Numri i lartë i studentëve, si dhe sallat e vogla të operacioneve në spitale pengojnë zhvillimin normal të praktikës mësimore. Studentët ndjekin praktikën në grupe të mëdha, të papërballueshme për ambientet e kufizuara të spitaleve. Parashikohet lidhja e kontratave të praktikës edhe me klinikat private.
Pranvera Kola
Studentët e mjekësisë e kanë tepër të vështirë që të vënë në praktikë dijet teorike të fituara gjatë ndjekjes së leksioneve. Mungesa e infrastrukturës, si dhe numri i lartë i studentëve që pranohen në këtë fakultet, nuk e ndihmon aspak zhvillimin normal të praktikës që studentët duhet të kryejnë pranë spitaleve.
Ndër më problematiket në këtë drejtim mbetet ndjekja e procedurave mjekësore në sallat kirurgjikale. Fatkeqësisht sallat e operacioneve në spitalet publike që ofrojnë praktikën për studentët janë tepër të vogla përballë grupeve të praktikës në përbërje të cilave janë 25 studentë. Ndërkohë që ndarja e grupeve të praktikës vetëm me 5 apo 6 studentë, sikundër ndodh në vendet e tjera, mbetet ende e pamundur pasi kapacitetet janë të kufizuara.
Për vite me radhë praktika mësimore e studentëve është zhvilluar e cunguar, madje shumë prej tyre pasi kanë mbaruar studimet, janë hasur në vështirësi të shumta sa i takon zhvillimit të profesionit. Vështirësi të cilat janë dokumentuar edhe në provimin e shtetit, ku shumë prej studentëve nuk kanë mundur ta kalojnë.
Përballë kësaj problematike, dekani i Fakultetit të Mjekësisë, Bajram Hysa, bën të ditur se me kalimin e fakultetit në stad universiteti (në të cilin do të mblidhen të gjitha degët mjekësore), do të rikonceptohet metoda e zhvillimit të praktikës. Duke u ndalur tek kushtet aktuale, Hysa bën të ditur se sallat e operacioneve janë shumë të vogla për grupe me 25 studentë. Ndaj propozon si zgjidhje të menjëhershme pakësimin e grupeve, si dhe u kërkohet pedagogëve që të rikonceptojnë mënyrën se si studentët do të marrin pjesë në praktikë.
“Ne nuk e kemi ende atë luks që studentët tanë të grupohen me nga 6 veta për shkak të mungesës së hapësirës së duhur në të gjitha shërbimet spitalore. Ne gjykojmë se implementimi i telemedicinës do të bënte të mundur që studentët dhe atje ku janë me grupe të mëdha, të ndjekin praktikën. Mund të gjendet mundësia që të bëhet qarkullimi i studentëve çdo ditë nga 6 veta”, shprehet Hysa.
Më tej ai sqaron se së shpejti është menduar që të lidhen kontrata të reja bashkëpunimi me spitalet dhe klinikat e tjera private apo publike në të gjithë vendin, në mënyrë që ato të ofrojnë kushtet për praktikën mësimore jo vetëm të specializantëve, por edhe të studentëve të tjerë të Fakultetit të Mjekësisë. “Dekanati i Fakultetit të Mjekësisë ka menduar të gjejë zgjidhje duke lidhur kontrata me spitale publike apo private, me një marrëveshje që do të nënshkruajmë së shpejti me Ministrinë e Shëndetësisë, studentët, që në vitin e dytë të studimeve universitare, një muaj apo një muaj e gjysmë në vit do ta harxhojnë pranë spitaleve të tyre të vendeve të origjinës nga vijnë. Të praktikohen që nga njohuritë infermieristike, që nga ndërhyrjet për mjekimin e një plage, e deri tek ndërhyrjet më të mëdha”, shprehet Hysa.
Këto ndryshime do të realizohen menjëherë sapo fakulteti të ndryshojë statusin dhe të shndërrohet në universitet. Në këto kushte edhe ndjekja e praktikës mësimore do të rikonceptohet edhe në fakultetet e tjera të profilit mjekësor, siç janë stomatologjia, farmacia, infermieria dhe shëndeti publik, të cilat deri tani kanë qenë degë të Fakultetit të Mjekësisë. Ndërkohë që më pas do kalojnë në stadin e fakultetit.