Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka vijuar sot takimet për prezantimin dhe diskutimin e programit për një Rilindje Shqiptare në qytetin e Lezhës. Të fokus të takimit të sotëm ka qenë sërish tema e rendit dhe sigurisë publike, si një nga sfidat më të rëndësishme të qeverisjes socialiste të pas 23 qershorit. Në panelin e takimin së bashku me kryesocialistin Rama kanë qenë edhe deputetët Mimi Kodheli, Eglantina Gjermeni dhe Saimir Tahiri.
Deputetja Mimi Kodheli duke folur për trajtimin ekonomik të Policisë së Shtetit, ka theksuar se PS është e vendosur që ta ndryshojë këtë trajtim jo vetëm duke rritur rrogat e policëve, por edhe duke u dhënë atyre ndihmesë të vazhdueshme për strehim dhe drejtime të tjera të nevojshme të jetesës së tyre. Kodheli është ndalur edhe në trajtimin e familjeve të punonjësve të policisë të rënë në krye të detyrës, për të cilët ka theksuar se do të asistohen fëmijët në të gjitha nivelet e arsimimit dhe do të mundësohet punësimi i bashkëshorteve të tyre. Eglantina Gjermeni ka theksuar se situata skandaloze e kriminalitetit në vend është pasojë e keqqeverisjes, korrupsionit në të gjitha nivelet e shtetit, mungesës së vizionit të qeverisë dhe varfërisë, që ka pllakosur vendin. Ajo është shprehur se PS në qeverisje do të luftojë fort shkaqet e krimit, duke zbatuar një strategji për punësimin dhe duke synuar të ulë varfërinë, por edhe duke forcuar institucionet ligjzbatuese.
Ndërsa deputeti Saimir Tahiri e ka konsideruar shumëfishimin e pasigurisë në vend si një nga dështimet më skandaloze të qeverisë në luftën kundër krimit. Ai ka nënvizuar se policët e ndershëm sot kanë përballë jo vetëm botën e krimit por edhe shefat e tyre të korruptuar dhe të inkriminuar. Duke komentuar fotografitë e drejtuesve më të lartë të policisë me personin e akuzuar për vrasjen e kryekomisar Dritan Lamajt, deputeti socialist ka thënë se Berisha, që komenton çdo lloj dreke e darke dhe që i përgjon deputetët socialistë në çdo hap të tyre, nuk pati guximin të thoshte asnjë fjalë të vetme për darkën e shefave të policisë me një person të akuzuar për vrasje. Sipas Tahirit, beteja e qeverisjes së pas 23 qershorit për ligjshmërinë do të nisë nga policia, ku që nga punonjësi më i thjeshtë e deri te shefat më të lartë nuk do të guxojnë të dalin mbi ligjin.
Kryetari i PS-së, Edi Rama e ka nisur fjalën e tij duke risjellë në vëmendjen e të pranishmëve gjendjen krejt të pasigurtë që po kalojnë shqiptarët, për shkak të mungesës së shtetit dhe ç’organizimit të plotë të Policisë së Shtetit. “Ne kemi parë se veçanërisht në territoret e fshatit, për të mbrojtur pronën, për të mbrojtur shtëpinë, njerëzit armatosen. Kemi parë se sa shumë konflikte pronësie shpërthejnë dhe kthehen në krime. Dhe ajo që shohim gjithmonë e më pak është prania e shtetit. Shteti e ka braktisur detyrën. Organizimi i Policisë së Shtetit, ashtu si gjithë organizimi i shtetit tonë, sot është jashtë çdo standardi logjik, sepse edhe Policia e Shtetit sikundër të gjithë strukturat e shtetit tonë janë kthyer në fole për të futur “zogjtë” e Partisë Demokratike. Nuk ka asnjë standard tjetër. Në qoftë se ne duam të luftojmë krimin dhe të ringremë Policinë e Shtetit, duhet të këpusim lidhjet mes kupolës së Ministrisë së Brendshme dhe krimit. Drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit sot janë të lidhur me krimin e organizuar. Ky është fakt. Drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit sot garantojnë rrugët e kontrabandës dhe administrojnë të gjitha të ardhurat nga korrupsioni. Ky është fakt, ashtu sikundër është fakt që mes krimit dhe kupolës drejtuese të Ministrisë së Brendshme ka bashkëpunim të vazhdueshëm, ka tradhti ndaj Policisë së Shtetit, ku kriminelët e marrin vesh menjëherë sapo një operacion planifikohet dhe kështu operacionet dështojnë. Kjo ka sjellë edhe një shkatërrim moral të gjithë Policisë së Shtetit, sepse çdo njëri në Policinë e Shtetit e di se çfarë ndodh”, është shprehur kreu i PS-së.
Kryesocialisti ka theksuar se shteti nuk mund dhe nuk duhet t’i trajtojë të mirat publike si një mall që mund t’i ketë vetëm ai që paguan. “Duhet ndryshuar sistemi. Nuk mund t’u themi shqiptarëve që çdo gjë në këtë vend është mall. Edhe drejtësia është mall, ke lekë bleje, s’ke lekë nuk e blen dot; Edhe kujdesi shëndetësor është mall, ke lekë bleje, s’ke lekë nuk e blen dot; Edhe arsimi i fëmijëve të tu është mall, ke lekë bleje, s’ke lekë nuk e blen dot; Edhe të gjitha shërbimet e shtetit janë mall, kudo ku shkon. Lëre se ç’thotë Kushtetuta, lëre se ç’thotë ligji, ke lekë bleje, s’ke lekë nuk e blen dot. Dhe ndërkohë njerëzit kanë gjithmonë e më pak lekë, kurse Kryeministri ju thotë: Sa të lumtur duhet të jeni me kaq shumë lekë sa ju jap unë çdo muaj. Kjo kërkon një qasje tjetër. Mos prisni njerëz të dashur drejtësi në dyert e gjykatave, në qoftë se nuk kemi një qeveri që qeveris në mënyrë të drejtë. Mos prisni që gjykatësi t’u japi të drejtën që jua ha qeveria. Duhet që qeveria mos ju hajë të drejtën që edhe gjykatësi mos guxojë t’ju hajë të drejtën”, ka thënë Rama.
Sipas kreut të PS sot duhet një polici për dy gjëra: “E para që mos ketë individ në Shqipëri që të mos ndjehet i mbrojtur nga polici dhe e dyta që prona e çdo shqiptari të mos mund të cenohet dot nga askush, sepse e mbron policia e shtetit. Në qoftë se ne duam shtet ne duhet të garantojmë në radhë të parë sigurinë e personit dhe pacenueshmërinë e pronës, e pronës publike dhe pronës private”.