Humbasin provimet nëse nuk shlyejnë në kohë tarifën vjetore të studimeve. Fakultetet publike kanë shpallur tashmë afatet dhe procedurat që duhet të ndjekin të gjithë studentët në derdhjen e pagesave përkatëse për ndjekjen e vitit akademik. Tarifa e studimeve që duhet të shlyejnë kandidatët që ndjekin arsimin e lartë publik është e ndryshme sipas llojit të programit që kandidati ndjek, sikundër merret parasysh edhe shtresa në të cilën ai bën pjesë. Nga rimbursimi i kostos vjetore të studimeve nuk përfitojnë vetëm kandidatët që ndjekin ciklin tre vjeçar “Bachelor”, por edhe ata të ciklit të dytë master, pavarësisht nëse mësimin e zhvillojnë me kohë të plotë apo part-time. Ndërkohë që masa e rimbursimit të tarifës është nga 50 deri në 100 për qind. Kryesisht nga ky rimbursim përfitojnë kandidatët që vijnë nga shtesat sociale në nevojë dhe që nëpërmjet dokumentacioneve përkatëse konfirmojnë nivelin e ulët të ardhurave. Por, për të përfituar këtë rimbursim këta kandidatë duhet që të bëjnë aplikimin përkatës në datat e përcaktuara. Në të kundërt jo vetëm që humbasin zbritjen e tarifës së studimeve, por rrezikojnë edhe hyrjen në provimet e sezonit që do zhvillohet në nisje të muajit shkurt. Sipas afateve të vendosura, studentët e interesuar për të aplikuar për përjashtimin nga tarifa e shkollimit, prej datës 14-25 janar 2014 duhet të dorëzojnë dokumentacionin pranë zyrës së shërbimeve. Duke u mbështetur tek vendimet përkatëse për çdo cikël studimi, në vijim të shkrimit gjeni të detajuara shtresat sociale që përfitojnë si dhe dokumentacionin e nevojshëm që duhet dorëzuar bashkë me formularin e aplikimit. Studentët me statusin invalid, paraplegjik dhe tetraplegjik, studentët që nuk shikojnë, nuk dëgjojnë dhe studentët me prind invalid në dosjen e dokumenteve duhet të kenë : “Vërtetim studenti, Certifikatë familjare dhe Karta e Identitetit të studentit fotokopje, librezën e invaliditetit të noterizuar, dokumentin e daljes në KMCAP, vërtetimi i masës së pensionit, si dhe vërtetimin shoqërues i të gjithë dokumentacionit nga Shoqatat e Invalidëve të Punës së Shqipërisë”. Jetimët duhet të dorëzojnë edhe certifikatat e vdekjes se prindërve, si dhe vërtetimi nga Shoqatat e Jetimëve të Shqipërisë. Atyre që marrin ndihmë ekonomike nga njësitë e qeverisjes vendore si “familje në nevojë”, përveç këtyre duhet të kenë edhe vërtetimin e njësisë vendore. Për studentët që bëjnë pjesë në kategorinë që prindërit e tyre kanë humbur jetën gjatë ushtrimit të detyrës kërkohet edhe dokumenti nga institucioni përkatës, të policëve e të ushtarakëve të Forcave të Armatosura që të vërtetojë që ka rënë apo është plagosur në detyrë. Ndërsa studentët romë dhe ballkano-egjiptian duhet të kenë edhe nga shoqata përkatëse. “Të gjithë studentët se brenda datës 30.01.2014 duhet të kenë kryer tarifat e shkollimit për vitin akademik 2013-2014 por edhe për vitet që janë debitorë sepse në të kundërt do penalizohen nga sistemi për provimet e sezoneve dhe marrjen e diplomave”, bëhet me dije nga Fakulteti i Ekonomisë në Universitetin e Tiranës.
Rimbursimi i studimeve në ciklin “Bachelor”
Kandidatët që kanë vijuar studimet e ciklit të parë, në vitin e ri akademik 2013-2014, dhe që vijnë nga këto shtresa sociale, si: “Personat që nuk shikojnë, nuk dëgjojnë, invalidët e punës e fëmijët e tyre, invalidët, paraplegjik e tetraplegjik, jetimët, studentët të cilëve që nuk kanë njërin prind dhe trajtohen me ndihmë ekonomike, ata që vijnë nga “familje në nevojë”, fëmijët romë, me statusin e të përndjekurit politik, fëmijët e policëve e ushtarakëve të Forcave të Armatosura për shkak të detyrës, të prekur nga sëmundja HIV-AIDS përjashtohen nga tarifa vjetore e shkollimit. Në çdo program studimi në ciklin e parë të studimeve me kohë të plotë, 3 tre studentët e vitit të parë, me rezultatet më të larta në plotësimin e kritereve të pranimit (pikët e fituara në sistemin meritë-preferencë), në programin e studimit përkatës, përjashtohen nga tarifa vjetore e shkollimit.
Rimbursimi i tarifës së studimeve në programet master
Kandidatët që vijojnë studimet e larta në një nga programet e studimit të ciklit të dytë, me kohë të plotë “Master Profesional” dhe “Master i Shkencave” që u përkasin shtresave sociale si: “Personat që nuk shikojnë, dëgjojnë, invalidët e punës, invalidët, paraplegjik dhe tetraplegjik, jetimët, studentët që kanë humbur njërin nga prindërit dhe familjet e tyre përfitojnë ndihmë ekonomike, fëmijët romë, ballkano-egjiptianë, fëmijët nga prindër të dënuar politikë me heqje lirie, fëmijë të policëve e të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të rënë ose të plagosur për shkak të detyrës, të prekur nga sëmundja HIV-AIDS, paguajnë një kuotë në masën 50 për qind të tarifës së shkollimit. Vetëm gjysmën e tarifës do të paguajnë edhe studnetët e po këtyre kategorive, por që studimet master i kryejnë në ciklin part-time.
Rimbursimi i studimet “Bachelor” part-time
Rimbursimi i tarifës së studimeve do të shkojë edhe për studentët që vijojnë studimet në ciklin tre vjeçar “Bachelor” në sistemin part0time. Edhe kjo kategori duhet të paguajë vetëm gjysmën e tarifës së studimeve, për shkak të statusit që gëzon. Ky rimbursim shkon për personat që nuk shikojnë dhe nuk dëgjojnë, invalidë të punës dhe fëmijët e tyre, invalidët, paraplegjikë dhe tetraplegjikë dhe fëmijët e tyre jetimët, studentë të cilëve njëri nga prindërit është ndarë nga jeta dhe familjet e tyre përfitojnë ndihmë ekonomike nga njësitë e qeverisjes vendore si “familje në nevojë”, fëmijët romë, ballkano-egjiptianë, fëmijët e ish-të përndjekurve politik, fëmijë të policëve e të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të rënë ose të plagosur për shkak të detyrës, të prekur nga sëmundja HIV-AIDS. Këtë të drejtë do ta kenë edhe studentët e viteve më të larta që u përkasin po këtyre shtresave sociale. Vlera e tarifës për program të parë studimi në Fakultetin Ekonomik është 37.965 lekë dhe për program të dytë studimi është 75.929 lekë.
