Efektivi që ndaloi të riun plagos aksidentalisht kolegun në vendngjarje me armën e shërbimit.
Tiranë, Policia: Këngëtari Arkimed Lushaj mbante armë pa leje.
Arkimed Lushaj, këngëtari i njohur me emrin Stresi, është arrestuar nga Policia e Tiranës në orët e vona të mbrëmjes së Halloween-it. Këngëtari i muzikës rep është kapur me një pistoletë pa leje, teksa dilte nga një lokal në orët e para të mëngjesit. Policia tha se Stresi, i cili shoqërohej edhe nga një mik i tij, është konfrontuar me dy punonjës të Komisariatit Nr.1, duke mos i lejuar që të ushtronin kontroll fizik ndaj tyre.
Ky konfrontim ka zgjatur rreth 15 minuta, që nga ora 03:00 deri në 03:15 të mëngjesit të djeshëm, dhe sipas Policisë ka sjellë plagosjen e njërit prej policëve, nga një shkrepje e pavullnetshme e armës së shërbimit. Ngjarja ndodhi në rrugën “Murat Toptani”, saktësisht para bustit të Azem Hajdarit, gjatë kohës që në lokalet e natës në Tiranë zhvilloheshin festimet për natën e Halloween-it. Pasi i kanë marrë Stresit armën që mbante në brez, këngëtari ka tentuar sërish që të largohet, por në këtë kohë njëri nga efektivat, Dorian Husolli, duke tentuar që ta neutralizonte ka nxjerrë nga brezi armën e shërbimit për të qëlluar në ajër.