurën dhe dosjen e re të dokumenteve që duhet të dorëzojnë familjet në nevojë dhe kategoritë e tjera për të përfituar nga programet e strehimit social.

Sipas vendimit, aplikimi do të bëhet në dy faza. Në çdo rast, aplikimi për të përfituar strehim nga këto programe do të bëhet pranë strukturave përgjegjëse të qeverisjes vendore ku aplikuesi ka vendbanimin e tij. Në vijim të shkrimit gjeni të detajuar procedurën e plotë që duhet të ndiqet që nga faza e paraqitjes së kërkesës për strehim, e deri tek aprovimi i saj.

Kategoritë që duhet të aplikojnë

Lidhur me kategoritë që kanë të drejtë të aplikojnë për strehim social saktësohet se këtë të drejtë e kanë individët që kanë mbushur moshën 18 vjeç, kujdestarët ligjorë për rastet e personave të vendosur në kujdestari ligjore, për shkak të heqjes apo kufizimit të zotësisë për të vepruar, dhe familjet që janë të regjistruara në zyrat e gjendjes civile në njësinë e vetëqeverisjes vendore përkatëse, të cilat, në momentin e aplikimit, plotësojnë kushtet e përcaktuara për përfitim. Pjesë e programeve të strehimit social mund të bëhen edhe individët, familjet rome të paregjistruara në zyrën e gjendjes civile të njësisë së vetëqeverisjes vendore ku aplikojnë, për të cilët njësia e vetëqeverisjes vendore ka informacion se banojnë në atë njësi të vetëqeverisjes vendore. Ndërsa aplikimi i të miturve nën moshën 18 vjeç, pas lirimit ose përfundimit të programit të masës alternative të shmangies, në rastet kur, bazuar në një vendim gjyqësor ose një akt administrativ, mbeten të pastrehë për arsye se nuk duhet të jetojnë me prindërit, kujdestarin ligjor ose me familjen e tyre, bëhet me kërkesën e një përfaqësuesi të caktuar me vendim gjykate ose akt administrativ.

Dy fazat e aplikimit

Aplikimi për të përfituar strehim sipas çdo programi social të strehimit, me përjashtim të rasteve të nevojës emergjente për strehim, bëhet me dy faza. Në fazën e parë aplikantët paraqesin kërkesën e tyre për të përfituar nga programet e strehimit social, e cila duhet dorëzuar pranë njësisë së qeverisjes vendore. Ndërsa në fazën e dytë të aplikimit përfshihen vetëm ata individë apo familje që janë përzgjedhur për t’u trajtuar me njërin prej programeve të strehimit.

Afatet e paraqitjes së kërkesave për strehim

Individi apo familja paraqet kërkesën për të përfituar nga programet e strehimit social në çdo kohë, sipas formatit të miratuar nga këshilli bashkiak, sipas deklarimit tip për vërtetësinë e të dhënave. Për paraqitjen e kërkesave verbale, struktura përgjegjëse për strehimin mund të caktojë një orar të posaçëm brenda orarit zyrtar të punës së njësisë së vetëqeverisjes vendore. Ky orar bëhet publik edhe në faqen e internetit të njësisë së vetëqeverisjes vendore. Çdo individ i interesuar për këto programe fillimisht duhet të paraqitet drejtpërdrejt në strukturën përgjegjëse për strehimin të njësisë së vetëqeverisjes vendore ose në zyrën e qëndrimit me një ndalesë të njësisë së vetëqeverisjes vendore, në rast se ka një të tillë. Në raste të tjera njësitë e vetëqeverisjes vendore mund të vendosin që kërkesa të tilla të paraqiten pranë njësive administrative më të afërta me qendrën e banimit të personave që paraqesin kërkesën, duke përcaktuar edhe kompetencat e tyre në përputhje me legjislacionin për vetëqeverisjen vendore. Personat që ekzekutojnë dënimin penal me burgim mund ta paraqesin kërkesën pranë institucionit ku gjenden të ndaluar ose ku ekzekutojnë dënimin penal me burgim. Aplikimet për përfitimin nga programet sociale regjistrohen dhe përpunohen nga strukturat përgjegjëse për strehimin në njësitë e vetëqeverisjes vendore në një sistem elektronik. Aplikimet mund të jenë në formë të shkruar, në formë të shkruar elektronike në adresën e postës elektronike, që çdo njësi e vetëqeverisjes vendore bën publike për aplikimin për përfitimin nga programet e strehimit përmes njoftimit në faqen e saj të internetit dhe njoftimit publik, në formë deklarate verbale para strukturës përgjegjëse për strehimin ose zyrës së qëndrimit me një ndalesë, kur ka të tillë, e që regjistrohet nga kjo strukturë apo zyrë.

Faza e parë e aplikimit

Në vendim saktësohet se strukturat përgjegjëse për strehimin bëjnë përzgjedhjen e kërkesave pa të meta dhe i regjistrojnë sipas rendit kronologjik në sistemin e posaçëm elektronik, sipas kushteve dhe kritereve të përcaktuara. Në qoftë se kërkesa e aplikantit ka të meta dhe mangësi të të dhënave të kërkuara, struktura përgjegjëse për strehimin, brenda 7 ditëve nga dita e regjistrimit të kërkesës, i kërkon me shkrim aplikantit të korrigjojë pasaktësitë, duke përcaktuar edhe afatin e nevojshëm për plotësimin e tyre. Kur kërkuesi nuk plotëson pasaktësitë brenda afatit të caktuar, kërkesa quhet se nuk është regjistruar dhe i kthehet aplikantit. Çdo individi që paraqet kërkesën, në çdo rast, i lëshohet një vërtetim që konfirmon regjistrimin e kërkesës, objektin e saj, datën dhe listën e dokumenteve të bashkëlidhura, nëse ka të tilla. Ky vërtetim lëshohet edhe kur kërkesa paraqitet në formë elektronike ose me postë. Në rastet kur aplikimet janë verbale, aplikantit i lëshohet menjëherë një vërtetim për regjistrimin e aplikimit. Në rastin kur aplikimi bëhet me shkrim apo edhe elektronik, aplikantit i dërgohet në adresën e dhënë të komunikimit ose në adresën elektronike, nëse ai ka dhënë pëlqimin për përdorimin e një adrese elektronike për komunikim, vërtetimi për regjistrimin e aplikimit. Gjithashtu bëhet e ditur se strukturat përgjegjëse për strehimin ose zyra e shërbimit me një ndalesë ofron ndihmë aktive për plotësimin e formularëve të aplikimit për përfitimin nga programet e strehimit social për cilindo aplikues, duke u kujdesur veçanërisht për individët me aftësi të kufizuar në të parë e në të folur nëpërmjet interpretuesit të gjuhës së shenjave ose lehtësuesit të komunikimit, të moshuarit, personat që nuk kuptojnë gjuhën shqipe ose ata që nuk dinë shkrim e këndim, si dhe siguron që çdo individ/familje që ka vështirësi komunikimi, për shkak të gjendjes shëndetësore ose sociale, të marrë informacionin e ndihmën e nevojshme për këtë qëllim.

Faza e dytë e aplikimit

Faza e dytë e aplikimit fillon kur njësia e vetëqeverisjes vendore planifikon zbatimin e njërit prej programeve apo instrumenteve të strehimit social. Në fazën e dytë, dosja e çdo aplikanti duhet të përmbajë dokumentacionin që vërteton deklarimet e bëra në fazën e parë. Bazuar në kërkesat specifike të çdo programi, njësia e vetëqeverisjes vendore ndjek procedurat, si më poshtë vijon: “miraton çdo vit sistemin e pikëzimit, klasifikon kërkesat për strehim sipas sistemit të pikëzimit, njofton subjektet që janë përzgjedhur për t’u trajtuar me një program për plotësimin e dokumentacionit, duke i njoftuar, në çdo rast, edhe afatin për plotësimin e dokumentacionit, mbledh cilindo prej dokumenteve të përmendura, bën verifikimin e dokumentacionit, brenda 10 (dhjetë) ditëve nga data e dorëzimit, harton dhe miraton listën e përfituesve, mbështetur në klasifikimin e kërkesave, njofton individët që përfitojnë nga programet specifike të strehimit, si dhe ata që nuk kanë përfituar brenda 10 ditëve nga data e miratimit të listës së përfituesve nga këshilli i njësisë së vetëqeverisjes vendore të përfituesve. Njësia e vetëqeverisjes vendore garanton që viktimat e dhunës në familje të përfitojnë nga njëri prej programeve sociale të strehimit. Këshilli i njësisë së vetëqeverisjes vendore, për strehimin e viktimave të dhunës në familje, vendos, me procedurë të përshpejtuar, menjëherë me paraqitjen e rastit për vendimmarrje.

Ankimimi

Aplikantëve jofitues, struktura përgjegjëse për strehimin u njofton edhe arsyet e kësaj vendimmarrjeje. Vendimet e marra përfshijnë edhe përcaktimin e mjetit ligjor mbrojtës, gjykatën kompetente, si dhe afatet kohore për ushtrimin e këtij mjeti mbrojtës. Aplikantët jofitues mund të paraqesin ankesat e tyre pranë kryetarit të njësisë së vetëqeverisjes vendore, por kjo nuk pengon ushtrimin e mjetit ligjor mbrojtës pranë gjykatës kompetente. Aplikantët mund të refuzojnë programin e strehimit dhe të mbeten përsëri në listën e pritjes, vetëm kur nuk u plotësohet strehimi sipas normave në fuqi. Struktura përgjegjëse për strehimin në njësinë e vetëqeverisjes vendore, menjëherë, por jo më vonë se brenda 3  ditëve pas hartimit të listës përfundimtare të aplikantëve, ia dërgon atë për miratim këshillit të njësisë së vetëqeverisjes vendore, i cili e shqyrton atë dhe merr vendim në mbledhjen e radhës.

Dokumentacioni që kërkohet:

Për të dhëna personale të aplikantit:

  • Certifikatë e lindjes së aplikantit, me përjashtim të rasteve specifike kur individi/familja nuk ka regjistrim në gjendjen civile.
  • Vërtetim për vendbanimin në njësinë e vetëqeverisjes vendore, ku kërkohet strehimi social, për familjet që kanë lëvizur nga zona të tjera të vendit.

Për vërtetimin e kushteve të strehimit duhen:

  • Vërtetim nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme për pronat që disponohen në emër të secilit anëtar të familjes.
  • Vërtetim nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme për sipërfaqen e pronës, që zotëron familja apo ndonjë anëtar i saj, kur banesa është me sipërfaqe nën normat e strehimit në fuqi.
  • Vërtetim nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme se nuk figuron e regjistruar asnjë pronë, e cila mund të përdoret edhe për strehim, për çdo anëtar të familjes, që kanë ndryshuar vendbanim për efekt punësimi.
  • Aktverifikim nga njësia vendore për banesat në rrezik shembjeje rastet kur familja ka mbetur e pastrehë, si rezultat i fatkeqësive natyrore, banesat që prishen ose përjashtohen nga procesi i legalizimit.
  • Vendim i gjykatës për familjet që humbasin banesën për shkak të zbatimit të vendimit të gjykatës.
  • Akt i verifikimit nga njësia vendore për familjet rome/egjiptiane, që banojnë në banesa individuale ose struktura, të cilat nuk klasifikohen si banesë.

Për vërtetimin e kushteve familjare duhen:

  • certifikatë familjare.
  • Vendim i gjykatës që i lë në ngarkim fëmijën ose fëmijët për çiftet e divorcuara.

Për vërtetimin e kushteve sociale duhen:

  • Vërtetim i komisionit mjekësor të përcaktimit të aftësisë së kufizuar për individë me aftësi të kufizuara.
  • Vërtetim përkatës nga institucioni ku ka qenë i strehuar dhe librezë e jetimit, dhënë nga institucioni shtetëror i autorizuar për individët me statusin e jetimit.
  • Dokument që vërteton se ka mbetur i pastrehë si rezultat i lirimit të banesave, ish-pronë e subjekteve të shpronësuara.
  • Dokument i lëshuar nga institucionet përkatëse shtetërore për personat që kanë statusin “emigrant”, “punëtor emigrant” dhe “azilkërkues”.
  • Dokument i lëshuar nga institucionet përkatëse shtetërore për familjet e punonjësve të rënë në detyrë, që u përkasin Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës, Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme, Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ të shtetit dhe të Policisë së Burgjeve.
  • Urdhër mbrojtjeje apo urdhër i menjëhershëm mbrojtjeje, lëshuar nga gjykata për viktimat e dhunës në familje.
  • Vetëdeklarim nëse individi/familja i përket pakicës kombëtare rome ose egjiptiane.
  • Dokument i lëshuar nga institucionet përkatëse për të miturit në konflikt me ligjin.
  • Vetëdeklarim se i përket grupimit LGBTI.
  • Vërtetim me certifikatë familjare se individi i përket kategorisë vajzë-nënë.

Për vërtetimin e kushteve ekonomike

  • Vërtetim i të ardhurave neto të familjes ose një deklaratë me shkrim nga aplikuesi për të ardhurat e familjes dhe burimin e tyre, të cilat duhet t’i bashkëlidhen dokumenteve zyrtare që e vërtetojnë atë, përfshirë vërtetimin nga punëdhënësi për pozicionin dhe pagën e aplikantit e të personave të tjerë të familjes, që janë në marrëdhënie pune;
  • Dokument nga organet tatimore dhe ato të sigurimeve shoqërore për derdhjen e kontributeve, për të gjithë anëtarët e vetëpunësuar të familjes;
  • Vërtetim nga zyra e ndihmës dhe përkujdesjes pranë njësive të vetëqeverisjes vendore për anëtarët e familjes të përfshirë në programin e ndihmës ekonomike dhe të pagesës për personat me aftësi të kufizuar;
  • Vërtetim nga zyra e punësimit e njësisë vendore përkatëse për personat e përfshirë në programin e pagesës së papunësisë;
  • vërtetim nga organet e sigurimeve shoqërore për personat në pension.

Strehimi në kushtet e emergjencës

Aplikantët që janë në kushtet e nevojës emergjente për strehim, që banojnë në banesa në rrezik shembjeje, në banesa që nuk plotësojnë kushtet higjieno-sanitare, në banesa që prishen për shkak të ndërtimeve të veprave publike, të cilët nuk përfitojnë kompensim financiar nga procedurat e shpronësimit, ose që kanë mbetur pa strehë për shkak të fatkeqësive natyrore, si dhe personat e pastrehë, paraqesin kërkesën dhe deklaratën përkatëse, duke specifikuar edhe situatën në të cilën gjenden. Struktura përgjegjëse për strehimin në njësinë e vetëqeverisjes vendore shqyrton menjëherë kërkesën dhe, brenda 24 orëve, verifikon situatën në terren. Gjendja e verifikuar pasqyrohet në një procesverbal që mbahet nga struktura përgjegjëse për strehimin dhe firmoset edhe nga aplikanti. Kur rastet e emergjencës për strehim identifikohen nga vetë njësia e vetëqeverisjes vendore, ajo nis procedurën duke njoftuar individët/familjet për strehimin për shkak të situatës emergjente. Në të gjitha situatat e gjendjes së emergjencës, kur procedura fillon me kërkesë të individit apo familjes përfituese, ose kryesisht nga vetë njësia e vetëqeverisjes vendore, emri apo lista e aplikantëve paraqiten menjëherë në këshillin e njësisë së vetëqeverisjes vendore për miratim.

Organet e vetëqeverisjes vendore duhet të bëjnë  publike çdo vit këto të dhëna:

  • Kërkesat që duhen plotësuar për t’u trajtuar me një program specifik strehimi dhe sistemin e pikëzimit, të miratuara nga këshilli bashkiak.
  • Vendndodhjen e banesave, të ndërtuara apo të blera në treg, që do të përdoren si banesë sociale me qira, dhe vendndodhjen e banesave, që mund të shfrytëzohen për subvencionin e qirasë ose uzufruktit.
  • Personin përgjegjës me të cilin duhet kontaktuar për plotësimin dhe ndryshimin e të dhënave të formularit apo për çdo sqarim tjetër për plotësimin e tij.
  • Dokumentacionin që kërkohet për verifikimin e të dhënave që deklaron subjekti i interesuar.
  • Procedurën që do të ndiqet nga njësia e vetëqeverisjes vendore për miratimin e përfituesve.
  • Organin ankimor, të cilit duhet t’i drejtohet subjekti që nuk është përzgjedhur si fitues, si dhe afatet kohore.

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *