Ndryshe nga sa ka ndodhur në vitet e shkuara, provimet e maturës për 2014-n do të nisin më herët. Kjo për shkak të përfshirjes së provimit të gjuhës së huaj edhe në listën e provimeve të detyruara që do ta japin rreth 50 mijë maturantë në të gjithë vendin, provim ky që jepet për herë të parë. Autoritetet e arsimit sqarojnë se maturantët duhet të rrinë të qetë, pasi niveli i pyetjeve nuk do të jetë i vështirë. Sipas të dhënave të para nga aplikimet e bëra rezulton se një pjesë e konsiderueshme e maturantëve që konkurrojnë për në shkollat e larta, kanë zgjedhur të japin provim mature, gjuhën e huaj. Për të orientuar drejt maturantët në lidhje me përgatitjet që duhet të bëjnë për këtë provim, i cili do të zhvillohet më datën 16 maj, Agjencia Kombëtare e Provimeve ka detajuar formatin si do të jetë struktura e testit. Sipas skemës së detajuar nga AKP, 25 pyetjet e testit do të grupohen në tre kategori të ndryshme, duke shpërndarë kështu edhe shkallën e vështirësisë nga niveli më i dobët deri tek i shkëlqyeri. Pjesa e parë e testit, në përmbajte të cilës do të jenë rreth 20 pyetje do të jetë e orientuar drejt të lexuarit dhe të kuptuarit të një teksti (reading and comprehension). Maturantit do t’i jepet një pjesë teksti e panjohur, rreth të cilës do të ndërtohen rreth 12 pyetje që testojnë aftësinë e maturantit për të kuptuar një pjesë letrare ose jo-letrare, dhe për të gjykuar mbi të. Këto pyetje vlerësohen në total me rreth 20 pikë. Pyetja që ka vlerësimin më të lartë në këtë pjesë të testit do të jetë ajo e dhënies së informacionit të saktë rreth pjesës së tekstit. Ndërsa pjesa e dytë që ka të bëjë me format e përdorimit të gjuhës (use of language) do të ketë në përmbajte rreth 12 pyetje, të cilat vlerësohen me 20 pikë. Në pjesën e tretë të tekstit, që ka të bëjë me shkrimin dhe gramatikën e gjuhës së huaj, maturantit i duhet të shkruajë një tekst të caktuar duke u bazuar në rregullat gramatikore. Për vlerësimin e kësaj pjese maturantit i kërkohet që të shkruajë një tekst të shkurtër me rreth 100 apo 120 fjalë rreth një teme të caktuar. Në këtë rast maturanti do të vlerësohet për përmbajtjen, leksikun e përdorur, korrektësinë gramatikore, strukturën dhe rrjedhën logjike. Maturantët si provim të detyruar të gjuhës së huaj do të japin anglishte, frëngjishten ,italishten dhe gjermanishten. Impakti që do të ketë provimi i detyruar i gjuhës së huaj në rezultatet e maturës, nuk do të jetë i menjëhershëm, pasi rezultatet e këtij provimi nuk do të përfshihen në formulën finale, nëpërmjet të cilës përzgjidhen fituesit që do të shkojnë në universitete. Megjithatë maturantët duhet të marrin detyrimisht nota kaluese në këtë test, në mënyrë që të shpëtojnë nga sezoni i vjeshtës, dhe të marrin diplomën në kohë. Kjo pasi një notë jokaluese në provimin e gjuhës së huaj, i penalizon me mosmarrje të diplomës, e për rrjedhojë nuk mund të vijojnë në kohë garën për studimet e larta në universitetet publike.
Modeli dygjuhësh do shtrihet në të gjitha shkollat e vendit
Përqasjet ndaj gjuhëve të huaja do të shtrihen edhe më tej në shkollat e arsimit parauniversitar. Duke parë preferencat në rritje të nxënësve për mësimin e gjuhëve të huaja, autoritetet e arsimit bëjnë me dije se puna po orientohet drejt modelit dy gjuhësh. Çka do të thotë se në shkollat e mesme kryesisht , nxënësit nuk do të ndalen se mësuari vetëm në një gjuhë të huaj që mund të jetë e detyrueshme për të gjithë, por edhe në mësimin e një gjuhe të dytë, përzgjedhja e të cilës do t’i lihet tërësisht në dorë nxënësve. Konfirmimi është bërë gjatë ditës së djeshme nga vetë ministrja e Arsimit Lindita Nikolla, e cila ka deklaruar se po planifikohet futja e gjuhëve të huaja në programin mësimor të gjitha shkollave në vend. Deklarata është bërë gjatë një vizite të zhvilluar dje në shkollën e mesme ”Sami Frashëri” në Tiranë, ku në këtë institucion mësimi bëhet në dy gjuhë, në shqip dhe gjermanisht. Në këtë aktivitet i pranishëm ishte edhe ambasadori gjerman Helmut Hofman, i cili ka deklaruar se të rinjtë shqiptar duhet të orientohen drejt mësimit të gjuhëve të huaja, duke parë edhe tendencat e tregut të punës.
