Rikthehen studimet e ciklit të tretë edhe në Universitetin Politeknik të Tiranës. Të gjithë kandidatët që kanë kryer studimet e ciklit të parë dhe të dytë, dhe që kanë një mesatare të tyre jo më të vogël se sa nota 8, do të mund të konkurrojnë përgjatë këtij viti akademik për të ndjekur studimet e ciklit të tretë të “Doktoraturës” në Universitetin Politeknik të Tiranës. Rektorati i kësaj strukture të arsimit të lartë publik ka shpallur tashmë hapjen e konkurrimeve për pranimet e reja që do të realizohen në këtë cikël, duke përcaktuar afatet e aplikimit, kriteret, si dhe kuotat e pranimeve për secilin program studimi.
Sipas vendimeve të marra, dhjetë janë fushat e studimit, për të cilat do të zhvillohen konkurrimet e “Doktoratës” në këtë institucion të arsimit të lartë publik në vend. Konkretisht pranimet do të zhvillohen në degët “Telekomunikacion dhe Inxhinieri Informacioni”, “Inxhinieri informatike”, programe në të cilat do të garohet për 20 kuota pranimi. Konkurrimet do të zhvillohen edhe për 2 kuota në degën “Inxhinieri Fizike”, 3 kuota në degën “Automatizimi i Industrisë”, tre do të jenë kuotat e pranimeve edhe në degën e “Energjetikës”. Ndërsa për programin e studimit “Inxhinieri Mjedisi” gara do të zhvillohet për 6 kuota studimi. Po sipas vendimeve të miratuara, në degën Gjeodezi do të konkurrohet për 3 kuota, në degën“Gjeologjia dhe Mjedisi” aplikohet për 6 kuota, në degën “Inxhinieri Nafte dhe Gazi” do të mund të përzgjidhen për të vijuar studimet 8 kandidatë, si dhe në fushën e studimit “Konstruksione mekanike dhe vlerësimi i integritetit strukturor” do të konkurrohet për tre kuota pranimesh të reja.
Krahas mesatares minimale që duhet për të aplikuar në këtë cikël studimesh, autoritetet e Universitetit Politeknik bëjnë me dije se kusht pranimi është njohja e njërës prej pesë gjuhëve të huaja të Bashkimit Evropian, si: anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, spanjisht, të vërtetuar përmes testeve të njohura ndërkombëtare në nivelin e miratuar nga SAUPT, në përputhje me kornizën ligjore në fuqi. Për rastet kur kandidati që aplikon për ciklin e “Doktoraturës” ka fituar një diplomë të një programi studimi të kryer në një nga pesë gjuhët e përmendura më sipër, diploma e fituar i shërben si dëshmi për plotësimin e kriterit të gjuhës së huaj. Në vijim të shkrimit do të gjeni tëplota kriteret e aplikimit për pranimet e reja që do të zhvillohen gjatë këtij viti për këtë cikël studimi.
Sikundër ndodh në strukturat e tjera të arsimit të lartë, edhe për këtë Universitet konkurimi për kuotat e ciklit të tretë do të zhvillohet me anë të dosjes. Sipas afateve të përcaktuara, çdo kandidat duhet që të paraqitet për të dorëzuar personalisht dosjen e dokumenteve të përcaktuara. Aplikimet e kandidatëve për studimet e ciklit të tretë “Doktoratë” në Universitetin Politeknik të Tiranës, do të vijojnëderi më datë 29 prill.
Sa i takon konkurrimit, për të ndjekur programet e studimit të “Doktoratës” aplikanti duhet të bëjë një kërkesë, e cila do të përfshihet në dosjen personale që do të dorëzohet në njësinë bazë të institucionit universitar ku ndodhet programi i doktoraturës për të cilin do të garojë. Në këtë dosje do të duhet të përfshini edhe dokumentet e tjera të kërkuara, si CV, kopje të noterzuara të diplomave dhe suplementeve të tyre për ciklet e studimit të kryer, kopje të mjeteve të identifikimit dhe certifikatë lindjeje, dy rekomandime të marra nga personel akademik me titull shkencor “Profesor” ose “Profesor i Asociuar”, dëshminë e gjuhës së huaj sipas kushtit të përcaktuar, deklaratën e udhëheqësit shkencor, deklaratën personale ku merrni përsipër përballimin e shpenzimeve të programeve të studimit të doktoratës kur bëhet me vetfinancim, vendimi i njësisë bazë për fushat e kërkimit shkencor, vendimin e njësisë bazë për pranimin e dokumentacionit të aplikimit, mandat pagesën e tarifës së aplikimit, vendimin nga qendra e punës, si dhe propozimin shkencor ku të evidentohen objektivat e kërkimit shkencor, metodologjia e përdorur, nevoja për studim të thelluar, etj.
Në ligjin për arsimin e lartë përcaktohet se, studimet e doktoratës do zhvillohen me kohë të plotë pranë njësisë bazë ose me kohë të zgjatur në ato raste kur doktoranti është i punësuar si personel akademik në një institucion tjetër të arsimit të lartë apo si personel kërkimor në një institucion të kërkimit bazë ose të zbatuar. Në rastet kur studimet e doktoratës zhvillohen në bashkëpunim midis institucioneve të arsimit të lartë, pjesë të procesit kërkimor, mund të zhvillohen pranë institucioneve bashkëpunuese. Numri i studentëve doktorantë përcaktohet nga njësia bazë dhe projekti kërkimor i çdo doktoranti përcaktohet në varësi të projekteve kërkimore të kësaj të fundit. Për kryerjen e studimeve të doktoratës, studenti mund të përfitojë edhe financime nga subjekte të tjera apo të vetëfinancohet.
Studimet e doktoratës zgjasin jo më pak se tri vite akademike dhe jo më shumë se pesë vite akademike. Në përfundim të studimeve të doktoratës lëshohet diploma e gradës shkencore “Doktor”. Institucionet e arsimit të lartë vendosin vetë në lidhje me kriteret për vlerësimin vjetor të ecurisë së kandidatëve dhe vazhdimin e punës për zhvillimin e projektit kërkimor.
Kuotat e pranimeve për ciklin e tretë të studimeve në Universitetin Politeknik
- Doktoratë në “Teknologjitë e Informacionit dhe Komunikimit”, nënfusha “Inxhinieri Informatike” dhe nënfusha ”Telekomunikacion dhe Inxhinieri Informacioni”, (20 kuota), Fakulteti i Teknologjisë së Informacionit.
- Doktoratë në “Inxhinieri Fizike”, (2 kuota),Fakulteti i Inxhinierisë Matematike dhe Inxhinierisë Fizike.
- Doktoratë në “Inxhinieri Elektrike”, nënfusha “Automatizimi i Industrisë”, (3 kuota), Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike.
- Doktoratë në “Inxhinieri Elektrike”, nënfusha “Energjitikë”, (3 kuota), Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike.
- Doktoratë në “Inxhinieri Ndërtimi”, nënfusha “Inxhinieri Mjedisi”, (6 kuota), Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit.
- Doktoratë në “Gjeodezi”, (3 kuota) – Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit.
- Doktoratë në “Gjeologjia dhe Mjedisi”, (6 kuota) – Fakulteti i Gjeologjisë dhe i Minierave,
- Doktoratë në “Inxhinieri Nafte dhe Gazi”, (8 kuota) – Fakulteti i Gjeologjisë dhe i Minierave.
- Doktoratë në “Konstruksione mekanike dhe vlerësimi i integritetit strukturor”, (3 kuota) – Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike.
Kriteret e pranimit për konkurrim në ciklin e “Doktoratës”
- Diplomë universitare “Master i shkencave” në UPT;
- Diplomë e sistemit të vjetër 5-vjeçar në UPT;
- Master i Shkencave ose DND të fituara në institucione të tjera të arsimit të lartë, brenda ose jashtë vendit, në përputhje me përcaktimet e bëra në programin e studimeve të doktoratës ose në rregulloren e saj.
- Diplomat e fituara jashtë vendit duhet të ekuivalentohen përpara aplikimit, sipas akteve ligjore në fuqi të ministrisë përgjegjëse për arsimin.
- Mesatare të ponderuar të notave në ciklin e parë të studimeve (diploma Bachelor/DNP) dhe në ciklin e dytë të studimeve Master i Shkencave/DND, të programeve të integruara të nivelit të dytë dhe të sistemit të vjetër 5-vjeçar, jo më të vogël se 8 (tetë), ose jo më pak se 80 % e pikëve totale.
- Njohje të njërës prej pesë gjuhëve të huaja si: anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, spanjisht, të vërtetuar përmes testeve të njohura ndërkombëtare në nivelin e miratuar nga SAUPT, në përputhje me kornizën ligjore në fuqi.
- Nëse kandidati ka fituar një diplomë të një programi studimi të kryer në një nga pesë gjuhët e përmendura më sipër, diploma e fituar i shërben si dëshmi për plotësimin e kriterit të gjuhës së huaj.
DOSJA E APLIKIMIT PËR REGJISTRIM NË STUDIMET E CIKLIT TË TRETË “DOKTORATË”
- Kërkesën e kandidatit drejtuar njësisë bazë, që është përgjegjëse për organizimin dhe administrimin e studimeve të doktoratës, ku të përfshihet fusha e studimit të doktoratës, që kërkon të ndjekë dhe drejtuesi shkencor.
- Deklaratë e drejtuesit shkencor për udhëheqjen e studimit të doktoratës, në fushën e përzgjedhur.
- Propozim për temën e kërkimit/metodologjinë/pritshmëritë, firmosur nga udhëheqësi;
- Letër motivimi dhe njëCV personale.
- Lista e punimeve shkencore të dokumentuara, nëse ka të tilla.
- Kopje të noterizuar të diplomave të ciklit të parë dhe të ciklit të dytë Master i Shkencave, të shoqëruara me suplementet e diplomës. Diplomat e fituara jashtë vendit duhet të shoqërohen me vërtetimin e njohjes/ekuivalentimit nga ministria përgjegjëse për arsimin.
- Kopje të noterizuar të diplomave të ciklit të tretë “Master ekzekutiv“, diplomë specializimi, ose të diplomave ekuivalente me to, shoqëruar me suplementin e diplomës, nëse kandidati ka të tilla.
- Fotokopje të kartës së indentitetit/pasaportës.
- Dy fotografi.
- Dy rekomandime nga persona me titullin akademik “Profesor” ose “Profesor i asociuar”, ku njëri prej të cilëve duhet të mbulojë fushën përkatëse të kërkimit shkencor.
- Vetëdeklarim ku kandidati pranon të shlyejë të gjitha detyrimet financiare të studimeve të doktoratës, sipas përcaktimeve të bëra nga UPT (Kjo pikë plotësohet vetëm nga kandidatët të cilët nuk janë staf efektiv i UPT-së).
- Dëshmi të gjuhës së huaj, sipas kornizës ligjore në fuqi.
- Vërtetim nga qendra e punës, nëse është i punësuar.
- Mandat pagese për tarifën e aplikimit.
