Struktura e testeve për 5 provimet e detyruara dhe ato me zgjedhje

redaktor

Për pasaktësi në korrigjim, mësuesi penalizohet deri në largim nga puna. Skema e korrigjimit të provimeve të Maturës Shtetërore parashikon një sërë penalitetesh në rast të evidentimit të gabimeve në vlerësimin e provimeve të detyruara dhe atyre me zgjedhje. Në këto kushte, mësuesit që do të bëhen pjesë e armatës së korrigjimit, duhet të mendohen mirë para se të përfshihen në këtë proces, nëse nuk duan të rrezikojnë nxirjen e librezën e punës me paralajmërime apo largime për thyerje të rregullave të përcaktuara në skemën e korrigjimit të provimeve. Autoritetet e arsimit bëjnë me dije se pika e fortë e maturës së këtij viti do të jetë forma e administrimit, veçanërisht ajo e mbikëqyrjes së zhvillimit të provimeve, si dhe procesi i korrigjimit. Ky i fundit për vite me radhë është kontestuar nga shumë maturantë që kanë mbetur të pakënaqur me notat e marra. Sipas përcaktimeve të bëra, drejtoritë arsimore në të gjithë vendin deri në mbyllje të muajit duhet të dërgojnë në Agjencinë Kombëtare të Provimeve (AKP), listën zyrtare të gjithë mësuesve që zhvillojnë lëndët që do jepen si provime mature. Për të qenë pjesë e skemës së korrigjimit këta mësues duhet të përmbushin një sërë kriteresh që kanë të bëjnë me kualifikimet e kryera, si dhe korrektësinë e treguar në vlerësimet e provimeve të viteve të shkuara. Masat ndëshkimore do të ndërmerren edhe për administruesit e provimeve. Në nenin 36 të Rregullores së Maturës, janë detajuar një sërë masash ndëshkimore, të cilat do të bien edhe mbi mbikëqyrësit e provimeve. Konkretisht sipas përcaktimeve të bëra, administratorët e provimeve do të marrin paralajmërim për largim nga puna kur mbikëqyrësit nuk kryejnë siç duhet dhe në mënyrë të dokumentuar kontrollin fizik të maturantëve që do të hyjnë në testim, kur nuk shpërndajnë me procesverbal materialet e provimeve, kur lejojnë hyrjen e personave të paautorizuar në sallat e testimit, kur nuk hedhin në procesverbal parregullsitë në zhvillimin e provimeve, si dhe kur neglizhojnë plotësimin e formularit që shpjegon ecurinë e detajuar të provimit përkatës. Kjo masë do të jepet edhe në rastet kur administruesi i provimit nuk kontrollon siç rastet e testeve që janë të dëmtuara, kanë pasaktësi ose barkod të paidentifikueshëm, si dhe kryejnë veprime të tjera që nuk janë të lidhura me procesin e administrimit.

Largimet nga puna

Në nenin 23 të rregullores saktësohet se: “Pas shpërndarjes së materialeve të provimit, për testet që teprojnë përgjegjësi i administrimit të qendrës së provimit dhe administruesi i mjedisit të provimit, duhet të hartojnë një procesverbal ku konfirmohet mbyllja e testet në një zarf. Ky zarf vendoset në një vend të sigurt, deri në përfundim të provimit. Ky zarf përbën objekt verifikimi nga Agjencia Kombëtare e Provimeve”. Moszbatimi i këtij rregulli shoqërohet me largim nga puna të administratorëve dhe personave të tjerë që janë të përfshirë në këtë proces. Largimi nga puna jepet edhe kur personat përkatës lejojnë që në ambientet e provimit të hyjnë drejtuesit e shkollës apo punonjësit e tjerë të arsimit, si dhe kur nuk kryejnë identifikimin e maturantëve që do japin provimin sipas listës emërore të marrë nga AKP, të paktën një orë e gjysmë para nisjes zyrtare të provimit. Kjo masë do të merret edhe për të gjithë ata administrues provimesh që nuk shpërndajnë dhe grumbullojnë testet, sipas llojit të përcaktuar në listën e sekretimit për çdo maturant, e cila duhet të shoqërohet me listëprezencën të firmosur nga vetë maturanti. Gjithashtu mësuesi mbikëqyrës rrezikon   vendin e punës nëse nuk bën njoftimin për ndërrimin e testit, kur maturantit gabimisht i është dhënë testi i lëndës që nuk e ka zgjedhur apo që nuk përshtatet me testin e shkollës sipas indeksit të shënuar në formularin A1 ose A1Z. Në këtë formë dënohet edhe evidentimi i pajisjeve të komunikimit si telefona celular apo lloje të tjera që mund të gjenden në ambientet e provimit. Administratori duhet të jetë i kujdesshëm që të mos lejojë daljen e maturantëve jashtë ambienteve të provimit, pa mbaruar orari zyrtar i përcaktuar në rregullore.

 

Kriteret që duhet të plotësojnë mësuesit që do korrigjojnë testet

Përzgjedhja e mësuesve që do të mbulojnë korrigjimin e provimeve të maturës do të bazohet në disa kritere specifike, që kanë të bëjnë me arritjet e tyre profesionale, e veçanërisht me kohëzgjatjen e zhvillimit të provimeve. Çdo test do korrigjohet në mënyrë të pavarur nga dy vlerësues, në rast të mosrakordimit të pikëve, do të përfshihet edhe një vlerësues i tretë. Çdo pyetje vlerësohet me pikë, totali i të cilave më pas ekuivalentohet në notë. Për rastet kur përgjigjet që jep maturanti janë të pasakta, ose kur janë rrethuar më shumë se dy alternativa, maturanti nuk penalizohet me ulje të pikëve. Skema e përcaktuar nga autoritetet e arsimit parashikon që në këtë rast vlerësimi të jetë me zero pikë. Numri i personave që përzgjidhen bazohet në varësi të testeve që janë për t’u vlerësuar. Edhe për provimet e 2015, testet do të korrigjohen në 6 qendra të ndryshme vlerësimi, në kryeqytet dhe rrethe. Testet e të njëjtit profil do të korrigjohen në një qendër dhe nuk do të shpërndahen në të tjerat. Për të qenë kalues, maturanti duhet të marrë detyrimisht 20 për qind të pikëve totale me të cilat vlerësohen pyetjet e testit. Ky është pragu i parapërcaktuar për maturën e këtij viti.

 

Kriteret për mësuesit që duan të jenë pjesë e skemës së korrigjimit janë :

  • Të kenë arsimin universitar përkatës.
  • Të kenë jo më pak se 5 vjet përvojë pune në mësimdhënie, në shkollën e mesme në lëndën përkatëse. Preferohen ata që janë me një eksperiencë pune mbi 10 vjeçare.
  • Të jetë treguar i saktë dhe i përpiktë në vlerësimet e mëparshme të provimeve të maturës.
  • Të jetë i vlerësuar për rezultatet të larta në mësimdhënie.
  • Të jetë i vlerësuar me të paktën “mirë” në kualifikimin e fundit të mësuesve. Përparësi kanë ata që kanë marrë vlerësimin e shkallës “shumë mirë”.
  • Të jetë i certifikuar si vlerësues.
  • Të mos ketë konflikte interesi dhe këtë duhet ta deklarojë me shkrim.

Testi i Gjuhës shqipe dhe letërsisë

Provimi i detyruar i Gjuhës shqipe dhe letërsisë do të jetë i strukturuar në dy pjesë. Pjesa e parë përbëhet nga një tekst letrarë, rreth të cilit orientohen 45 për qind e pyetjeve të provimit. Ndërsa pjesa e dytë do ketë një tekst joletrar që do ketë rreth 55 për qind të pyetjeve. Teza e provimeve të detyruara do të ketë në përmbajtje 25 pyetje.

Testi i matematikës

Numri dhe veprimet me to, matja, algjebra, funksioni, gjeometria, njehsimi diferencial dhe integral, si dhe statistika, probabiliteti e kombinatorika, janë 7 temat rreth të cilave do të përzgjidhen ushtrimet e provimit të matematikës. Sipas përcaktimeve të bëra, gjeometria dhe njehsimi diferencial do të kenë peshën më të madhe të ushtrimeve në tezën e provimit.

Struktura e testit për gjuhën e huaj

Testi për provimin e detyruar të gjuhës së huaj, do të jetë i nivelit gjuhësor B1, dhe klasifikohet në tre seksione të ndryshme, ku maturanti do testohet për të kuptuarit e një pjese letrare dhe jo letrare, përdorimin e gjuhës që përfshin aspektet më të rëndësishme gramatikore dhe leksikore trajtuar në vitet e shkollës së mesme, si dhe të pyetje rreth të shkruarit të gjuhës së huaj.

Provimet me zgjedhje

Testet që do të hartohen nga ekspertët për 2 lëndët që jepen si provime me zgjedhje do të përmbajnë 20 pyetje, të cilat do të jenë të kombinuara në sasi të barabartë ndërmjet pyetjeve me alternativa dhe atyre që do të kërkojnë shtjellim. Vlerësimi maksimal i testit do të jetë 40 pikë. Ekspertët që do të merren me hartimin e testeve, do të ngujohen në ambientet e AKP-së një javë para zhvillimit të provimit, ku do përzgjedhin pyetjet finale të tezës.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *