Ministria e Arsimit zbardh programet e reja të nivelit “Master” dhe “Bachelor” që do të ofrojnë fakultetet publike duke filluar nga ky vit akademik. Detajimet e plota të krediteve që kandidati duhet të plotësojë për të tre ciklet e studimit në mënyrë që të mos rrezikojë marrjen e diplomës universitare. Kusht edhe njohuritë në gjuhën angleze të konfirmuara sipas testeve ndërkombëtare.
Pranvera Kola
Pranimet në fakultetet publike për vitin akademik 2012-2013 nuk janë mbyllur ende. Shumë prej studentëve që janë në kërkim të kuotave të pranimit në ciklet e studimit “Bachelor” apo “Master” janë ende në kohë të aplikojnë, pasi Ministria e Arsimit ka ndezur dritën jeshile për hapjen e shumë programeve të reja universitare në ciklin e parë dhe të dytë në fakultetet publike.
Bashkangjitur shkrimit do të gjeni të detajuar listën e plotë të programeve të reja studimore që janë aprovuar për të gjitha universitetet në vend. Një pjesë e tyre do t’i përfundojnë pranimet gjatë këtij viti, ndërsa pjesa tjetër regjistrimet e reja do t’i iniciojnë gjatë 2013-s, sipas kalendarit të caktuar që do të shpallin vetë fakultetet. Secili prej këtyre programeve ka të përcaktuara edhe nivelin e krediteve që aplikuesi duhet të përmbushë gjatë ciklit të studimeve në mënyrë që të mos rrezikojë marrjen e diplomës universitare.
Kreditet për studimet trevjeçare “Bachelor”
Sipas përcaktimeve të bëra në Ligjin e Arsimit të Lartë dhe rregulloreve funksionuese të universiteteve, programet e studimeve të ciklit të parë “Bachelor” synojnë të japin njohuri bazë mbi metoda e parime shkencore të përgjithshme dhe aftësi specifike në një varietet të gjerë profesionesh e specialitetesh.
Në përfundim të këtyre studimeve kandidati duhet të ketë grumbulluar 180 kredite nga frekuentimi i orëve mësimore, detyrave të kursit, si dhe provimet finale. Kur nuk plotësohen kreditet e përcaktuara, diploma universitare nuk jepet. Kohëzgjatja e këtyre programeve studimore është tre vite akademike dhe në fund lëshohet diplomë universitare “Bachelor” në fushën e arsimimit të kryer.
Kreditet për programet master
Programet e studimeve të ciklit të dytë (Master Shkencor), u japin të diplomuarve që zotërojnë diplomën universitare “Bachelor” njohuri të thelluara teorike dhe praktike, si dhe trajnim për kërkim shkencor në një fushë brenda një specialiteti. Në përfundim të këtyre studimeve që zgjasin dy vite akademike studenti duhet të ketë grumbullur 120 kredite që të mund të pajisen me diplomën përkatëse.
Studentët e këtij programi duhet të japin në përfundim edhe provimin e gjuhës angleze mbi bazën e testeve të njohura ndërkombëtare. Krahas Masterit Shkencor fakultetet ofrojnë edhe programe të tjera studimore të nivelit të dytë siç është “Masteri Profesional” që zgjat 1 vit e gjysmë. Ndërkohë që në përfundim të tij duhen siguruar 90 kredite. Studentët e këtij programi studimi duhet të japin në përfundim edhe provimin e gjuhës angleze mbi bazën e testeve të njohura ndërkombëtare.
Kreditet për programet e Doktoraturës
Programet e studimeve të doktoratës janë programe të studimeve të ciklit të tretë, me karakter plotësisht akademik, që kanë në bazë kërkim shkencor dhe veprimtari krijuese. Në studimet e doktoratës pranohen kandidatë që kanë fituar diplomë universitare “Master i shkencave” ose “Master i arteve të bukura”. Këto programe të studimeve zgjasin të paktën 3 vite akademike dhe përfshijnë 60 kredite për studime të organizuara teorike. Institucionet e arsimit të lartë, në bazë të rezultateve të arritura në studimet e organizuara teorike, vendosin kritere klasifikimi për kandidatët që kanë të drejtë të zhvillojnë projektin kërkimor dhe të përgatisin tezën e doktoratës.
Programet e reja që çelen në Universitetin e Shkodrës
– “Trashëgimi Kulturore dhe Menaxhim Turizmi”, në përfundim të cilit lëshohet diplomë universitare Master Profesional sipas llojit të programit.
-“Administrim Biznes”, në përfundim të cilit lëshohet diplomë universitare e nivelit Master Profesional.
-“Financë Bankë”, në përfundim të cilit lëshohet diplomë universitare e nivelit Master Profesional me këtë emërtim.
-“Psikologji Shëndeti”, ku në mbyllje të ciklit të studimeve kandidati pajiset me diplomë universitare të nivelit Master Profeisonal.
-Të gjitha këto programe të nivelit të dytë Master Profesional realizohen me 90 kredite ndërsa kohëzgjatja e tyre normale është 1.5 vite akademike ose tre semestra.
Programet e reja në Universitetin Bujqësor të Tiranës.
– “Mjekësi Bimore”, në përfundim të cilit lëshohet diplomë e nivelit të dytë Master Shkencor në mjekësi bimore.
– Ky program realizohet me 120 kredite dhe kohëzgjatja normale e tij është 2 vite akademike, ndërkohë që studimet në këtë program do të iniciojnë gjatë vitit të ardhshëm akademik 2013-2014.
Programet e reja në Universitetin Politeknik të Tiranës
“Teknologji Informacioni”, në përfundim të cilit do të lëshohet diplomë e nivelit Master Profesional.
-“Inxhinieri Informatike”, në përfundim të cilit do të lëshohet diplomë universitare e nivelit Master Profesional.
– Këto programe studimi realizohen nëse studenti përgjatë 1 viti e gjysmë studimi arrin të grumbullojë 90 kredite. Aplikimet për këtë programe fillojnë gjatë këtyre ditëve.
Programet e reja në Universitetin e Tiranës
-“Etika në Institucione dhe Lidership”, në përfundim të cilit lëshohet diplomë universitare e nivelit “Master i Shkencave”.
-Programi i studimeve të ciklit të dytë, në këtë specialitet realizohet me 120 kredite dhe kohëzgjatja normale e tij është 2 vite akademike. Studimet në këtë program do të çelen gjatë vitit të ri akademik 2013-2014.
Programet e reja në Universitetin e Elbasanit
-“Ekonomi Turizmi”, në përfundim të cilit do të lëshohet diploma universitare e sistemit trevjeçar Bachelor.
-“Mësuesi – Arsimi Fillor”, në përfundim të cilit lëshohet diplomë universitare e ciklit
“Master i Shkencave”.
-Programi i studimeve të ciklit të parë, “Bachelor” realizohet me 180 kredite dhe kohëzgjatja normale e tij është 3 vite akademike. Ndërsa programi i studimeve të ciklit të dytë, “Master i Shkencave” realizohet me 120 kredite dhe zgjat dy vite akademike. Aplikimet për këto programe do të fillojnë gjatë vitit të ardhshëm.
Programet e reja në Universitetin e Durrësit
-“Multimedia dhe Televizion Dixhital”, në përfundim të ciklit të studimeve lëshohet diplomë universitare e ciklit të parë “Bachelor.
-“Mësuesi për Arsimin Fillor Klasa e I-VI”, në përfundim të cilit lëshohet diplomë universitare “Master i Shkencave”.
– Programi i studimeve të ciklit të parë “Bachelor” realizohet me 180 kredite dhe kohëzgjatja normale e tij është tre vite akademike.
-Programet e ciklit të “Master i Shkencave” realizohen me 120 kredite dhe
kohëzgjatja normale e tyre është vetëm dy vite akademike. Aplikimet për këto programe do të jenë për vitin akademik 2013-2014.
Programet e reja në Universitetin e Elbasanit
-“Mësuesi për arsimin fillor Klasa e I-VI”, në përfundim të cilit lëshohet diplomë universitare e nivelit të dytë Master i Shkencave.
– Aplikimet për këtë program universitar nisin gjatë 2013-s, ndërkohë që kohëzgjatja e tyre normale është 2 vite akademike në përfundim të cilave kandidati duhet të grumbullojë 120 kredite.
Detyrimet për ndjekjen e leksioneve dhe seminareve
Rastet kur refuzohet dhënia e diplomave
Ndjekja e seminareve dhe leksioneve është një tjetër detyrim për të siguruar kreditet e duhura në mënyrë që të mos rrezikohet humbja e vitit akademik. Në rregulloren e universiteteve janë të përcaktuara edhe tolerimet që studentët mund të përfitojnë nëse nuk janë frekuentues të leksioneve apo seminareve. Konkretisht për leksionet pohohet se si rregull janë fakultative. Megjithatë në përputhje me specifikat e veta, çdo fakultet apo institut në rregulloren e tij të brendshme, mund të përcaktojë lëndë, frekuentimi i të cilave mund të jetë i detyrueshëm deri në masën 75 për qind. Për seminaret frekuentimi është i detyrueshëm në masën 75 për qind. Kur studenti ka marrë pjesë në 50-75 për qind nuk ka të drejtë të futet në provimin e radhës, por kalon në sezonin e vjeshtës. Kur studenti ka marrë pjesë në më pak se 50 për qind ai përsërit lëndën në vitin e ardhshëm. Gjithashtu, frekuentimi i punëve laboratorike, detyrave të kursit, mësimit praktik dhe mësimit klinik, është i detyrueshëm në masën 100 për qind. Kur studenti nuk ka frekuentuar deri në 25 për qind të punëve laboratorike të çdo lënde, i shlyen ato në dy javët e fundit të vitit në vazhdim, apo semestrit kur lënda është semestrale. Nëse ka frekuentuar më pak se 75 për qind të tyre, i shlyen ato në vitin pasardhës. Njëkohësisht edhe detyrat e kursit janë të detyrueshme të shlyhen në masën 100 për qind në të kundërt studenti nuk hyn në provimin e lëndës.
Kam mbaruar bachelor ne shkoder dua te vazhdoj master ne tr per mesuesi shkenncor ju lutem a mund tme informoni a mund te vazhdo dhe kur happen regjistrime
Ju lutem me informoni kur happen regjistrimet
Pershendetje jam nje studente qe kam mbaruar bachelor per finance- kontabilitet ne korce dhe dua qe te vazhdoj masterin shkencor ne tirane ju lutem a mund te me thoni kriteret kryesore qe duhet te pembush (duhet patjeter qe te kem nje certifikate te gjuhes angleze te mbrojtur ne shtet apo jo ? dhe cfare mesatare duhet te kem ?,dhe kur fillojne regjistrimet? )Ju lutem se nuk po e gjej dot ne web. me duhet urgjent nje pergjigje .Faleminderit
Eni
Do te vish ne tirane ti? Mos ia fut kot! Hajde se te presim……