Mungesa e njohurive mbi rregullat e gjuhës shqipe nuk shkon paralelisht me preferencat e studentëve për ta zgjedhur atë si lëndë mësimore që duhet ndjekur. Pas debateve të ngritura gjatë vitit të shkuar për domosdoshmërinë e kësaj lënde në auditorët publike, tashmë në të gjitha fakultetet gjuha shqipe është pjesë e programit mësimor, ndjekja e së cilës është lënë fakultative për studentët.
Zhvillimi kësaj lënde me zgjedhje të lirë është refuzuar nga studentët e disa fakulteteve, pasi nuk e kanë renditur në lëndët e preferuara për t’u ndjekur gjatë këtij viti akademik. Konkretisht asnjë nga studentët e Fakultetit të Mjekësisë nuk e ka përzgjedhur lëndën e gjuhës shqipe për ta ndjekur gjatë semestrit të dytë. Shkak për këtë, sipas drejtuesve të fakultetit, bëhet edhe mbingarkesa e lëndëve që zhvillohen gjatë vitit akademik 2012-2013 për specialitetet e ndryshme mjekësore.
Duke konfirmuar përfshirjen e gjuhës shqipe si lëndë më vete në kurrikulat mësimore të këtij fakulteti, dekani Bajram Hysa deklaron se, edhe pse është lënë si lëndë me zgjedhje të lirë, është e nevojshme për t’u zhvilluar nga studentët.
Krahas mjekësisë, edhe në fakultete të tjera grupet e formuara për ndjekjen e kësaj lëndë janë të vogla, çka ka penguar nisjen e ciklit të leksioneve dhe seminareve. Kundrejt kësaj situate, Hysa ka shtuar më tej fakulteti do të punojë më shumë në drejtim të sensibilizimit të studentëve për rëndësinë që ka përzgjedhja dhe zhvillimi i kësaj lëndë. Pavarësisht faktit se lënda e gjuhës shqipe është lënë me zgjedhje të lirë për studentët, mosndjekja e saj mbart penalitete. Kjo pasi njohuritë e gjuhës shqipe tashmë janë pjesë e veçantë e provimit të shtetit, në të cilin duhet të kalojnë të gjithë të diplomuarit në fushat mjekësore.
Marrja e notave kaluese në këtë provim i lejon studentët që të fitojnë të drejtën e ushtrimit të profesionit, duke qenë se rezultatet e provimit janë kusht i lëshimit të licencës profesionale. Kështu nëse dijet mbi rregullat e drejtshkrimit të gjuhës shqipe do të fitoheshin që në fakultet, studentët do të jenë më të sigurt pasi nuk do të penalizohen me humbje të pikëve që i takon njohurive të gjuhës në testin special të provimit të shtetit që ata do të japin.
“Ne ende nuk kemi mundur dot të realizojmë një sensibilizim masiv të studentëve. Mbase duhen gjetur forma më stimuluese. Kemi kërkesa të reduktuara për ta futur si lëndë me zgjedhje. Kemi menduar që ta lëmë në ditët e fundit, duke grumbulluar kërkesa e duke e lënë në dorë të studentëve për ta zgjedhur si lëndë me një numër kreditesh të caktuara”, ka bërë të ditur rreth këtij fenomeni dekani i Fakultetit të Mjekësisë Bajram Hysa.
Sipas tij, në këtë fakultetet aktualisht studiohen rreth 70 lëndë të ndryshme mësimore, teksa pritet shtimi edhe i lëndëve të tjera për shkak të ndryshimeve që fushat mjekësore kanë pësuar gjatë viteve të fundit. Këto lëndë janë bërë pjesë e auditorëve universitarë në shumë vende të perëndimit.
Burime pranë Universitetit të Tiranës shtojnë se nuk është vetëm Fakulteti i Mjekësisë ai që raporton preferenca të pakta për ndjekjen e kësaj lëndë. Ky program nuk është hapur ende edhe në fakultete të tjera, në të cilat nuk është arritur të grumbullohet numri i duhur i studentëve për çeljen e këtij kursi.
Lexova me vemendje kete lajm.Jam teper i habitur se si mund te ekzistoje nje problem i tille ne nje institucion aresimor te Shqiperise,ku gjuha e vetme zyrtare eshte gjuha ametare dhe ky eshte nje detyrim ligjor per te gjithe qytetaret kur pretendojne te ushtrojne nje profesion.Ne cdo universitet duhet vene e detyrueshme gjuha shqipe dhe letersia shqipe,se pa kulture kombetare nuk ka kulture profesionale per nje profesion qe ushtrohet ne vendin tone.Une do te shtoja se ne degen e shendetesise gjuha shqipe,drejteshkrimi dhe bile edhe bukurshkrimi i saj duhet te konsiderohen si nje domosdoshmeri.Ndoshta edhe mesimi i dialekteve kryesore te vendit mund te viheshin ne program,sepse mjeku duhet te shkoje te punoje ne cdo skaj te vendit,ku jo vetem pacientet por edhe familjaret e tyre duhet t’i kuptojne cfare u thote mjeku ,dhe anasjelltas,bile edhe recetat e tyre ,qe te kuptohen(sepse shpesh,eshte i vjeter ky fenomen,ato receta s’ka burre nane qe mund t’i deshifroje) duhen shkruar qarte dhe ndoshta edhe me bukurshkrim!