Studentët mësim edhe të shtunave deri në mbyllje të vitit!

redaktor

Për të zëvendësuar orët e humbura, studentët e Politeknikut do të vijojnë të zhvillojnë mësim edhe ditëve të shtuna. Zhvillimi i mësimit në ditët e pushimit do të vijojë deri në përfundim të vitit akademik.

Pas vlerësimit të bërë, drejtuesit e Universitetit Politeknik në kryeqytet kanë detajuar edhe ndryshimet që pëson struktura mësimore e vitit akademik 2019-2020 për zhvillimin e procesit mësimor të semestrit të dytë për ciklin e parë të studimeve “Bachelor”, si dhe programet e nivelit të dytë “Master Profesional” dhe “Master i Shkencave”.

Për shkak të situatës së jashtëzakonshme të krijuar nga pandemia globale e Covid-19, Politekniku bën këto tre ndërhyrje në procesin mësimor: Mësimi do të zhvillohet online deri në një moment të dytë, procesi i mësimit do të zhvillohet edhe të shtunave sipas një grafiku të përcaktuar tashmë për të dy ciklet e studimit duke bërë kështu të mundur që semestri i dytë të reduktohet deri në 12 javë. Ndërsa ndryshimi i tretë ka të bëjë me provimet e parealizuara të sezonit të dimrit. Për këto të fundit sqarohet se do të mund të zhvillohen para sezonit të verës, përkatësisht në periudhën 22-26 qershor.

Referuar këtyre ndryshimeve saktësohet se për semestrin e dytë mësimi do të zhvillohet në periudhën 30 mars deri në 20 qershor (12 javë), sezoni i provimeve do të realizohet në periudhën 22 qershor deri në 24 korrik (5 javë), ndërsa sezoni i mbrojtjes së diplomave do të zhvillohet në datat 27-31 korrik.

Sa i takon zëvendësimit të orëve të humbura për të cilat konfirmohet se bëhet fjalë për rreth dy javë mësimore, autoritetet e këtij universiteti kanë vendosur që të bëjnë të mundur plotësimin e tyre nëpërmjet zhvillimit të procesit mësimor edhe ditëve të shtuna. Ky proces do të vijojë për të gjitha javët në vijim, deri në mbyllje të vitit akademik 2019-2020. Ndërkohë që ky zëvendësim i orëve do të ndjekë të njëjtën rrjedhë si për studentët e ciklit të parë të studimeve, ashtu edhe për ata të ciklit të dytë të programeve master. Në vijim të shkrimit gjeni të plotë grafikun me të shtunat që do të zhvillohen mësim.

Grafiku i zëvendësimit të orëve të humbura përgjatë ditëve të shtuna:

  • Në datën 4 prill do të zhvillohet mësimi i ditës së hënë.
  • Në datën 11 prill do të zhvillohet mësimi i ditës së martë.
  • Në datën 18 prill do të zhvillohet mësimi i ditës së mërkurë.
  • Në datën 25 prill do të zhvillohet mësimi i ditës së enjte.
  • Në datën 2 maj do të zhvillohet mësimi i ditës së premte.
  • Në datën 9 maj do të zhvillohet mësimi i ditës së hënë.
  • Në datën 16 maj do të zhvillohet mësimi i ditës së martë.
  • Në datën 23 maj do të zhvillohet mësimi i ditës së mërkurë.
  • Në datën 30 maj do të zhvillohet mësimi i ditës së enjte.
  • Në datën 6 qershor do të zhvillohet mësimi i ditës së premte.

 

Gjithashtu janë përcaktuar edhe datat se kur do të zhvillohet sezoni i vjeshtës për të gjithë studentët që nuk do të arrijnë të mbyllin në kohë detyrimet mësimore. Sipas ndryshimeve të bëra në strukturën mësimore saktësohet se sezoni i vjeshtës për studentët e fakulteteve që janë pjesë e këtij Universiteti do të zhvillohet në periudhën 3 shtator deri në 9 tetor. Më konkretisht,  këtë vit akademik dorëzimi detyrimeve të mbetura do të zhvillohet në datat 3-8 shtator, sezoni i provimeve do të zhvillohet në datat 9-22 shtator, si dhe mbrojtja e diplomave do të zhvillohet në datat 23 shtator deri në datën 9 tetor.

 

p.k\Dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *