I prerë në copa, mbështjellë me celofan dhe vendosur në tetë kuti kartoni. Kështu është gjetur trupi i një 72-vjeçari në Itali, në zonën e Trebisacce. Riccardo Chiurco, ish-mësues, jetonte me të bijën, Setfania, 38 vjeçe, e cila dyshohet se është vrasësja e të atit.
Studentja e mjekësisë
Pas vdekjes së të shoqes, 72-vjeçari jetonte me të bijën, e cila ishte studente në Universitetin e Mjekësisë në Perugia. Fqinjët thanë për mediat italiane se ajo vuante nga probleme psikike dhe grindej shpesh me të atin. Stefania është denoncuar në polici nga i vëllai, i cili ishte i pari që dyshoi në fajësinë e saj në krimin makabër ndaj të atit, i cili nuk i përgjigjej në telefon prej dy ditësh. Policia ka shkuar në shtëpinë e familjes Chiurco dhe sapo vajza ka hapur derën, ata kanë ndier një erë të rëndë. Kjo ka bërë që menjëherë në shtëpi të nisin kontrollet. Ata e kanë gjetur trupin e të moshuarit të ndarë në copa dhe të futur në qese me gëlqere dhe pudër talk, të cilat ishin sistemuar në kuti kartoni. Vajza është arrestuar menjëherë.