“Stricia la Notizia” zbardh mashtrimet e Call Centerit në Shqipëri

Dita

Nëse ju ka rastisur të dëgjoni apo të punoni për një “call center” në Shqipëri, atëherë e dinin se si funksionojnë punët brenda atyre katër mureve. Ky biznes, i cili është përhapur shumë vitet e fundit, tashmë është i njohur edhe nga vetë qytetarët italianë, që e kuptojnë shumë mirë që pas telefonit bashkëbiseduesi ndodhet në një shtet tjetër.

Shqipëria është e njohur tashmë në Itali edhe për një formë të re transiti, transportimin e ilegalitetit të aktivitetit të sipërmarrjeve “call center” të lokalizuar në territorin shqiptar, me aktivitet pune në territorin italian.

Emisioni investigativ televiziv “Striscia la notizia” i Mediaset, pas publikimit ditën e djeshme të mashtrimit të “Master Chef Albania”, publikoi edhe materialin e përgatitur nga gazetari Moreno Morello, mbi mashtrimin e propozuar nga sipërmarrjet “call center” të lokalizuara në Shqipëri për shtetas italianë në Itali.

Është rasti i mijëra telefonatave abuzive, që familjet italiane marrin çdo ditë nga këto “call center” duke i propozuar shërbime në energji elektrike, gaz, telefon dhe ushqimeve, me një kosto të ulët.

Denoncimet e qindra konsumatorëve kanë vërtetuar se, kundrejt propozimit për të ulur faturën e gazit, energjisë elektrike, telefonit, etj, janë gjetur përballë situatave jo të këndshme, që kanë të bëjnë me ndryshimin e kompanisë furnizuese të mëparshme e lidhjes së kontratave të reja pa u lajmëruar paraprakisht, madje shpesh dhe me një kosto më të lartë se faturat e mëparshme.

Nëse konsumatorët italianë tashmë pas faktit të kryer shprehen kundër, duke kërkuar anulimin e kontratës së re, operatorët e “call center” përgjigjen se kanë gjithçka të regjistruar me audio. Por, siç thotë dhe gazetari në materialin e tij, ata regjistrojnë vetëm ç’ka u intereson e jo propozimet mashtruese të tyre.

Për disa muaj gazetari Moreno Morello ka bashkëpunuar në një familje të thjeshtë italiane, e cila prej kohësh “molestohej” nga telefonata të operatorëve “call center” të lokalizuara në Shqipëri.

Investigimi i gazetari vërteton dy mashtrime të mëdha:

1- Operatorët e “call center” propozojnë uljen e kostos së faturës së gazit duke specifikuar në të gjitha rastet se nuk është e nevojshme ndryshimi i kontratës së mëparshme. Qindra konsumatorë italianë që kanë marrë telefonata të tilla nga Shqipëria janë gjetur përballë faktit të kryer; me një kontratë të re furnizimi gazi, telefoni o energjie elektrike dhe pse nuk kanë propozuar kurrë ndryshimin e saj.

Sipërmarrja “call center” që propozon shërbimin për furnizuesin e ri të gazit, telefonit, energjisë elektrike etj, përfiton ekonomikisht për punën e kryer me anë të mashtrimit e kush humbet është konsumatori i thjeshtë, i pavetëdijshëm nga këto truke.

2- Mashtrimi i dytë ka të bëjë me vendndodhjen e sipërmarrjeve të “call center”. Operatorja ndërsa flet italisht me një theks të dukshëm shqiptar deklaron se agjencia e saj gjendet herë Romë, herë në Padova, herë në Verona.

E vërteta është se dhe pse operatorët e kësaj agjencie telefonojnë me një numër prefiksi të një qyteti italian, selia e tyre gjendet në Tiranë.

Më 10 shkurt të vitit 2015 Autoriteti Italian për Garantimin e Privatësisë ka nënshkruar me qeverinë shqiptare marrëveshjen që imponon sipërmarrjet italiane t’i komunikojnë autoriteteve rastet kur transferojnë “call center”-at e tyre jashtë kufijve të Italisë e mbi të gjitha operatorët e “call center” e kanë të detyrueshme të specifikojnë vendndodhjen e tyre sa herë që telefonojnë një numër italian.

Investigimi i gazetarit italian vërteton ilegalitetin e punës së kryer nga këto “call center” e mashtrimin e hapur ndaj konsumatorëve italianë.

Pas gjithë kësaj ngjarje gjendet një shoqëri e madhe e furnizimit me energji elektrike në Itali, e cila faturon në territorin e këtij vendi rreth 2 miliardë euro në vit e që ja ka besuar aktivitetin e “call center” ndaj konsumatorëve një agjencie të dytë me qendër në Verona e që kjo e fundit nga ana e saj ia ka besuar një agjencie “call center” me qendër në Tiranë.

E pra vetëm pak orë nga përfundimi i samitit ekonomik Shqipëri-Itali, mbajtur në Tiranë ku sipërmarrësit e rinj italianë pretendojnë nga qeveria shqiptare më shumë legalitet, më pak burokraci e një sistem fiskal e kushtetues sa më pranë sipërmarrjes së huaj, publikimi i një investigimi të tillë nga gazetari italian lë vetëm shije të hidhur.

Polemikave të muajve të fundit mbi transferimin e “call center”-ave nga Italia drejt Shqipërisë duke shkaktuar mbylljen e mijëra vende pune për operatorët italianë, në favor të kostos së ulët të punës për sipërmarrjet u shtohet së fundmi dhe përfitimi ekonomik i tyre kundrejt abuzimit e mashtrimit të hapur me konsumatorët.

Ilegalitet në Shqipëri o ilegalitet në Itali, do jetë avokati i konsumatorëve me autoritetet përkatëse ta provojnë këtë fakt.

Të fshehtat e agjencive “call center” të hapura në Shqipëri e që ushtrojnë aktivitetin e tyre sipërmarrës në Itali duket se nuk kanë marr fund me kaq.

Gazetari i “Striscia la notizia” Moreno Morello premton shumë shpejt një udhëtim drejt Tiranës, për zbardhjen e plotë të mënyrës së funksionimit të punës së tyre.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *