Pranvera Kola
Me nisjen e vitit të ri akademik 2019-2020, institucionet publike të arsimit të lartë kanë konfirmuar afatet dhe procedurat që duhet të ndjekin të gjithë studentët e ciklit të parë të studimeve “Bachelor”, si dhe ata të nivelit të dytë “Master” për të përfituar nga përjashtimi dhe reduktimi i tarifave vjetore të shkollimit, si dhe nga plani i bursave të planifikuara për këtë vit.
Referuar procedurave të përcaktuara, studentët që bëjnë pjesë në kategoritë e veçanta përfituese duhet që të bëjnë gati dosjen e dokumenteve të kërkuara, të cilën duhet ta dorëzojnë pranë sektorit të financës së fakultetit ku janë dukje ndjekur studimet e larta. Dorëzimi i dokumenteve për secilën kategori përfituese tashmë ka nisur. Për të mos rrezikuar marrjen e bursës, apo edhe reduktimin e tarifës vjetore, duhet që dosjen e dokumenteve ta dorëzoni në afatet e vendosura nga secili institucion i arsimit të lartë.
Kështu, për Fakultetin e Shkencave të Natyrës pranimi i dokumenteve për secilën kategori do të vijojë deri në datën 31 tetor. Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë ka vendosur që pranimi i kërkesave të vijojë deri në datën 9 nëntor. Ndërsa për Fakultetin e Drejtësisë pranimi i kërkesave do vijojë deri në datën 11 nëntor.
Dorëzimi i dokumenteve do të vijojë në të njëjtën formë edhe për fakultetet e tjera në vend. në vijim të shkrimit do të gjeni të detajuar edhe dokumentet që duhet të dorëzojë secila prej kategorive të veçanta që ka të drejtë të përfitojë bursë, apo reduktim të tarifës së studimeve për këtë vit akademik. Konkretisht, kategoritë që do të përfitojnë për vitin e ri akademik janë: studentët, familjet e të cilëve trajtohen me ndihmë ekonomike, bashkëshortët që kanë fëmijë dhe janë të dy studentë, (të cilit në rastin e bursave do të përfitojnë të dy), studentët, persona me aftësi të kufizuara, të vërtetuar nga Komisioni Mjekësor i Caktimit të Aftësisë për Punë, përfitues të pagesës së aftësisë së kufizuar. Si kategori përfituese do të trajtohen edhe studentët që i kanë të dy prindërit me aftësi të kufizuara, të vërtetuar me vendim të Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë, përfitues të pagesës së aftësisë së kufizuar.
Gjithashtu pjesë e kësaj kategorie janë edhe të gjithë studentët që i kanë të dy prindërit pensionistë ose njërin prind pensionist dhe prindi tjetër nuk jeton, studentët, të tretët në radhën e fëmijëve e lart, të cilët vijnë nga familje me tre fëmijë e më shumë, nga të cilët dy të parët janë studentë në institucionet publike të arsimit të lartë. Nga plani i bursave apo reduktimi i tarifave dhe do të përfitojnë edhe studentët që kanë përfituar statusin e jetimit deri në moshën 25 vjeç, studentët që kanë humbur kujdestarinë prindërore me vendim gjykate të formës së prerë, deri në moshën 25 vjeç, studentët që janë identifikuar si viktima të trafikut të qenieve njerëzore dhe kanë përfituar statusin ligjor për trajtim si viktima të trafikut të qenieve njerëzore, deri në moshën 25 vjeç, si dhe studentët që janë fëmijë të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ të Shtetit dhe të Policisë së Burgjeve që kanë humbur jetën në krye dhe për shkak të detyrës”.
Përjashtohen nga detyrimi për shlyerjen e tarifës vjetore të studimit edhe studentët romë dhe egjiptianë, të cilët do të identifikohen nëpërmjet vetëdeklarimit, si dhe studentët, fëmijë të ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë nga sistemi komunist ose fëmijë me prindër të dënuar politikë me heqje lirie. Në skemën e trajtimit do të jenë edhe studentët në vitin e parë,me notë mesatar vjetore të arsimit të mesëm nga nota 9 deri 10, si dhe studentët që kanë përfunduar vitin e parë po me këto rezultate.
Dokumentacioni i nevojshëm për përfitimin e bursës dhe reduktimit të tarifës së studimit
1) Studentet, familjet e të cilëve trajtohen me ndihme ekonomike
• Certifikate familjare.
• Kopje e Kartës së Identitetit.
• Vërtetim nga Njësia Administrative Vendore që fakton se familja e studentit trajtohet me ndihmë ekonomike.
2) Bashkëshortët që kanë fëmijë dhe janë të dy studentë, përfitojnë secili bursë financiare;
• Certifikate familjare.
• Kopje e Kartës së Identitetit.
• Vërtetim studenti nga institucionet publike të arsimit të lartë.
3) Studentët, persona me aftësi të kufizuara, të vërtetuar nga Komisioni Mjekësor i Caktimit të Aftësisë për Punë, përfitues të pagesës së aftësisë së kufizuar:
• Kopje e Kartës së Identitetit.
• Vërtetim i pagesës nga DRSHS
• Vendimin e KMCAP.
4) Studentët që i kanë të dy prindërit me aftësi të kufizuara, të vërtetuar me vendim të Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë, përfitues të pagesës së aftësisë së kufizuar:
• Certifikate familjare.
• Kopje e Kartës së Identitetit.
• Vërtetim i pagesës nga DRSHS.
• Vendimet e KMCAP për të dy prindërit.
5) Studentët që i kanë të dy prindërit pensionistë ose njërin prind pensionist dhe prindi tjetër nuk jeton:
• Certifikate familjare.
• Kopje e Kartës së Identitetit.
• Vërtetim i pagesës pensionit nga DRSHS.
6) Studentët, të tretët në radhën e fëmijëve e lart, të cilët vijnë nga familje me tre fëmijë e më shumë, nga të cilët dy të parët janë studentë në institucionet publike të arsimit të lartë:
• Certifikate familjare.
• Kopje e Kartës së Identitetit.
• Vërtetimi që të dy fëmijët e parë janë studentë në universitetet publike.
7) Studentët që kanë përfituar statusin e jetimit, deri në moshën 25 vjeç:
• Kopje e Kartës së Identitetit.
• Vërtetim të statusit të jetimit.
8) Studentët që kanë humbur kujdestarinë prindërore me vendim gjykate të formës së prerë,deri në moshën 25 vjeç:
• Certifikate familjare.
• Kopje e Kartës së Identitetit.
• Vendim gjykate të formës së prerë.
9) Studentët që janë identifikuar si viktima të trafikut të qenieve njerëzore dhe kanë përfituar statusin ligjor për trajtim si viktima të trafikut të qenieve njerëzore, deri në moshën 25 vjeç;
• Kopje e Kartës së Identitetit.
• Vërtetim nga Ministria e Brendshme.
10) Studentët që janë fëmijë të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ të Shtetit dhe të Policisë së Burgjeve që kanë humbur jetën në krye dhe për shkak të detyrës:
• Kopje e Kartës së Identitetit.
• Shkresa nga Ministria përkatëse.
11) Studentët në vitin e parë akademik me notë mesatare vjetore nga 9 deri ne 10 nga sistemi i arsimit te mesëm të lartë dhe studentët ne vitin pas të parit me mesatare vjetore te ponderuar nga 9 deri ne 10 te vitit paraardhës akademik
• Studentët nuk duhet të sjellin dokumente për këtë kategori.
12) Studentët romë dhe egjiptianë
• Kopje karte identiteti.
• Formulari i vetedeklarimit.
13. Studentët, fëmijë të ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë nga sistemi komunist ose fëmijë me prindër të dënuar politikë me heqje lirie:
• Certifikate familjare.
• Kopje e Kartës së Identitetit.
• Vërtetimi nga Instituti i të Përndjekurve Politike.
14) Studentë në vitin e parë,me notë mesatar vjetore 9 deri 10, nga sistemi i arsimit të mesëm:
• Studentët nuk do të sjellin dokumente.
15) Studentë në vitet pas të parit, me notë mesatare të ponderuar 9 deri 10, të cilët kanë shlyer të gjitha detyrimet e vitit paraardhës akademik:
• Studentët nuk do të sjellin dokumente.
