Një student amerikan viziton një muze në Filadelfia dhe gjen atje një pikturë të shekullit XVI, e cila do të shndërrohet në një surprizë të çuditshme për djalin. Në tablonë 5-shekullore gjendet e pikturuar sozia e tij.
Ai është Maks Galupo, një student 20-vjeçar nga Nju Jorku, ndërsa “ai tjetri” një fisnik italian i shekullit të gjashtëmbëdhjetë. Historia që ka për protagonist italo-amerikanin Maks, është duke bërë xhiron e botës. Djali njujorkez, gjatë një vizite në Muzeun e Artit Modern në Filadelfia, e gjeti veten përballë “binjakut” të tij, fisnikut më shumë se 500-vjeçar të pikturuar në tablonë me titull “Portrait of a Nobleman with Dueling Gauntlet” (Portreti i një fisniku me doreza dyluftimi).
“Gjithçka ishte shumë e çuditshme. Shkuam në muzeun e arteve dhe vizituam ekspozitën duke admiruar, kryesisht helmetat e ndryshme të epokës mesjetare dhe ato të shekujve të parë të Rilindjes. Maksi ishte plotësisht i hipnotizuar nga këto objekte, kështu që e lashë të qetë në soditjen e tij dhe bëra përpara. Por, diçka më tërhoqi vëmendjen dhe ndalova. Ishte një tablo e madhe, e varur diku në fund të ekspozitës. “Maks, e shikon këtë pikturë? Të ngjanka shumë”, i thashë, e ndodhur përballë tablosë”.
Me këto fjalë Niki Kurtis, e fejuara e Galupos, shpjegoi për mediat amerikane se si u gjendën përballë rastësisë misterioze në nga galeritë e muzeut.
“Për të qenë i sinqertë, vetë unë nuk arrija të kuptoja ngjashmërinë. Nuk e di pse, por nuk mundja. Pastaj nxora një fotografi timen dhe e vura përbri pikturës. Fytyra ime në foto kishte një ngjashmëri të jashtëzakonshme me fytyrën e fisnikut në tablo. Nuk po u besoja syve!”, u shpreh Maks për televizionin amerikan “ABCnews”.
“Është për të qeshur, sepse u përpoqa të gjeja sa më shumë informacion për pikturën e varur në fund të njërës prej galerive të muzeut, por nuk gjeta pothuajse asgjë. E vetmja gjë që di, është se tabloja vjen nga Italia, vendi në të cilin kanë lindur stërgjyshërit e mi. Por do të vazhdoj kërkimet e mia edhe në internet, ndoshta adresa “ancestry.com” do të më hyjë në punë për të parë nësa ka ndonjë lidhje midis meje dhe atij”, përfundoi Galupo.
Kanë apo s’kanë lidhje me njëri-tjetrin studenti me fisnikun, ngjashmëria e tyre të bën vërtet shumë përshtypje. Madje aq shumë u çuditën edhe persona të tjerë, saqë dikush nga ekspozita i premtoi djalit se do t’i siguronte një veshje të ngjashme me atë që kishte veshur sozia e tij në pikturë. Sigurisht që Maksi e pranoi me kënaqësi ofertën.
Tashmë ai ka nisur kërkimet për të vërtetuar nëse në venat e tij rrjedh gjak aristokrat./Dorina Gjuzi